Vështrime
Mo(menti)numenti!?
Ka një muaj që Lugina e Preshevës, ish Kosova Lindore tashmë është temë diskutimi në arenën më të gjerë të Beogradit zyrtar “duke imponuar një agjendë të ngutshme rreth kësaj çështje”!?
Shkruan: Shkodran Ismaili;
Prishtina zyrtare mezi e vetëpërceptoi se duhet ta ketë këtë çështje “në agjendën” jozyrtare” deklarative për një “diasporë” të saj, ndërsa arena ndërkombëtare u “alarmua” gjithashtu me temën e mo(mentit)numentit të Luginës së Preshevës. Kështu edhe më tutje këta djem “të vdekur” po bëjnë më shumë se ne të gjallët! Duke i vëzhguar ngjarjet, proceset, deklaratat, të thënat e të pathënat rreth këtij fenomeni, na bëhet e ditur se këtu ka një cikë “koincidence apo koordinimi”, sikur lëvizja e figurave të shahut, qoftë të qëllimshme qoftë koincidentë ngjarjes e ndërlidhje zinxhirore të proceseve!?
Kërcënimet e kryeministrit Daçiq, përgjigjet e kryeministrit Thaçi, deklarimet e kryeministrit Berisha, deklaratat e shefit të diplomacisë shqiptare Panariti, ato të diasporës e liderëve tjerë shqiptarë, dhe në fund deklarimet e Zyrës së zonjës Ashton në Bruksel, diplomatëve në fuqi e të ish diplomatëve të cilët kanë qenë të përzier në këtë çështje në kohën e konfliktit të armatosur, të gjitha kanë kuptimin politik e diplomatik dhe duhet të vlerësohen, të dekodohen e të rishikohen. E habitshme është heshtja e madhe e ambasadorit të Shqipërisë në Beograd z. Shpëtim Çaushi, vetëm këtë ka kohë që nuk po arrij ta kuptoj aspak madje!
Kur kryeministri Daçiq e ndërlidhi çështjen e monumentit me mospjesëmarrjen në negociatat ndërshtetërore të dy kryeministrave, tashmë e bëri pjesë të precedentit negociator Kosovë-Serbi dhe në vazhdimësi të gjitha çështjet rreth këtyre dy fenomeneve mund të ndërlidhen mes vete!
Spektri politik në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë po shihet se është unik dhe njëzëri rreth kësaj çështje, ndërsa kryetari i Komunës së Preshevës z. Ragmi Mustafa në vazhdën e një demokracie të pjekur për këto çështje madhore e theksoi se “ do të jepte dorëheqje dhe do ta rishikojmë procesin kushtetues e institucional” të veprimit tonë në kuadër të strukturës administrative-kushtetuese të shtetit të Serbisë.
Ku është humbur hapi jonë në procesin e “organizimit politik” këtu në Luginë të Preshevës?
Hapi i madh dhe vendimtar është humbur në të quajturën “Marrëveshje/Kontratë politike të Konçulit” dhe në shumë çështje tjera të cilat këtu nuk e kanë vendin të thuhen. Atë botë, pala shqiptare të gjithë organizimin politik dhe të armatosur është dashur ta konstituton në atë marrëveshje:- hartimin e një Kornize Kontraktuale për inicimin e ndryshimeve kushtetuese të Republikës së Serbisë dhe mandej institucionalizimin më këtë marrëveshje të forcës politike dhe asaj ushtarake. Mirëpo, tashmë është shumë vonë dhe gjithçka është e mbaruar!?
Bashkësia ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë në përmirësimin e jetës ndëretnike, dhe për më shumë ajo mban një përgjegjësi të madhe, madje për të mos thënë kryesoren. Tensionimi i gjendjes së përgjithshme në këtë trevë është pasojë se asnjë nga mekanizmat institucional paskonfliktuoz siç ishin dy më kryesoret- Marrëveshja inekzistente e Konçulit dhe Trupi Koordinues nuk u treguan praktikisht të suksesshëm, andaj faktori ndërkombëtar vetëm e ka maskuar këtë problem dhe injoruar me zgjidhjet parciale që i ka bërë. Ai ka përdorur standarde jounike të dyllojta apo dyfishta për minoritetin shqiptarë këtu dhe në veri të Kosovës.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd e tha “qëndrimin” e saj-kjo është çështje e Serbisë dhe ajo duhet ta zgjidhet/zgjedhet me shqiptarët në jug, ndërsa ish diplomati austriak Petrish e tha se mo(menti)numenti është legjitim dhe se shqiptarët kanë të drejtë të kenë këso veprash për vlerat e tyre. Pra, këtu siç po duket nuk kemi një qëndrim unik të bashkësisë politike ndërkombëtare, mirëpo në ditët në vazhdim duke u afruar data e negociatave ndërshtetërore mund të kthjellohet edhe më shumë pamja politike.
Nuk ka dyshim se Lugina e Preshevës është duke i përjetuar vitet e 90-ta të Kosovës, me disa përjashtime natyrisht, ama pozita juridike-politike e saj është thuajse identike. Mo(menti) numenti i Luginës së Preshevës duhet të mbahet. Të gjitha zgjidhjet/zgjedhjet të cilat janë bërë në Ballkanin perëndimor që nga Marrëveshja e Dejtonit e deri më tash janë “afatmesme të përkohshme” dhe mekanizmat, marrëveshjet dhe zgjidhjet/zgjedhjet të cilat janë bërë deri më tash janë fenomene post-Dejtonit e që ka mundësi reale të rishikohen nga dyert e diplomacisë botërore.
Përfundimisht precedenti ballkanik-rajonal ndërmjet veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës/Kosovë Lindore duhet të ndodhë, prandaj në takimin e radhës më 17 të këtij muaji, kryeministri i Kosovës z. Thaçi duhet që homologut të tij Daçiq t’ia shpalos Platformën për shkëmbim territoresh, ose përndryshe zgjidhje e njëanshme për veriun autonomi, është e rrezikshme dhe luftënxitëse.
Prandaj, për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës, e sidomos për kryeministrin Thaçi, mo(menti)numenti është tashmë i duhur dhe në kohë.
(Autori është nga Presheva, qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale)
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!