Qeveria e atyre që luftuan kundër UÇK-së
Ditët e fundit ngjarjet kryesore politike në Kosovë kanë pasur të bëjnë me një "rikthim" të Serbisë. Filluan me një vizitë "pelegrinësh" serbë në Gjakovë, vizitë e cila u ndalua nga protestat e banorëve të qytetit, i cili para 15 vitesh u dogj e u rrënua mizorisht.Shkruan: Rilind Gervalla
Ndonjëri mund të thotë se “pelegrinët” serbë nuk kanë faj për këtë gjë që ka bërë Serbia e Millosheviqit, por fatkeqësisht nuk është kështu, pasi ata “pelegrinë” janë emra të njohur për gjakovarët, njëri prej tyre madje ish-kryetar i qytetit, njeri famëkeq e i dhunshëm i regjimit të atëhershëm. Të tjerë pelegrinë janë të dyshuar për pjesëmarrje aktive në gjenocidin dhe masakrën ndaj shqiptarëve, por të pagjykuar sepse nuk ka kush t’i gjykojë.
Evropa nuk i gjykon “pelegrinët” e Gjakovës se ka hallet e veta dhe do ta mbajë “urtë” Serbinë, Serbia ka dënuar 4 a 5 komandantë dhe me kaq i ka larë duart me krimet e luftës në gjithë ish-Jugosllavinë, ndërsa Kosova e ka zërin e mbytur prej çlirimtarëve të korruptuar që e qeverisin. Këta pra ishin “pelegrinët”, ndërkohë që ende nuk janë kthyer trupat e të pagjeturve, të cilat kërkohen tash sa vjet nga shoqata “Thirrjet e nënave”, një nga organizatoret e protestës në fjalë.
Mbas protestës, nga mediat publike të Kosovës, një ministër i Qeverisë së Isa Mustafës e të Hashim Thaçit, Aleksandar Jabllanoviqi, i quajti protestuesit egërsira. Më pas tha se kurrë nuk kishte dëgjuar për masakra në Kosovë. Ja pra, kjo qenka pavarësia jonë shtatëvjeçare...
Pak ditë më vonë erdhi në Kosovë shefi i vërtetë i Jabllanoviqit, Vuçiqi. E dhimbshme kur, 15 vjet pas masakrave, “të viziton” ish-ministri i Millosheviqit, i cili ngriti në mes të Kosovës përmendoren e Krajl Millutinit, që e quajti edhe përmendoren e parë të këtij personazhi në gjithë Serbinë. Kjo përmendore nuk është dron, nuk ka për të fluturuar, është prej metali të rëndë, e ngulur në mes të Kosovës. Krajl Millutini është i famshëm ndër krajla serbë, sepse ka pushtuar Durrësin. Mesazhet le t’i lexojë kush di t’i lexojë.
Për ta analizuar situatën politike dhe aktuale e kemi të domosdoshme t’u shkojmë gjërave me radhë. Pyetja që duhet shtruar e para është se nga na erdhën këta të Listës Serbe, që herë po na thonë "divljaci" (përkthim: të egër, njerëz të egër) neve si shqiptarë, ushtarëve e invalidëve të UÇK-së, nënave e motrave që kanë humbur fëmijët dhe ende i kanë të zhdukur?
Ju kujtohen bisedimet e ish-kryeministrit Hashim Thaçi me mikun e tij, Ivicën, të cilat sollën dhe pranimet e ratifikimeve të marrëveshjeve nga PDK, LDK, AKR, AAK dhe nga minoritetet? Pra, u pranua që enklavat serbe të kenë buxhet të mëvetëm, gjykatë të ndarë, u pranua edhe formimi i komunës së ndarë të Mitrovicës veriore, Asociacioni i Komunave Serbe, u pranua që paramilitarët (Rojat e Urës) dhe njësitë policoro-ushtarake që dëbuan e vranë shqiptarët nga veriu, të sistemohen në Policinë e Kosovës (edhe kjo me komandë të ndarë në veri). “Civilna Zastita” u trajtua njësoj si UÇK-ja, dhe pjesëmarrësit e saj po integrohen në polici, madje dhe në FSK, ngjashëm sikurse u bë demilitarizimi i UÇK-së.
Edhe Lista Serbe e ministrit “tonë” Jabllanoviq u formua si pasojë e atyre negociatave, nga po ata persona që deri në atë moment ishin quajtur mediatikisht "Struktura paralele", pra të përzgjedhurit e Serbisë fashiste (Millosheviq/Sheshel/Nikoliq/Daçiq) që kryenin shërbimet shtetërore e komunale të Republikës së Serbisë brenda në territorin e Kosovës.
Hipokrizia e disa politikanëve dhe deputetëve qëndron në faktin se të njëjtët shqiptarë të subjekteve politike e kane pranuar duke ngritur dorën në parlament për ardhjen e këtyre çetnikëve, në emër të "integrimit" të veriut, edhe pse jo rrallë përsëritej si retorikë aksioni policor i 27 korrikut 2011, ku u vra pikërisht prej atyre strukturave që po “integroheshin” pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë, Enver Zymberi.
Isa Mustafa e mbron ministrin e vet, Jabllanoviqin, dhe nuk dëshiron ta largojë atë. Sipas tij, Jabllanoviqi thjesht ka qenë emocional, dhe duhen zbutur pak fjalët. Por, po t'i besosh Isa Mustafës e ta legjitimosh këtë qeveri të përbërë nga PDK, LDK dhe Lista Serbe, i bie që ta kapërdish dhe ta pranosh sot e tutje edhe çdo shprehje e veprim politik kundër shqiptarëve sikurse: "Njerëz me bisht", "Të egër", "Egërsira". A i kapërdijmë dot?!!!
Nuk mund ta kërkojmë VETËM shkarkimin e ministrit të Qeverisë Mustafa, Aleksandër Jabllanoviq. Edhe pse dyshoj që as kjo s’mund të ndodhë, pasi Mustafa është tërësisht impotent përballë Jabllanoviqit, të cilin më shumë e ka shef se sa vartës.
Këto ditë, pas deklaratës famëkeqe u shfaq një video tjetër e Aleksandër Jabllanoviqit ku ai flet përballë një gazetari nga Serbia për subjektin e tij politik, të cilin e kryeson. Në pyetjen se mos fakti që po futen brenda një qeverie me shqiptarët do të thotë tradhti, ai përgjigjet "si mund të jemi tradhtarë kur në radhët tona kemi njerëz që kanë luftuar për Serbinë në Koshare etj”. Pra, subjekti pjesëmarrës në Qeverinë e Kosovës së pavarur, mburret se ka në radhët e saj personat që luftuan për Millosheviqin kundër UÇK-së...
Nëse UÇK-ja ka pasur të drejtë, dhe nëse shqiptarët vërtet e kanë merituar lirinë, kjo Qeveri e shantazhuar, bashkë me "paralelet" brenda saj, duhet të bjerë. Bashkë me të duhet të bien edhe marrëveshjet antishqiptare që ajo ka bërë, në emër të ruajtjes së kolltukut të ngrohtë dhe në emër të garancisë që nuk do të përndiqet për korrupsion. Por rrëzimi i tyre sot bëhet vetëm me reagim qytetar e me protesta popullore!
Pra, kemi dy rrugë, konformizëm e pritje nga këta që janë në Qeveri, ose reagim e kërkesa legjitime për ta bërë shtetin e Republikën. Ikje apo qëndresë?!
Tash e kemi në dorë ta mendojmë mirë fatin tonë politik.
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI