Vështrime
Opinion: Lugina deklaroi vullnetin politik, pjesë e pandarë shqiptare
Riza Halimi;
Në 20 vjetorin e Referendumit të mbajtur më 1 dhe 2 mars 1992 është e mundur të bëjmë shqyrtim objektiv dhe racional të rrethanave në të cilat u zhvillua kjo ngjarje me rëndësi të posaçme politike si dhe të ndikimeve në zhvillimet shoqërore – politike në Luginë të Preshevës në vitet që kaluan gjer më tani, por edhe në periudhën vijuese, kur po definohen raporte të reja pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë.
Fillimisht duhet të theksohet se parakushti i parë që mundësoi shprehjen e vullnetit politik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë për here të parë në historinë e tyre ishte krijimi i partive politike Shqiptare në kuadër të sistemit shumëpartiak. Gjithashtu është në këtë kontekst shumë i rëndësishëm formimi i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi, që u mundësua pas mbajtjes së takimit konsultativ të Zagrebit të përfaqësuesve të partive politike Shqiptare më 19 dhe 20 janar 1991, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e PVD-së.
Më 28.08.1991 në Prishtinë “Partitë Politike Shqiptare në Jugosllavi u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, me qëllim të zhvillimit të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve ndërmjet tyre si subjekte politike të popullit Shqiptarë, të konsultimit të ndërsjellë mes vete dhe të ndërtimit të taktikës dhe strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e popullit shqiptarë në përgjithësi, si dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po i ndërmerr pushtuesi për të thyer qenien kombëtare dhe për të rrënuar çdo subjektivitet dhe sovranitet shqiptarë në Jugosllavi”.
Menjëherë në mbledhjen e dytë të këtij Këshilli, pjesë e të cilit ishin edhe dy partitë politike Shqiptare nga Lugina e Preshevës, PVD dhe PDSH, të mbajtur më 03.09.1991, u aprovua “Deklarata politike për pozitën e popullit shqiptarë në Jugosllavi”. Me këtë deklaratë u formuluan tri opsionet e njohura për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi.
Pasi konstatohet se “ Populli shqiptarë në Jugosllavi në çdo rast dhe në çdo rrethanë do të vendosë për fatin e vet, sipas të drejtës së popujve për vetëvendosje, sipas po atyre të drejtave dhe po atyre kritereve që do të vlejnë edhe për popujt e tjerë ” në Deklaratë paraqiten opsionet me këtë radhitje:
* “ nëse Jugosllavia mbetet në kufijtë e tashëm të jashtëm dhe të brendshëm me republikat si shtete sovrane, barabar me këto do të jetë edhe Republika e Kosovës si shtet sovran i qytetarëve në të cilin Shqiptarët përbëjnë 90 % të popullsisë së përgjithshme, pjesa e popullit shqiptarë në Republikën e Maqedonisë, në Republikën e Malit të Zi, në Republikën e Serbisë do të ketë të drejta të njëjta si edhe popujt e këtyre republikave ”
* “ nëse Jugosllavia mbetet në kufijtë e saj të jashtëm, por kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave ndryshojnë, atëherë populli shqiptarë në Jugosllavi do të vendosë për kufijtë territorial të vet sipas parimeve që vlejnë edhe për popujt e tjerë. Nëse kufijtë e brendshëm në Jugosllavi përcaktohen sipas parimit etnik, populli shqiptarë sipas këtij parimi do të shpallë Republikën Shqiptare në Jugosllavi, në territoret ku Shqiptarët përbëjnë shumicën etnike të popullsisë “
* “ nëse ndryshohen kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, populli shqiptarë, me anë të plebishitit do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat përbën shumicën etnike, me Shqipërinë “.
Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi gjithashtu që në fillim të shtatorit vendosi për mbajtjen e Referendumit në Kosovë, sikur që kishte përcaktuar orientimet për angazhimet e Shqiptarëve në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi, në kuadër të të cilave është paraparë gjithashtu mundësia për organizimin e referendumeve.
Në këtë plan është e rëndësishme të shtohet se gjatë vitit 1991 ishte mbajtur një seri e referendumeve që i kishin organizuar serbët në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Është shumë e qartë se në rrethana kur ishte e sigurt se shpërbërja e ish Jugosllavisë ishte proces i pashmangshëm edhe Shqiptarët me anë të Referendumit shprehën vullnetin e tyre politik për statusin e tyre politiko – juridik që synojnë ta realizojnë me angazhimin e tyre strategjik politik në periudhën vijuese, që siç e dimë ishte dhe është edhe më tutje e stërngarkuar me sfida ekzistenciale.
Me këtë rast është e domosdoshme të theksohet se me Deklaratën politike të PVD dhe PDSH mbi themelimin e Kuvendit për shpalljen e Referendumit për autonomi politike e territoriale të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të 16 shkurtit 1992 u krijuan kushtet politike dhe organizative për t’u mbajtur seanca e Kuvendit për autonomi politike e territoriale më 24 shkurt 1992, në të cilën u formulua pyetja e Referendumit siç vijon: “ A jeni për autonomi politike territoriale të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë me të drejtë bashkimi me Kosovën “. Në këtë seancë u vendos që Referendumi të mbahet më 1 dhe 2 mars 1992 në vendbanimet me popullatë shqiptare në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, si dhe punëtorët Shqiptarë të këtij rajoni në shtetet evropiane.
Është me rëndësi të theksohet se edhe në Deklaratën politike të dy partive edhe në Komunikatën e Kuvendit për shpalljen e Referendumit, fillimisht është potencuar situata e rëndë diskriminuese e popullatës shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Andaj edhe del e natyrshme kërkesa e shprehur në formë plebishitare në Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 për autonomi politike territoriale të këtij rajoni si mekanizëm efikas politiko – juridik për realizimin e të gjitha të drejtave të njeriut dhe të drejtave kombëtare të Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Natyrisht janë paraqitur edhe argumentet politike, ekonomike, kulturore dhe psikologjike që e karakterizojnë këtë rajon dhe arsyetojnë kërkesën për autonomi të Luginës së Preshevës, në kuadër të Serbisë.
Në Deklaratën politike të PVD dhe PDSH, gjithashtu është potencuar se “ popullata shqiptare e këtij rajoni është pjesë përbërëse e tërë popullatës shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë, janë të natyrshme synimet e Shqiptarëve në këto treva që në kuadër të proceseve evropiane të integrohen në hapësirën Shqiptare, e posaçërisht me Kosovën, pjesë integrale e së cilës ishin gjatë historisë “.
Aktualisht, në situatë që vazhdon të jetë e rëndë dhe shumë delikate, është normale që paraqiten pakënaqësi, mirëpo shpesh paraqiten edhe qasje të papranueshme dhe të paargumentuara lidhur me angazhimet e subjekteve politike në realizimin e aspiratave të paraqitura me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992. Në këtë kontekst do ta kisha cituar edhe një herë Vendimin e Këshillit Koordinues të Partive politike Shqiptare për mbajtjen e Referendumit në Kosovë dhe në trojet tjera shqiptare në ish Jugosllavi, ku theksohet se: “Jemi deklaruar për zgjidhje paqësore dhe me rrugë demokratike të çështjes shqiptare në Jugosllavi dhe jemi të obliguar të respektojmë rrugën legale dhe legjitime, që do të ketë përkrahjen e subjekteve të brendshëm dhe të jashtëm. Duhet dalluar veprimin legal, ligjor, kushtetues prej veprimit politik. Veprimi politik është synim, ndërsa veprimi ligjor është rrugë që hap pas hapi të arrihet te qëllimi përfundimtar politik që e përcaktojnë partitë politike “.
Është shumë e qartë se realizimi i synimeve të përcaktuara me Referendum është proces i vështirë politik i cili në rastin konkret në Luginë të Preshevës, ka kaluar nëpër sfida të rënda ekzistenciale që i patëm gjatë regjimit të egër të Millosheviqit dhe periudhave të gjendjeve të luftës dhe gjendjeve të jashtëzakonshme prej vitit 1999 e gjer në vitin 2001, si dhe formave perfide të diskriminimit edhe nga ana e qeverive të pas 5 tetorit 2000, që po ushtrohen në kushte të raporteve të tensionuara në mes të qeverisë së Serbisë dhe qeverisë së Kosovës.
Mirëpo, është me rëndësi të veçantë që orientimi strategjik politik i përcaktuar me Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992 i konfirmuar edhe me Platformën politike të Shqiptarëve të 14 janarit 2006 është i pranishëm në programet e subjekteve politike shqiptare, e mbi të gjitha është me rëndësi që subjektet politike me anë të Kuvendit të Këshilltarëve Shqiptarë të orientojnë angazhimet e tyre praktike në drejtim të kërkesave legjitime të popullatës shqiptare për barazi me popujt tjerë dhe për zgjidhjen e çështjes së Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, me kriteret që po i ofrohen Serbëve në Kosovë, në bazë të dokumentit të Ahtisarit.
E drejta e popujve për vetëvendosje e paraqitur në Deklaratën politike të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi në Referendumin e vitit 1992 ishte shprehur me të drejtën e bashkimit me Kosovë dhe është e rikonfirmuar edhe në Platformën politike të vitit 2006 duke e ndërlidhur realizimin e kësaj të drejte legjitime me ndryshimin eventual të kufijve të shteteve që dolën nga ish Jugosllavia.
Kur dihet se në kuadër të raporteve aktuale ndërkombëtare kemi trend të përmirësimit të pozitës së Shqiptarëve në të gjitha trevat e tyre etnike është e natyrshme që Shqiptarët e Luginës së Preshevës, të vazhdojnë me përkushtim të angazhohen me të gjitha format politike dhe demokratike në kuadër të strukturave të Republikës së Serbisë t’i zgjidhin të gjitha problemet e rënda ekzistenciale me të cilat po ballafaqohen dhe të sigurojnë status politiko – juridik konform me aspiratat e tyre politike, që janë të harmonizuara me vlerat dhe taktikën evropiane. /Titulli.com/
Autori është kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, dhe kryetar i fundit i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish Jugosllavi, shkrimi në mënyrë ekskluzive është botuar në Revistën NACIONALI.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!