PD e vetme në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, Salihu kandidat për kryetar
Partia Demokratike në Bujanoc ka vendosur që të marrë pjesë në zgjedhjet e këshillave kombëtar që janë të parapara të mbahen më 4 nëntor të këtij viti.
Bartës i listës zgjedhore dhe njëherit kandidat për kryetar të këshillit kombëtar shqiptarë është përzgjedhur Sali Salihu, kryetar i Forumit Rinor të këtij subjekti politik.
“Partia Demokratike ka mbajtur mbledhjen e saj të kryesisë dhe ka marrë qëndrim për pjesëmarrje në zgjedhjet për Këshillin Nacional të Shqiptarëve. Pas konsultimeve me të gjitha degët e saj, kryesia unanimisht ka miratuar propozimin e dalë nga kryesia që unë të jem bartës i listës nga radhët e PD-së” u shpreh për Titulli.com Sali Salihu.
Në pyetjen e Titulli.com se a do të garojë PD e vetme në zgjedhjet e KKSH-së, apo do të garojë në koalicion parazgjedhor me ndonjë parti tjetër, Salihu tha se të vetëm do hynë garës.
“PD e shtrirë në tri komunat e banuara me shqiptarë ka vlerësuar se do të jetë në gjendje që e vetme të dalë në këto zgjedhje. Pra, nuk ka asnjë koalicion parazgjedhor me asnjë parti, por në të njëjtën kohë Partia Demokratike nuk ka vija të kuqe me askënd” është shprehur Salihu.
Deri më tani pjesëmarrjen për zgjedhjet e këshillave kombëtare për 4 nëntor e kanë konfirmuar Alternativa për Ndryshim, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike./Titulli.com/