Ndërmarrësit privat të Luginës kërkojnë ndihmën e Serbisë, Kosovës e Shqipërisë (Video)
Lokale

Ndërmarrësit privat të Luginës kërkojnë ndihmën e Serbisë, Kosovës e Shqipërisë (Video)

07.Aug.2015 02:27
0
Funksionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Luginë të Preshevës, vazhdon të ketë sukseset e saj, por edhe të përballen me probleme të natyrës së punës, ndërsa ndihmesat e ofruara nga donatorët, sipas drejtuesve të ndërmarrjeve, nuk japin rezultatet e duhura.

Në Bujanoc, ndërmarrja “Dekori & Rëra Company” prodhon dhe monton pllaka betoni e anësore, si dhe ka separacionin e rërës në këtë qytet përreth lumit Morava jugore.

Pronari i kësaj ndërmarrje, Rexhep Destani, thotë or Titulli.com se prej vitit 2002 kur ka hapur firmën me partnerin e tij, vazhdimisht e kanë rritur numrin e punëtorëve.

“Aktualisht kemi 14 punëtorë. Kemi pasur deri në 16, por kemi startuar me dy punëtorë dhe numrin vazhdimisht e kemi rritur. Puna gjatë këtyre viteve ka shkuar mirë, jemi munduar të punojmë dhe të jemi të sinqertë me klientet tanë”, thotë Destani.

Ai thekson se prodhimet e tyre i shesin në komunat e Bujanocit më së shumti, pastaj të Preshevës dhe Vranjës, ndërsa shton se nuk kanë ndonjë problem të theksuar në punën e ndërmarrjes, përveç problemeve të përditshme me defektet në makinerin.

Lidhur me donacionet, Destani thotë se ndërmarrja e tij ka fituar tre tenderë në komunën e Bujanocit, siç është shtrimi me pllaka të trotuarëve në rrugën Karagjorgje Petroviq në Bujanoc, ndërsa nga Trupi Koordinues kanë fituar tre milionë dinarë mjete të pakthyeshme.

“Me këto mjete kemi përmirësuar makinerinë dhe kemi siguruar një pajisje për prodhimin e unazave të betonit”, përfundon Rexhep Destani.

Njëra prej kompanive më të njohura të rajonit është ndërmarrja tregtare e prodhuese “Bici Commerce”, e themeluar në vitin 1999, në fillim si ndërmarrje e transportit të mallrave, kryesisht nga Serbia për në Kosovë. Tani kjo kompani ka dy restorane, depot e materialit ndërtimor në Bujanoc dhe Preshevë, shet ngjyra dhe sanitari, dhe në përgjithësi të gjithë materialin që nevojiten për ndërtimin e një shtëpie.

“Prej vitit 2010 kemi filluar edhe me prodhim. Në këtë vit kemi hapur fabrikën për prodhimin e betonit në Bujanoc. Në vitin 2013 kemi hapur edhe fabrikën për prodhimin e rrjetave të armaturës, kurse në vitin 2014 kemi startuar edhe me fabrikën për prodhimin e betonit në Preshevë”, thotë Gafur Fazliu, njëri prej pronarëve të "Bicit".

Por, sipas Fazliut, problem i madh është plasmani i këtyre prodhimeve, sidomos të rrjetave të armiruara, sepse në brendësi të Serbisë nuk mund të depërtojnë, as në Kosovë, e fatkeqësisht as në vendet e Evropës.

“Sa shesim rrjeta në muaj i prodhojmë vetëm për tre ditë, ndërsa punëtorët duhet paguar për tërë muajin. Këtu dëshiroj të theksoj edhe donacionin që kemi marr në vitin 2013 nga Trupi Koordinues kur kemi qenë të obliguar të punësojmë tre punëtorë të rinj. Këto donacione të kushtëzuara po ndikojnë në mënyrë negative në ndërmarrjet private”, thotë pronari i kompanisë "Bici Commerce".

Ai thotë se qeveria e Serbisë, por edhe qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të ndihmojnë ndërmarrjet prodhuese të Luginës me sigurimin e plasmanit të prodhimeve.  

Fazliu shton se kompania është një biznes familjar pasi që gjashtë vëllezërit pronarë të ndërmarrjes secili menaxhon nga një pjesë të kompanisë, e gjithashtu janë inkuadruar edhe fëmijët e tyre. Ai thekson se Bici Commerce punëson në sezon rreth 50 punëtorë, ndërsa të rregullt i ka 30 punëtorë.

Një biznes familjar me traditë është edhe furra “Kameri” në Bujanoc, e cila është hapur në mars të vitit 1970 dhe pas pensionimit të Kamer Gegolajt në vitin 2003 traditën e kanë vazhduar tre djemtë e tij, që tani posedojnë tre furra në Bujanoc dhe një në Vranjë.

Muhamed Gegolaj, pronar i furrës “Kameri” në qendër të Bujanocit, thotë se biznesin familjar e menaxhon me familjen e ngushtë të tij dhe ka tre punëtore shtesë.

“Puna është duke shkuar mirë, edhe pse po vërehet kriza dhe migrimi. Me qytetarët e Bujanocit kemi gjetur gjuhë të përbashkët, na njohin e na respektojnë, sikur edhe ne ata”, thotë Muhamed Gegolaj.

Në sezonin e verës kur vijnë mërgimtarët dhe është sezoni i dasmave edhe furra “Kameri” ka më shumë punë, thotë Gegolaj, ndërsa sa i përket çmimeve ai thekson “Mielli nuk është shtrenjtë, por lëndët tjera siç janë fara e bukës, margarini, eurokremi e tjera. Çmimet e tyre përcjellin euron, ndërsa çmimi i bukës nuk ka lëvizur që 7–8 vite”, thotë pronari i furrës “Kameri”.

Muhamed Gegolaj thotë se edhe në të ardhmen synon të vazhdojë dhe të avancojë me këtë biznes familjar, pasi traditën me furrë do ta vazhdojnë edhe djemtë e tij, të cilët tanimë janë inkuadruar në punë dhe punojnë me zell.

Gegolaj në fund thotë se deri më tani nuk ka konkurruar asnjëherë për ndonjë donacion, por në të ardhmen e ka në plan të konkurrojë për të avancuar biznesin.

Me sfida e me suksese, ndonjë më shumë e ndonjë me pak, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në rajonin e Luginës së Preshevës janë të rëndësishme në punësimin e të rinjve, kur dihet shkalla e lartë e papunësisë në këtë rajon.

Donacionet, lehtësimet, apo sigurimi i plasmanit, sigurisht që do të mundësojë edhe avancimin e këtyre ndërmarrjeve dhe punësime të reja. /Titulli.com/

VIDEO

 

 

Presheva mbushet me refugjatë (Video)
Tërnocasi kapet me 170 kg duhan të grirë (Foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration