Të guxosh të ndërtosh një të ardhme më të mirë
Vështrime

Të guxosh të ndërtosh një të ardhme më të mirë

05.Nov.2019 08:49
0

Unë vij prej një prej vendeve me moshën më të re mesatare në Europë. Kur unë isha e re, le të themi më e re, vendi im ishte “the North Korea of Europe”. E izoluar si asnjë vend tjetër në Europë deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë, Shqipëria, fqinje me Italinë, Greqinë dhe ish-Jugosllavinë, kaloi dy periudha të gjata traumatike: Periudhën e pushtimit pesë shekullor otoman, deri në fillim të shekullit të 20tëdhe, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, periudhën gjysmëshekullore të regjimit më të egër komunist në kontinentin tonë.

I jam mirënjohëse NASEBA-s për ftesën që të jem e pranishme në këtë takim dhe ndjehem e privilegjuar që më jepet mundësia të flas përpara jush, si përfaqësuesja e një vendi ku historia ka shfaqur anën e vet më brutale dhe brutaliteti i kohës që jetojmë, e ka bërë posaçërisht të vështirë kapërcimin e hendekut të historisë mes nesh dhe Europës, të cilës i përkasim gjeografikisht, kulturalisht dhe shpirtërisht.

Shqipëria është një vend me shumicë myslimane, ku të krishterët kremtojnë natyrshëm Bajramin dhe myslimanët kremtojnë po aq natyrshëm, Krishtlindjet.
Unë vij nga një familje myslimane, im shoq është katolik, dy fëmijët tanë nga martesa e mëparshme janë të krishterë ortodoksë dhe i treti, djali ynë pesëvjeçar, do ta zgjedhë vetë se cilës fe do t’i përkasë, nëse do të dojë ta bëjë një ditë këtë zgjedhje natyrisht.

Shqipëria është atdheu i Nënë Terezës, gruas trupvogël me zemër, kurajë e pasion të madh, që mishëroi botërisht simbolin e dashurisë e të vetëmohimit për më të dobëtit dhe u bë, falë përkushtimit të saj sublim, Shën Tereza e Kalkutës.

Shqipëria është vendi ku në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, pati më shumë hebrenj sesa në fillimin e saj dhe ku, falë kurajës e besnikërisë së shqiptarëve, hebrenjtë gjetën mbrojtje e asnjë i vetëm nuk iu dorëzua nazistëve.

Shqipëria është vendi, ku në Kushtetutën tonë të parë, Kanuni i Shqiptarëve, qysh prej mesjetës u shkrua në fjalinë e parë dhe mbeti e shkruar në vetëdijen tonë kolektive, si vlerë e panegociueshme e bashkësisë sonë: Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe Mikut.

Me kënaqësinë më të madhe, dua të shpreh përpara jush dëshirën dhe ftesën njëkohësisht, që në të ardhmen të zgjidhni Shqipërinë, si vendin për të organizuar konferencën tuaj. Ju siguroj se nuk do të pendoheni!

Ditën e daljes nga errësira e izolimit komunist, unë isha vetëm 26 vjeç. Sapo kisha filluar punë si ekonomiste, në një ndërmarrje të madhe tipike komuniste, kur papritur u gjenda, si të gjithë shqiptarët, në mes të një deti të hapur ndryshimesh marramendëse dhe mundësisë për të patur më shumë se vetëm një zgjedhje për të ardhmen.

Atë ditë, ne kishim vetëm lirinë e vështrimit mbi botën që u shfaq e magjishme dhe tunduese përpara nesh, por asgjë nga gjithçkaja e asaj bote të paanë lirish e të drejtash universale. Atë ditë, në Kushtetutën e Shqipërisë shkruhej ende se marrja e kredive të huaja ishte tradhti kombëtare dhe çdo aktivitet privat ekonomik ishte i ndaluar njësoj si çdo aktivitet kriminal. Kishte vetëm një bankë që kreditonte ekonominë shtetërore; vetëm një punëdhënës, që ishte shteti; vetëm një stacion televiziv dhe radiofonik, ku shihej e dëgjohej vetëm shteti; kishte vetëm një parti, Partia – shtet e Punës së Shqipërisë.

Atë ditë ne ishim të gjithë të barabartë, në shtëpi të njëllojta që ishin të shtetit, me një ekonomi të njëllojtë, që ishte ekonomia familjare e mbijetesës dhe mbi të gjitha, njëlloj të paditur për mënyrat e lundrimit në detin e hapur, ku secilit iu desh të zgjidhte vetë një destinacion sa të dëshiruar, aq edhe të panjohur.

Një pjesë e madhe zgjodhi emigrimin, duke i hyrë një kalvari të gjatë sakrificash për t’u integruar në mjedise të reja, ku fliteshin gjuhë të tjera, ku respektoheshin rregulla të reja dhe ku si rregull, paragjykimi e diskriminimi ndaj emigrantëve të ardhur me anijet e ndryshkura të komunizmit në brigjet e botës së re, ishin rregulli jo përjashtimi.

Një pjesë tjetër zgjodhën rrugën po aq të vështirë, të integrimit në sistemin e ri brenda vendit, ku rregullat e vjetra ranë brenda një nate dhe rregullat e reja u deshën vite të tëra për t’u shkruar dhe edhe më shumë akoma, për t’u zbatuar.
Unë zgjodha të studioj në një universitet jashtë vendit, me idenë fikse për t’u kthyer më e ditur në vendin tim. Dhe ashtu bëra.

Sot, kur më duhet të flas për sfidat e më të rinjve, e kam të lehtë të kujtohem se nga kemi ardhur deri këtu, ne të rinjtë e vetëm 30 vjetëve më parë, por e kam të vështirë të parafytyroj, për arsye të ndryshimeve marramendëse në fraksionin e kohës që jetojmë, se ku mund të mbërrijnë ata që sot nuk i kanë mbushur ende të tridhjetat. Dhe sa më shumë, ndjej për fëmijët e mi pasigurinë që sjell me vete globalizmi dhe deti i ri i botës së komunikimeve, ndërveprimeve dhe influencave digjitale, aq më e fortë më bëhet bindja se e vetmja busull orientuese për të rinjtë e për vetë familjet, është edukimi me fanatizëm i parimeve e i vlerave të një civilizimi që kërcënohet gjithnjë e më fort nga humbja e busullës.

Ndjesë për këtë parantezë, por sinqerisht dua të ndaj me ju pafuqinë time, si grua, si nënë, si intelektuale po të doni, për t’u ndjerë e sigurt në forcën e fjalëve që mund të thuhen për liderët e rinj në funksion të një të ardhmeje më të mirë, përballë shpejtësisë së forcës së madhe e të frikshme relativizuese ndaj parimeve e vlerave të të konsoliduara të civilizimit tonë, që sjell kjo botë e re mbi më të rinjtë; duke vrarë kohën për të dyshuar, për të verifikuar, për të peshuar mendimin dhe argumentuar a provuar të kundërtën.

Sidoqoftë, Shqipëria sot është një realitet katërcipërisht tjetër. Emigrantët shqiptarë të zbritur në brigjet e botës së re, nga anijet e ndryshkura të fillimviteve ’90, ia kanë dalë që fëmijët e lindur në furtunën e detit të hapur të asaj kohe, sot të jenë plotësisht të integruar në realitetet e vendeve të tjera, si “rrezatim” i kombit tonë në këto vende, siç i quan Kadareja, shkrimtari ynë i shquar. Kam bindjen që shumë prej jush keni patur rastin të njihni këtë rrezatim shqiptar në universitete, komunitete, sipërmarrje, institucione ndërkombëtare, në skenat dhe mjediset e artit dhe të kulturës, madje edhe në politikë ku së fundi janë gjithnjë edhe më shumë shqiptarë që garojnë për mandate përfaqësimi, nga këshillat vendorë, në parlamente e deri në Senatin Amerikan.

E njëjta përpjekje dhe investim spektakolar është bërë nga familjet shqiptare për të arsimuar vajzat dhe djemtë e tyre, në Shqipëri apo jashtë saj, duke krijuar një armatë të rinjsh me një potencial të jashtëzakonshëm jo vetëm për të shtuar energjitë në përballimin e sfidave të sotme, por edhe për të garantuar qëndrueshmërinë e zhvillimit për vitet që vijnë.

Mozaiku i mundësive për kontribut të grave dhe të rinjve është shumë i larmishëm dhe është e pamundur për ta rrokur në këtë fjalë, por unë dua të përqendrohem në dy më të rendësishmet, fuqizimin vendimmarrës dhe fuqizimin ekonomik.

Vitet e fundit në Shqipëri, një numër i konsiderueshëm i platformave të rëndësishme publike, nga ato në politikë deri tek ato në administratë, janë pushtuar nga të rinjtë dhe një vëmendje e posaçme i është dedikuar sigurimit të balancës gjinore në përfaqësim.

30% e deputeteve në Parlament sot janë gra, 8 nga 15 anëtarët e kabinetit qeveritar janë gjithashtu gra, duke e klasifikuar Shqipërinë në vendin e pestë ndër 22 vendet me kabinetet qeveritare më të balancuara nga pikëpamja gjinore në botë. Këto Zonja aktualisht drejtojnë edhe sektorë që kurrë më parë nuk i ishin besuar gruas.
Energjetika dhe infrastruktura sot kanë një Ministre grua, po ashtu Financat dhe Ekonomia. Gra janë edhe ministret e Mbrojtjes, Drejtësisë, Arsimit, Shëndetësisë, Kulturës e të Marrëdhënieve me Parlamentin. Shumica prej tyre kur morën detyrën ishte nën 39 vjeç. Diplomacia dhe marrëdhëniet me jashtë i janë besuar një të riu që është vetëm 29 vjeç.

47% e zëvendësministrave sot në vendin tim janë gra. 40% e institucioneve qendrore dhe 45% e Drejtorive të Përgjithshme drejtohen nga gra. 25% deri në 41% të atyre që mbajnë funksione të larta publike janë nën moshën 39 vjeç.

E gjithë kjo tërësi të rinjsh dhe grash që sot punon në këto nivele, është jo vetëm fryt i një investimi afatgjatë individual, familjar dhe shoqëror mes sakrificash të panumërta me rrënjë thellë në histori, por edhe shprehje e një vullneti të brendshëm për të demonstruar publikisht tek vajzat dhe djemtë që kanë pasionin për t’u përfshirë në politikë dhe administrimin e lartë publik, që kjo është e mundur.

Megjithatë, ndonëse në pararojë të qasjes së fuqizimit të rolit vendimmarrës të gruas dhe të të rinjve, në përmasa të spikatura në këto vitet e fundit, gratë dhe të rinjtë që kanë zotëruar dhe zotërojnë platformat publike nuk kanë përçuar ende një ndjeshmëri të atillë ndaj problematikave rinore dhe atyre gjinore, e cila do ta bënte këtë proces një fuqi ndryshimi të shtrirë në të gjitha shtresat e shoqërisë. Nuk kemi parë ende që kjo ndjeshmëri, e përkthyer në veprim të marrë vëmendjen e merituar krahas agjendës së ditës, ndonëse shoqëria ka për këtë një nevojë të krahasueshme me atë të të verbrit për dritën.

Nëse sot, ata që i kanë këto pozicione nuk kujdesen dhe për të krijuar perspektiva të qarta edhe për të gjithë ata të rinj e të reja që luftojnë çdo ditë me pamundësinë për të ndjekur pasionet dhe ëndrrat, pengesat e panumërta në fijet e ngatërruara të burokracisë, varfërinë, ndrydhjen e talenteve, pamundësinë për të ekspozuar vlerat, apo për të gjitha ato gra që vuajnë agresivitetin, dhunën verbale, diskriminimin gjinor, ngacmimin seksual në vendin e punës, dhe shumë fenomene veçanërisht në zonat e varfra dhe ato periferike, atëherë jo vetëm që do të mbeten në një borxh të pashlyeshëm me shoqërinë, por do të prodhojnë një barrë që shoqërisë i kushton shumë.

Shumë e rëndësishme është sot përfshirja e grave dhe e të rinjve në ekonomi. Një e treta e të punësuarve në ekonomi sot janë të rinj të moshës 15 – 28 vjeç. 30% e administratorëve dhe të pronarëve të biznesit privat janë gra. Dhe më shumë se 40% e pozicioneve në linjën e parë të menaxhimit në kompanitë private janë gra. Megjithatë, sa më lart në hierarkinë vendimmarrëse të kompanive, aq më pak gra rezultojnë. Madje ka sektorë, ku megjithëse masa kryesore e të punësuarve janë gra, si për shembull bankat, institucionet financiare jo bankare apo ato të sigurimit, në rastin më të mirë ka një ose dy anëtarë të bordeve gra, por në shumicën e rasteve nuk kanë asnjë grua në bord. Dhe nuk ka asnjë bord drejtues që të mos ketë të paktën një anëtar burrë, a thua se bordet e drejtimit të këtyre institucioneve mund të funksionokan shumë mirë pa asnjë grua, por nuk mund të ekzistokan pa një burrë. Avancimi i të rinjve në karrierë në sektorin privat dhe shpalosja e kapacitetit të plotë të tyre bëhet e vështirë për shkak të natyrës dhe madhësisë së biznesit, që është i dominuar nga biznesi i vogël dhe i mesëm. Por shpreh bindjen, që qindramijëra të rinjtë shqiptarë të mirarsimuar dhe shumë të talentuar, brenda dhe jashtë vendit, përbëjnë sot një potencial të jashtëzakonshëm, për të kontribuar nëse kompani të mëdha të huaja do të vendosnin për të investuar në Shqipëri. Prezenca e kompanive të mëdha ndërkombëtare, në vende si Shqipëria, do të ishte jashtëzakonisht e dobishme jo vetëm për ekonominë, por më së shumti për modernizimin e mjedisit të biznesit dhe imponimin e standardeve më të mira në të.

Pa dashur të marr më shumë kohë dhe duke qenë e vetëdijshme për kompleksitetin kohës që jetojmë, e cila i kërcënon po njësoj, edhe pse në forma, nivele e përmbajtje të larmishme, qoftë të rinjtë e qoftë e gratë, si në vendet e zhvilluara ashtu edhe në ato në zhvillim, siç është Shqipëria, lejomëni ta mbyll fjalën time me një nga të paktat siguri që kam. Sa më shumë bota e re që po shfaqet me furinë e një shpejtësie që deri para pak vitesh ishte e paimagjinueshme, do të na ofrojë instrumente të rinj komunikimi e ndërveprimi, aq më alarmante bëhet nevoja për ta mbrojtur botën e vjetër të vlerave e parimeve të mëkuara nën çatinë e famijes, të artikuluara brenda mureve të shkollës, të imponuara në rrugën e bashkëjetesës së komuniteteve tona, si kode të patjetërsueshme të komunikimit e të ndërveprimit mes nesh. Këto vlera do të jenë arma më e mirë në duart e çdo të riu, vajzë apo djalë, jo vetëm në rrugën e avancimit të karierës profesionale, por sidomos në vemendjen dhe kontributin e tyre në dobi të një shoqërie më të mirë në të ardhmen.

Sa më shumë do të ngrihen barrikadat e moskomunikimit, apo të konfrontimit pa dorashka mes atyre që mendojnë njësoj kundër atyre që mendojnë ndryshe, në territoret e botës virtuale dhe sa më shumë, e vërteta do të përballet me epideminë e gënjeshtrave, aq më alarmante bëhet nevoja për t’i mbrojtur fëmijët tanë nga epidemia në fjalë, e cila nuk është aspak e vështirë të konstatohet se ka prekur sferat më të larta të vendimmarrjes, edhe në vendet më të zhvilluara e më të pasura të botës.

Natyrisht, konstatimet e mia nuk janë asgjë e re për askënd që ka një vëmendje sado modeste ndaj kësaj situate sa të mbarsur me potenciale të mëdha për të mirën e njerëzimit, aq edhe të mbushur me kërcënime të mëdha për civilizimin tonë. Por duke shpresuar, se sidoqoftë, kontributi im në këtë foltore, të ketë qenë i vlefshëm për ju, që patën mirësinë të më dëgjoni, ju falënderoj me shumë respekt!

Autor: Linda Rama 

 
 
Analisti Halimi: Jam pro shkëmbimit të territoreve, ajo do të ndodhë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration