Belgzim Kamberi: Spektri politik shqiptar pa program dhe vizion politik

Nga Redaksia 15.02.2015 23:21

Intervista e Belgzim Kamberit dhënë revistës “ VLERA” në Prishtinë, numri i janarit

1. Kush është Belgzim Kamberi?

- I lindur më vitin 1975 dhe me profesion politolog; punoj që më se dhjetë vite në gazetari dhe si veprimtar për të drejtat e njeriut. Konsulent dhe ligjërues për gazetari; kryesoj aktualisht Këshillin për të Drejtat e Njeriut për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

 

2. Meqenëse merreni një kohë të gjatë me gazetari, shoqëri civile dhe me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, na thoni sa janë këta sektor me të vërtetë joqeveritar?

- Si organizata jofitimprurëse, sigurisht se ata sektorë janë zyrtarisht joqeveritar, ngase nuk financohen drejtëpërdrejtë dhe nuk janë themeluar nga institucionet qeveritare. Por, nga ana tjetër, sektori i asaj që quhet shoqëri civile lëngon jorrallëherë nga mungesa e profesionalizmit dhe nga mungesa e distancave të duhura ndaj pushteteve të ndryshme. Qoftë nga mungesa e kuadrove, apo edhe nga mungesat financiare. Pastaj ndikon jashtëzakonisht shumë fryma dhe qeverisjet dominuese politike, të cilat sa më shumë që janë autoritare dhe regresive; aq më shumë e ngulfasin sektorin civil emancipues dhe progresist. Megjithatë, unë vazhdoj të besoj se zhvillimi i këtij sektori mbetet jetik për demokratizimin e një shoqërie, përderisa ai angazhohet për vlera universale, njerëzore dhe progresiste.

 

3. Cila është pengesa që në Luginën e Preshevës nuk kemi një pozitë të avansuar të këtij sektori dhe çfarë duhet bërë për të gjetur rrugët “alternative” të mbijetesës së dinjitetshme të shoqërisë civile?

- Në rastin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës; faktori kryesor që ndikon në dobësimin e sektorit civil është shtypja dhe diskriminimi shtetëror serb, të cilit po i bashkëngjitet (pa)vetëdijshëm edhe politika lokale shqiptare. Shtetit serb nuk i konvenon një politikë aktive qytetare, rezistuese dhe emancipuese. Gjatë gjithë këtyre viteve, shteti e ka nxitur shtypjen e zërit progresist qytetar edhe duke e ushqyer, toleruar dhe mundësuar dominimin e politikanëve të korruptuar shqiptarë. Si kundërshpërblim ndaj shtetit për tolerimin e pasurimit të tyre të paligjshëm; politikanët lokal shqiptarë po e ruajnë gjendjen dhe qetësinë mbretëruese duke e pasivizuar masën rezistuese dhe denoncuese që simbolizohet sot pothuajse vetëm me sektorin civil. Kësisoj, përveç kufizimeve në resurse profesionale dhe financiare; sektori lokal joqeveritar përballet me shtypjen e shtetit dhe me ndërskamcat e politikanëve lokal shqiptarë, të cilët parapëlqejnë aleancat e fshehta me shtetin që po i mbanë realisht në pushtet si të korruptuar dhe të shantazhuar, sesa partneritetin me organizatat joqeveritare lokale që mund të denoncojnë dhe të demaskojnë pushtetin shtypës serb dhe korruptiv shqiptar. Këtë e vërteton edhe fakti se gjatë njëzet viteve të “pluralizmit demokratik”, asnjë zyrtar politik shqiptar nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja nuk është ndjekur ose dënuar nga shteti për korrupsion; përderisa shumë veprimtarë politikë shqiptarë që rezistuan dhe denoncuan politikën shtypëse serbe janë vrarë, arrestuar, keqtrajtuar, bastisur apo edhe detyruar të largohen nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Nëse e analizojmë veprimin njëzetvjeçar të organeve shtetërore serbe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; atëherë konstatohet qartësisht se ekzistojnë dy kategori njerëzish ndaj të cilëve nuk vepron ligji: Vrasësit e djeshëm të civilëve shqiptarë dhe politikanët e sotshëm të korruptuar shqiptarë. Sidoqoftë, kjo metodë e përgjithshme veprimi është dobiprurëse si për shtetin, ashtu edhe për politikanët lokal shqiptarë. Shteti serb shtypë duke e ruajtuar imazhin pozitiv të qetësisë, ndërsa politikanët lokalë shqiptarë pasurohen duke e ruajtuar imazhin pozitiv të patriotit.

 

4. Për një kohë të gjatë, deri në vitin 2002, e veçmas në Bujanoc, Këshilli për të drejtat e njeriut ishte forumi me zërin mëtë fuqishëm kundër shkeljeve të drejtave të shqiptarëve nën regjimin e Millosheviqit. Aktualisht, sa ka përkrahje KDNJ nga qeverisja lokale në Bujanoc, ku edhe e ka selinë.

- Mbështetja e qeverisjes lokale e Bujanocit e cila administrohet nga partitë shqiptare - në varësi politike dhe numerike nga partneri i tyre qeverisës kleronacionalist serb - është minimale. Ajo përkufizohet në një mbështetje simbolike financiare, sa për të pasur arsyetim para ndonjë kritike të mundshme se nuk po e mbështesin sektorin joqeveritar. Kjo është në logjikën e politikave të tanishme dominuese, që në rastin më të mirë, e duan shoqërinë civile si marionetë të tyre, duke themeluar dhe favorizuar organizata joqeveritare të përbëra nga militantët partiak ose familjarët e tyre; e në rastin më të keq, nuk e duan fare shoqërinë civile. 

 

5. Cilat janë format dhe sektorët ku ka shkelje më të shumta të të drejtave të njeriut nga cili do nivel i pushtetit?

- Kur i përket të drejtave të njeriut, përderisa ka një progres simbolik në fushën e respektimit të të drejtave individuale, pothuajse nuk ka fare përmirësim në fushën e të drejtave kolektive. Serbia nuk shfaq vullnet të mjaftueshëm politik për t’i avancuar të drejtat e pakicave kombëtare sikur komunitete. Ajo përpiqet t’i përkufizojë ato në të drejta individuale duke i mohuar në esencë të drejtat e tyre kolektive. Në thelb, problemi qëndron te modeli kushtetues i Serbisë, që pasohet edhe me organizimin e tanishëm territorial dhe politik të shtetit, që nuk garantojnë të drejtat e duhura për komunitetet minoritare etnike, fetare, sociale etj.; por as zhvillim ekonomik për rajonet e margjinalizuara. Prandaj, Serbia duhet domosdoshmërisht ta ndryshoj Kushtetutën e saj duke e përshtatur me interesat e komuniteteve dhe rajoneve të margjinalizuara dhe jo vetëm me interesat e partive dhe grupeve dominuese politike dhe shoqërore serbe. Pastaj, Serbia duhet të filloj më seriozisht të mendojë për modelet e rajonizimit dhe decentralizimeve që duhen zbatuar në vend.

 

6. Dikur KDNJ ishte shtylla e përbashkimit të rinës shqiptare të Luginës së Preshevës në ngritjen e zërit kundër padrejtësive që iu shkaktoheshin shqiptarëve. Tani me sa duket një tempo e tillë ka rënë. Pse?

- Ka disa faktorë që kanë ndikuar në “rënien” e kësaj dinamike. Në momentin që shteti serb ka vërejtur mobilizimin dhe dinamizimin e rinisë vendore për të filluar një rezistencë më aktive paqësore, ajo ka përdorur instrumente të ndryshme për ta pasivizuar dhe margjinalizuar atë. Pastaj, ngritja e zërit ndaj padrejtësive nënkuptonte edhe kritikën dhe kundërshtimin e politikës lokale shqiptare, gjë që rezultoj edhe me presionin e tyre të heshtur ndaj të rinjve për t’i demobilizuar ata, në këmbim të favoreve të ndryshme simbolike që ofronin pushtetarët lokal shqiptar, që filluan të ndjeheshin të rrezikuar nga krijimi i alternativa politike. Pastaj, sigurisht se edhe KDNJ ka përgjegjësinë e saj. Të përballur me mangësi në resurse njerëzore dhe financiare, si dhe me presione të shumta nga ana e politikave pushtetare të të gjitha niveleve, KDNJ e kishte të vështirë ta ruante një dinamikë të tillë, edhe pse nuk duhet harruar se KDNJ nuk e ka profilin dhe mandatin për ta nxitur ndonjë lëvizje masive politike; por që kjo ishte një zhvillim që lindi vetëvetiu, si mungesë e aktiviteteve të kësaj natyre nga aktorët e tjerë të shoqërisë.

 

7. Serbia furishëm po shkon drejt anëtarësimit me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Sa mendoni se janë reale vlerësimet e Komisionit Europian në përmbushjen e kritereve për anëtarësim nga ana e Serbisë?

- Bashkimi Evropian e ka kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë edhe me çështjen e respektimit dhe avancimit të të drejtave të minoriteteve. Megjithatë, sigurisht se edhe autoritetet evropiane shpërfaqin tolerancë ndaj Serbisë. Me këtë rend kushtetues, politik dhe ekonomik; Serbia nuk do të jetë shtet funksional dhe demokratik edhe si anëtare e Bashkimit Evropian. E aq më tepër, përderisa e konsideron Kosovën si pjesë përbërëse të saj.

 

 8. A mendoni se politika shqiptare në Luginë të Preshevës është duke bërë mjaftueshëm që të përfitoj maksimumin e mundshëm për pozitë më të mirë të shqiptarëve, në këtë fazë para anëtarësimit?

- Spektri politik shqiptar është sot substancialisht dhe strukturalisht i defaktorizuar. Pa program dhe vizion politik, ai është kryesisht i orientuar në realizimin e politikave klienteliste në dobi të interesave korruptuese të individëve nëpër parti politike, duke shfaqur mungesë të kapaciteteve për t’u profesionalizuar dhe modernizuar, e duke vërtetuar njëkohësisht se nuk e gjen veten në Serbinë post-Millosheviqiane. Në fakt, spektri politik shqiptar përfitoj nga kjo gjendje për të maskuar paaftësinë dhe abuzimet e saja.  Përderisa në njërën anë, Kushtetuta e Serbisë, si dhe legjislacioni për pakicat nacionale, nuk mundësojnë avancimin e mjaftueshëm të të drejtave të komuniteteve joserbe në Serbi, në anën tjetër, papjekuria e spektrit politik shqiptar është gjithashtu ajo që nuk e mundëson avancimin e mjaftueshëm të të drejtave të shqiptarëve dhe zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit. Prandaj, spektri politik shqiptar i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës ka një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë për dështimet e procesit politik të nisur pas përfundimit të konfliktit të armatosur midis forcave të sigurisë serbe dhe kryengritësve shqiptarë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB). Një proces që ka dështuar në realizimin e të gjitha synimeve të saja kryesore.

 

9. Nga viti 2001 e këndej në Luginë të Preshevës pati dista raste të arrestimeve në masë të shqiptarëve nën dyshime e akuza të ndryshme. Disa vuajtën edhe dënime të rënda, disa u liruan pas një procesi të gjatë gyjqësor duke u mbajtur në paraburgim gjatë gjithë kohës së gjykimit. Na thoni cilat ishin karakteristikat e përbashkëta të këtyre proceseve dhe sa janë gjasat që këto ngjarje të mos përsëriten më?

- Të gjitha këto procese dëshmuan thjesht mungesën e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; ku shteti është i pranishëm vetëm në funksion të shtypjes dhe ruajtjes së qetësisë formale. Pra, për të ndërtuar një imazh se Serbia ka risjellur qetësinë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Paralelisht, Serbia vepron ne drejtim të zbrasjes së heshtur të rajonit nga banorët shqiptarë, pa shtypje klasike dhe të ashpër; por me metoda të heshtura dhe paqësore. Paqja në Luginën e Preshevës është dashur të fillojë me zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera nga pjesëtarët e autoriteteve shtetërore të sigurisë ndaj popullatës civile gjatë njëzet viteve të fundit. Asnjë rast i tillë nuk është proceduar nga ana e autoriteteve të drejtësisë serbe, duke dëshmuar kësisoj politizimin e anti-shqiptarizimin e gjyqësorit serb dhe kursin e saj në drejtim të ndërtimit të politikave shtetërore të sipërpërmendura. Pa zbardhjen e vrasjeve të civilëve vendorë dhe dënimin e përgjegjësve të këtyre krimeve nuk mund të flitet për drejtësi dhe progres në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Procesi politik që po quhet i paqes, filluar pas përfundimit të konfliktit të armatosur, ka dështuar krejtësisht. Ai duhet të rifillojë së pari nga drejtësia. Me zbardhjen dhe dënimin e krimeve të kryera ndaj civilëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. E ardhmja nuk mund të ndërtohet pa ballafaqim me të kaluarën.      

   

10. Cila është pozita e të burgosurve në Serbi? Sa respektohen të drejtat e tyre njerëzore, fetare (sa i përket ushtrimit të riteve fetare, ushqimit dhe specifikave të burgosurve të fesë islame), sjellja me familjet që vizitojnë të afërmit e tyre?

- Krahasuar me vitet e nëntëdhjeta, ka një përparim simbolik të trajtimit të të burgosurëve të përkatësive minoritare etnike, fetare, sociale etj, në burgjet e Serbisë. Megjithatë, për shembull, rasti i keqtrajtimeve të të burgosurëve të “Grupit të Gjilanit” si shkelje drastike e procedurave ligjore dhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe për trajtimin e të burgosurëve dëshmojnë se Serbia është ende shumë larg nga standardet ndërkombëtare të trajtimit të të burgosurëve. E në këtë drejtim, natyrisht, se janë pjesëtarët e minoriteteve të ndryshme, që pësojnë më së shumti keqtrajtime dhe abuzime të tilla. 

 

11. Sa kanë hapësirë muslimanët në Serbi që t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre fetare qoftë përmes OJQ-ve apo Bashkësive islame?

- Myslimanët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë janë të organizuar përmes rrjetit të institucioneve që veprojnë në kuadër të bashkësive islame ekzistuese, apo edhe në kuadër të shoqatave të ndryshme joqeveritare me karakter fetar islam. Parimisht, myslimanët vendorë gëzojnë mundësitë dhe mekanizmat që të kultivojnë dhe zhvillojnë besimin e tyre fetar. Por, megjithëse shteti e ka për detyrë të ofrojë mundësitë ligjore për ushtrimin e kësaj të drejte, Kisha Ortodokse Serbe mbetet gjithsesi më e privilegjuar në Serbi kundrejt komuniteteve të tjera fetare; si me Kushtetutë ashtu edhe me kuadrin ligjor në fuqi. Kisha Ortodokse Serbe dhe komuniteti ortodoks gëzon pa dyshim më shumë mbështetje logjistike, financiare, politike dhe morale nga ana e strukturuave shtetërore.   

 

12. Meqenëse në shkollat publike është lejuar mësim – besimi fetar, si për muslimanët po ashtu edhe për krishterët ortodoks, në çfarë mase kjo punë ka dhënë frutet e veta për shoqërinë dhe sa i përshtatet kjo literaturë standardit ekzistues të edukimit në Ballkan?

- Duke mos e komentuar debatin e njohur rreth (mos)cenimit të karakterit laik të shtetit me përfshirjen e mësimbesimit fetar në sistemin arsimor publik; ai do të duhej megjithatë ta mundësonte një mbikëqyrje institucionale ndaj mësimdhënies fetare, e cila dikur mësohej kryesisht nëpër xhamia, kisha, apo edhe nepër shoqata të ndryshme joqeveritare me karakter fetar. Sa i përket organizimit të mësimbesimit fetar islam, ai bëhet natyrisht nga qeveria republikane në bashkërendim me rrymat dominuese të dy bashkësive islame në Novi Pazar, që mbetet qendra e Islamit në Serbi, pavarësisht rivaliteteve dhe flirtimeve të tyre të momentit me bashkësinë islame me seli në Beograd. Në këtë hierarki administruese vertikale; hoxhallarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës janë në rastin më të mirë në plan të dytë dhe në rastin më të keq, në plan të tretë. Pastaj; në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ekzistojnë gjithashtu disa fraksione rivale në mesin e organizimit institucional lokal të myslimanëve, të cilat përplasen vazhdimisht midis tyre për arsye ideologjike, organizative ose pushtetare. Kjo ka ndikuar në emërimet dhe në shkarkimet e kuadrove mësimore fetare dhe të interpretimit të tyre të Islamit në shkolla; varësisht se nga cili grup dhe nga cila rrymë fetare islame burojnë. Këto vështirësi organizative ndikojnë sigurisht edhe në cilësinë e mësimdhënies. Ndërsa, sa i përket literaturës, ndoshta më së miri do të përgjigjeshin ata që i kanë hartuar dhe që i kanë miratuar tekstet mësimore, apo studiuesit dhe hulumtuesit e tyre.

 

13. A keni ndonjë evidencë rreth shkuarjes eventuale të të rinjëve të Luginës së Preshevës  në luftrat civile që aktualisht po zhvillohen në Lindjen e Mesme (Siri dhe Irak)?

- Nuk është në mandatin e KDNJ që të mbajë evidencë rreth përfshirjes eventuale të qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në luftërat jashtë vendit. Jemi njoftuar nëpërmjet mjeteve të informimit, se një qytetar nga komuna e Bujanocit e ka humbur deri tani jetën në konfliktet që po zhvillohen në Irak dhe në Siri.


Intervistoi: Fehmi Maliqi për www.vlera.net

Nga Redaksia 15.02.2015 23:21
Shkruaj Koment

Asnjë koment

Ende nuk ka komente!

Më lejoni tju them një histori të trishtuar! Ende nuk ka komente, por mund të jeni i pari që e komentoni këtë artikull.

Shkruaj një koment
Shiko të gjitha komentet

Shkruaj Koment

Hyrje

Fushat e patjetërsuara janë të shënuara me *

Nëse nuk jeni të regjistruar, atëherë klikoni Regjistro!

Para se të dërgoni komentin Tuaj ju lutemi që t’i përmbaheni rregullave të mëposhtme:

Mendimet e shprehura në komente janë opinione private të autorëve të komentit dhe nuk pasqyrojnë pikëpamjet e redaksisë së portalit informativ Titulli.

Gjithashtu lusim lexuesit e portalit Titulli që gjatë shkruarjes së komentit t’i përmbahen drejtshkrimit.

Redaksia mbanë të drejtën e mos aprovimit të komenteve me përmbajtje fyese, që janë vulgare, kërcënuese, raciste si dhe ato të cilat bëjnë thirrje në urrejtje etnike dhe nuk kontribuojnë në komunikim normal mes lexuesve të këtij portali.

Komentet që nuk kanë të bëjnë me temën dhe kanë përmbajtje të papërshtatshme rreth jetës private të personit në artikull, apo fyerje në autorët e tekstit si dhe anëtarët e redaksisë, nuk do të aprovohen.

Vërejtje: Për të dërguar komentin së pari duhet të regjistroheni me emrin (pseudonimin), me të cilin pas aprovimit nga redaksia, këtë emër unik (pseudonim) mund ta shfrytëzoni për dhënien e opinionit tuaj në hapësirën për komentim.