Mjegulla e krijuar dhe dëshira për pushtet
"Jetojmë në një vend, ku formimi i Qeverisë zgjat më shumë se vetë jetëgjatësia e saj".Shkruan: Fatlum Q. Hetemi
Do të ishte krejt normale kjo mjegullnajë e krijuar nga partitë politike, të cilat morën besimin e qytetarëve për përfaqësim në Parlament.
Madje, do të ishte një vlerë e tepër e çmuar dhe e rëndësishme për ecurinë tonë si shtet i ri, ne perfeksionimin e demokracisë aq shumë të dëshiruar nga lidershipi jonë, nëse kjo mjegullnajë dhe kjo zgjatje e tepruar e formimit të institucioneve, do të ishte për hir të vlerave dhe për një mendësi, që para se gjithash do të na shërbente neve si qytetarë e më pastaj liderëve dhe partive politike.
Por, ç’po ndodh në realitet? Kemi këtë vullnet të krijuar nga këta “aktorë”- të më falin aktorët e vërtetë, se këtë herë përdorimi i këtij emri është vetëm në formë ironike-, tanimë të një shfaqje tragjedi-komedie? Sigurisht që jo! Dhe, a kemi marrëveshje parimore, tanimë nga të dyja taborët?
Sigurisht që jo! E ç’po na ofrojnë këta “aktorë”, sa herë të shëmtuar e sa herë qesharak. Asgjë, përpos një mendësi individualiste, karrieriste dhe lakmuese. Këta “aktorë”, po na tregojnë një herë e mirë, se qëllimet, fjalët dhe programet e tyre sa shumë të përfolura para zgjedhjeve janë veçse një fasadë, e cila ia mbulon djallëzinë, sepse në realitet, ata janë ndryshe, e që tanimë po i shohim. Secili për vete, madje bëjnë pazare edhe aty ku nuk ka çka të blihet.
Disa ia mbajnë si fitimtarë, në një palë zgjedhje kinse krejt demokratike në parim dhe në realitet krejt klienteliste. E disa, nga pamundësia për të qenë në një pozitë të tillë, mbyllin sytë dhe mund të bëjnë marrëveshje pesëparagrafësh, ku në secilin flitet për poste e për favore dhe në asnjërin nuk flitet për vlera dhe për të mirën e përgjithshme.
E në pjesën e këtij tabori, i cili ka në përbërje një ekip prej tri partive dhe në shumicën e rasteve ka një rezervë, e në këtë rast, lojtarin më të mirë e ka rezervë, mund të flitet shumë.
E shihni si sillen, gjithçka që kërkon lojtari i katër, e që në këtë rast i kërkon të gjitha në formë të shkruar e të nënshkruar, këtyre tjerave iu pengon, jo pse në realitet nuk janë të rëndësishme për fatin e Kosovës, por sepse që të tre lojtarët, bashkë me skuadrat e veta janë mësuar me një mendësi ku “premto çka të duash”, tekembramja, kjo është mënyra më e mirë e maskimit para qytetarëve. Prandaj, çdo ditë po shohim skena sa tragjike, aq edhe komike.
Roli i institucioneve të pavarura
S’ka dyshim që këtë mjegullnajë e krijojnë edhe institucionet tona të pavarura, sepse në realitet nuk janë të tillë dhe meqë nuk janë të tilla krijohen vazhdimisht situata të paqarta, ku secili mendon se e ka drejtë dhe në realitet asnjëri nuk është afër saj. Çka po ndodh me këto institucione, të cilat në realitet janë baza e një shtetit të së drejtës?
Si po sillen këto institucione përballë këtyre paqartësive dhe apo japin njëmend vendime të drejta dhe të paanshme. Sigurisht, lënë shumë për të dëshiruar.
Madje, kontributi i tyre në krijimin e këtyre paqartësive është thuajse i barabartë me “aktorët” e lartpërmendur, sepse afërsia e këtyre të fundit me njerëzit që drejtojnë këto institucione të pavarura janë të mëdha, saqë mund të thuhet se janë nënkryetarë indirekt të partive politike. Këto institucione veprojnë drejtë, vetëm atëherë kur si palë nuk është i përfshirë “hatri” i tyre, prandaj edhe ata vazhdimisht na thirren në pavarësinë e vet.
E çfarë duhet të bëjnë?
Ndoshta pak ka rëndësi mendimi im se çfarë duhet të bëjnë, por ama si një qytetar i këtij shteti më takon mua, por edhe të gjithëve, që në këtë situatë të krijuar të kontribuojmë nga pak, duke dhënë secili diçka nga vetja. Jo vetëm në këtë situatë, por në të gjitha situatat që kanë të bëjnë me të mirën e përgjithshme, sepse vetëm kështu mund të krijojmë një mendësi evropiane, ku e rëndësishme do jetë e përgjithshmja dhe jo individualja.
Është më se e ditur, se të gjithë “aktorët” kryesor tanimë e dinë çka duhet bërë për të qenë më afër BE-së, por vullneti politik po ju mungon, ngase kriteret që kërkon BE-ja kanë të bëjnë drejtpërdrejt me ta.
BE-ja iu kërkon qëndrueshmëri politike, drejtësi, luftimin e korrupsionit, ndjekjen dhe ndëshkimin e krimit të organizuar, reforma në administratë, ligj të implentuashëm- jo veç të shkruar- dhe shumë gjëra tjera, të cilat drejtpërdrejt në kushte normale dhe në zbatueshmërinë e përpiktë do të sjellin pa dyshim një Evropë në Kosovë.
Por, sa i duhet Evropa politikanëve tonë, mund të shihet vetëm me sjelljet e tyre jo-evropiane, sjellje që po na mbajnë peng neve qytetarëve të pafajshëm. Prandaj, para se të na flasin fjalë të mëdha për Evropën dhe të mirat që mund t’i kemi atje, “aktorët” tonë të sillen si evropian, të bëjnë politikë si evropian dhe t’i zbatojnë kriteret evropiane,- më shumë nuk kërkojmë.
Dhe, në fund sa më bën përshtypje dhe sa e aktuale është njëra ndër shumë thëniet e mëdha të Zh.Zh.Rusos: Në qoftë se lumturia e popullit është një pengesë për ambiciet e shefave, atëherë ky popull të mos shkojë me shpresë se një ditë mund të jetë i lumtur”.