Vështrime
Promovohet libri "Rrënjë dashurie, shkodranët për Kosovën"
Në Prishtinë u promovua libri “Rrënjë dashurie, shkodranët për Kosovën” me autor Isa Alibali. Në mesin e mysafirë që morën pjesë në këtë promovim ishte edhe Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva.
Salihu për lexuesit tanë sjellë një reportazh nga ky promovim.
Shkruan: Xhemaledin Salihu
Një takim i këndshëm në Prishtinë, përjetime dhe përmallime me ish-drejtorin e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Më 27 shtator mora ftesën për promovimin e librit : “Rrënjë dashurie, Shkodranët për Kosovën” të autorit Isa Alibali, punonjës shumëvjeçar kulture dhe arsimi në Shkodër. Ftesa erdhi nga Biblioteka publike “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, ku kisha punuar dy vite: më 2003,2004 dhe 2005, respektivisht nga ish drejtori i kësaj biblioteke, Z.Sulejman Pireva.
Posa e lexova ftesën, menjëherë i vura detyrë vetes ta organizojë shkuarjen time për Prishtinë, në promovimin e librit të autorit Isa Alibali.
Më 28 shtator 2012, në mëngjes me makinën e Nuhi Aliut u nisëm për Prishtinë, autori i këtyre rreshtave dhe Feti Shaipi.
Shoqata për Trashëgimi dhe krijimtari Kulturore në Preshevë ka shpallur Njoftim-Konkurs për Simpozium një ditësh, me temë: “Lugina e Preshevës për Lëvizjen shqiptare gjatë histories”, i cili do të mbahet më 23 nëntor 2012, në nder të shënimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Andaj u ndie nevoja që edhe gojarisht t’i njoftojme disa institucione të Kosovës, ku punojnë preshevarët, por edhe të tjerët.
Së pari vizituam Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku me mikpritje dhe zemërgjërësi na priti kryetari i Akademisë së Kosovës, Akademik Hivzi Islami.
Pastaj nga aty në Institutin Albanologjik të Prishtinës na priti dhe na ofroi mikpritje, sekretari i Institutit, zotëri Syla, i cili pos angazhimit lidhur me njoftimin e studiuesve ne Institut për pjesëmarrje në Simpozium na premtoi edhe një kontigjent botimesh të Instituti për Bibliotekën dhe Shoqatën.
Vazhduam me makinën e Eshtref Sahitit nga Presheva, për në Arkivin e Kosovës, ku na priti ish-drejtori i Arkivit Prof. Dr. Jusuf Osmani dhe preshevarja shumë e nderuar në Arkivë, doktoresha Hatixhe Ahmeti. Edhe këta na premtuan pjesëmarrje në Simpozium.
Nga Instituti, me një vonesë dhjetë minutash arritëm në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, respektivisht në Amfiteatrin e madh të kësaj biblioteke, ku kishte filluar ceremonia e promovimit të librit të Isa Alibalit. Moderator i kësaj ngjarjeje ishte Sulejman Pireva, ndërsa referues ishin: Prof. Dr. Haki Kasumi, recenzent i librit, Prof. Dr. Izber Hoti dhe veterani I njohur I gazetarise, Ramiz Kelmendi.
Pas referimeve mora fjalën dhe përshëndeta autorin e librit, Isa Alibali, në emër të Preshevës, në emër të Shoqatës dhe në emrin tim personal. Posa u përmend Presheva, menjeherë erdhi aplauzi i publikut, i cili kishte mbushur Amfiteatrin e Bibliotekës.
Fjalët e mia miradije ishin në drejtim të autorit, Isa Alibalit, ish drejtorit të Teatrit “Migjeni” në Shkodër, njohja me te në Preshevë: Isa Alibalin e njoha të sjellshëm, intelektual dhe të urtë. Mirëpo, sikurse ishte me këto vyrtute ish drejtori i Teatrit, Isa Alibali, poashtu i gjithë kolektivi i Teatrit na solli jo vetëm një shfaqje të shkëlqyer, por edhe një kulturë, një mirësjellje dhe urtësi.Atëherë edhe publiku preshevarë patë mbetur jashtëzakonisht I kënaqur me shfaqjen e Shkodranëve
Pasi mbarova fjalën përshendetëse, përmallimi i madh, nuk ishim takuar me Isa Alibalin plotë 32 vjet, edhepse gjithnjë, nga shumë preshevarë kam marrë selame të dërguara nga Isa Alibali. Gjithashtu i kam përcjellur selame dhe e kam ftuar në telefon, mirëpo takimi i ynë nuk ndoshi 32 vjet dhe ndodhi mu në Prishtinë. Ndodhi përqafimi i dy miqëve dhe në këtë rrodhën lotët e gëzimit, që ishim gjallë dhe shëndoshë e mirë.
Pra, ndodhën përqafime të sinqerta dhe rrodhën lotët e mallëngjimit, të dy miqëve që nuk ishin takuar për 32 vjet.
Ajo që më befasoi, edhepse isha më i ri, mbushur 65 vjet, ndërsa miku im 72 vjet, mbamendja dhe kujtesa e tij. Në fjalën përshëndetëse të tij më tha jo miku im, Xhemaledin, neve jemi njohuar më herët, më 1979 në Shkodër.
Për këtë mora bllokun e shënimeve nga vizita e grupit të drejtuesve të Arsimit dhe të Kulturës të Preshevës, në Shqipëri, respektivisht në Shkodër:
Më 2 gusht 1979, në ora ll arritëm në Shkodër. U vendosëm në hotelin “Rozafa” dhe dhoma e imja dhe e Rizahut ishte në katin e pestë. Pasi u vendosëm vizituam Muzeun Ateist, at të Pashko Vasës dhe Pallatin e Sporteve, e cila më parë ishte xhami.
Më pastaj e vizituam Shtëpinë muze të Luigj Gurakuqit. Në hotel njoftova Shpresa Badallima, artiste e re dhe Tinka Kurtin, artiste e Popullit.Atëherë xhironin filmin: “Në atë pranverë”, sa më kujtohet dhe sipas shënimeve në bllokun tim.
Në mbrëmje mikpritësit na organizuan një eveniment me këngë popullore, ku kënduan: Bik Ndoja, artist i merituar dhe dy Florinda, Florinda Gjergji dhe Florinda Preni, njëra më e vjetër, ndërsa tjetra më e re. Në bllokun tim kisha shënuar se në atë ngjarje ishin prezent edhe grupi i anëtarëve të Partisë komuniste të Gjermanisë.
Isa Alibali shkruan në librin e tij për këtë vizitë, f. 93 :
“Mendja më shkoi menjëherë tek ato ditë gushti 1979, kur në Shkodër erdhën një grup mësuesish nga Presheva…
Ishte hera e parë që vinin në Shkodër.
-Sa dini për Shkodrën dhe si e njihni atë?- I pyeta jo pa qëllim.
E njihnin nëpërmjet gojës së prindërve të tyre, që dikur kishin ardhur shpesh në Shkodër për tregti apo për shumë punë të tjera. Shkodrën e kishin dashur dhe e donin shumë.
Ra fjala për artistët tanë:
-Mbi të gjithë na pëlqejnë këngëtarët Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, thanë pothuajse të gjithë. Radio-Tiranën e dëgjonin gjithnjë, ndonjëherë edhe Radio-Shkodrën.
-Si thoni, keni dëshirë që sonte këtu në sallën e hotelit, Biku dhe Shyqi të vinë e të kalojnë natën sëbashku, duke kënduar?!
Ata mbetën të habitur. Të befasuar. Nuk e besonin që këta dy këngëtarë të mirënjohur të vijnë këtu e të këndojnë për ta. Sytë u ndritën nga gëzimi.
Erdhi mbrëmja.
Mësuesit nga Presheva nuk përmbaheshin nga gëzimi. Atë natë do të jetë dhënë koncerti më madhështor që mund të bëhet ndonjëherë…
Xhemaledini, drejtori i Shtëpisë së kulturës të Preshevës, më tha të nesërmen:
-Kemi kaluar një natë të veçantë mbrëmë, të jashtëzakonshme, të mrekullueshme. Si asnjëherë tjetër në jetën tonë. Ky është mendimi i të gjithëve. Një natë e paharruar. Ju jemi tepër mirënjohës. Dëshirojmë t’ju shpërblejmë… kur të vini në Preshevë.
Vizita e Teatrit “Migjeni” nga Shkodra
Pocitojë librin : “ Kultura shqiptare në Preshevë 1945-1995” të autorit Xhemaledin Salihu, f. 359 :
“Në programin e punës së Universitetit të Punëtorëve për vitin 1980, 1981, 1982 dhe 1983 u paraqit nevoja që përveç Manifestimit të aktiviteteve kulturore nga Presheva, Kosova, Maqedonia dhe Mal i Zi, të planifikohen edhe programet e importuara nga jashtë, sidomos në gjuhën shqipe, përkatësisht Universiteti i Punëtorëve në Preshevë planifikoi programet kulturore nga Shqipëria. I njëjti planifikim u bë edhe në Bashkësinë komunale për Kulturë të Preshevës. Këto programe iu përcollën Qendrës Krahinore të Kulturës në Prishtinë, e cila ishte bartëse dhe realizatore e këtyre programeve nga Shqipëria në Kosovë e më gjërë. Mbështetje të këtyre programeve nga bota e jashtme i dhanë edhe Seksioni për Arsim, Kulturë dhe Kulturë Fizike i KK të LSPP në Preshevë, Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Kulturë i KK të Sindikatës në Preshevë dhe Komisioni për marrëdhënie ndërnacionale i KK të LK të Preshevës.
Përveç programeve të Universitetit të Punëtorëve që iu përcollën Qendrës Krahinore të Kulturës, por edhe në biseda me përgjegjësit e kësaj Qendreje dhe në Sekretariatin për Kulturë të Kosovës u kërkua që nga këto subjekte në këtë drejtim të përfshihet edhe Presheva me vizitat e ansambleve nga jashtë, në veçanti të atyre nga Shqipëria. Fryt i këtij aktiviteti të subjekteve të Preshevës /në këto biseda mori pjesë Hasan Hajrullahu, kryetar i Seksionit për kulturë të LSPP në Preshevë, Xhemaledin Salihu, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, ndërsa nga Kosova, pos drejtuesve të Qendrës Krahinore për Kulturë edhe Shefki Stublla, sekretar i Sekretariatit Krahinor për Kulturë të Kosovës-vërejtje e autorit/ ishin edhe realizimi i disa vizitave nga Shqipëria, Turqia dhe Gregia.
Më 12 qershor 1980, në orën 16 dhe 19, në sallën e madhe të Shtëpisë së kulturës “A. Krashnica” në Preshevë, Teatri Popullor “Migjeni” nga Shkodra shfaqi dramën “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës, në regji të Serafin Fanko. Shfaqjet u mirëpritën, sa që në të dy shfaqjet, shikuesit e mbushën përplot sallën”
Isa Alibali në librin e tij vazhdon, f. 94 dhe 95 :
“Ato ditë kishim biseduar për turneun tonë në Kosovë:
-Kur të vini, ejani edhe te ne-më pat thënë Xhemaledini-po ndërtojmë një pallat kulture, me një sallë shumë të madhe e moderne. Kurt ë vini ju, besoj se do të jetë e përfunduar./Edhe pse ende punonim në ndërtesën e vjetër të Universitetit të Punëtorëve dhe ende zyrtarisht nuk patëm filluar punën në Shtëpinë e kulturës, ansambletë e Shqipërisë i pritëm aty-vërejtje e autorit/.
Dhe kështu ndodhi…
Një ditë e nxehtë qershori. Të dy autobusët tanë rrëshqasin në rrugën e shtruar drejt Preshevës. Është hera e parë që një grup artistik nga Shqipëria i drejtohet këtij qyteti.
Zbresim përpara pallatit të kulturës. Na presin vajza të reja me karafila në dorë dhe i vendosin në gjoksin e secilit prej nesh. Pastaj pritja nga autoritetet shqiptare të Preshevës. Ngrohtësi e jashtëzakonshme. Njohje shumë e shpejtë, sikur të ishim miq të vjetër.
Në krye të këtij organizimi miku ynë Xhemaledini.
Dreka ishte madhështore. E jashtëzakonshme, mund të thuhet. Pastaj menjëherë dy shfaqje rresht. Salla e re njëmijë vendesh, tepër moderne, u inaugurua nga trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës me dramën “Baca i Gjetajve”. Publiku-i mrekullueshëm.
Pastaj darka. Atmosfera u krijua tepër e këndshme. Vendasit i përgjigjeshin kaq bukur këngëve shkodrane, sa që u bindëm të gjithë se kënga jonë e bukur dhe e magjishme shkodrane këndohet kudo ku ka shqiptarë.
Kënga që thuhet se është shkodrane : “Moj lulja e gemit” është preshevare, këndohet në Preshevë dhe autor i saj është Haki Tali nga Rahovica-vërejtje e autorit.
Isa Alibali vazhdon:
“Në shfaqjen e dytë, ndodhi një ngjarje jo e zakonshme. Kur në fund të shfaqjes aktorët dalin për të përshëndetur spektatorët entuziastë, një plak, me hap të ngadaltë i ngjitet skenës, i mbajtur nga dy nipat e vet. I afrohet Ndrekë Lucës, i heq qeleshën nga koka dhe i vë të veten. Sala nuk përmbahet më. Duartrokitjet e fuqishme, të cilat u shtuan tepër nga shpërthimet e papërmbajtshme, u dukën si një shpërthim i shpirtit të kombit tonë.
Plaku nuk lëvizi nga skena. Ishte bërë pjesë e trupës së teatrit, si të ishte një nga aktorët më të vjetër. Herëpasherë i fryhej gjoksi dhe dukej se donte të shfrynte diçka që e kishte mbërthyer të tërin.
Të gjitha shfaqjet e tjera Ndreka i bëri me qeleshen, që i dhuroi plaku patriot nga Presheva.
E ruajti përgjithnjë këtë relikë të rrallë.
Kur në vitin 1994 i ra infarkti i dytë, para se të ndahej prej nesh, porositi të shoqen dhe të birin që ta varrosin me atë qeleshe, të dhuruar aq bujarisht dhe aq solemnisht nga vëllezërit e një gjaku.
Amaneti u zbatua. Ndrekë Luca u nda nga jeta me qeleshen e plakut nga Presheva, për ta ruajtur e për ta mbajtur pranë vetes përjetësisht”
Në mbrëmje u kthyem në Preshevë, të kënaqur se takuam miq të dashur, të kulturës, arsimit dhe shkencës. Dita e sotme ishte kujtesë personale, por do të mbetet kujtesë e miqëve dhe kujtesë kombëtare.
Mikut tim Isa Alibali i urojë shëndet, jetë të gjatë dhe punë të mbarë në realizimin e ëdërrave dhe botimin e shumë librave.
Preshevë, më 30 shtator 2012
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!