Mjaft se na çmendët...!
Vështrime

Mjaft se na çmendët...!

16.Jan.2013 21:55
0
Na u mbush koka lapidar! Çdo shqiptar, në Luginë e rrethinë, zgjohet dhe bien me ankthin për fatin e rrezikuar të Lapidarit të lirisë. Beogradi ka bërë be që “o me qejf, o me zor”, me ligjet në fuqi, të rrënoj Lapidarin e dëshmorëve të kombit, ndërsa Prishtina, Tirana, Tetova dhe diaspora lëshojnë kushtrimin në mbrojtjen e monumentit me çdo çmim. Klasa politike shqiptaro-serbe, bënë gara me argumente e fakte se kush ka të drejtë më shumë rreth problemit të politizuar në ekstremitet. Pasojat e një politike megalomane, po i heq populli i Luginës, i cili mezi po ia del nga kriza e thellë ekonomike, e cila e ka mbërthyer vendin pamëshirshëm. Ditët e ftohta të janarit i kanë mbërthyer qytetarët rreth “koftorit” dhe “televizorit”, për të mësuar se a do të hiqet Lapidari, apo jo?! Çka do të ndodh me bisedimet në Bruksel?! Kush do të fitoj më së shumti nga këto lojëra politike?! Shkruan: Drilon Hyseni Drilon-Hyseni   Ultimatumi Ultimatumi për heqjen e Lapidarit ka skaduar. Nata e ftohtë e janarit, sjell misteret e errësirës. Lapidarin nuk e ruan askush. Ai qëndron krenar në Sheshin e Dëshmorëve përballë godinës së Kuvendit Komunal në Preshevë. Regjimi i Millosheviqit, i vrau trimat e lirisë të ish UÇPMB-së gjatë proceseve luftarake në Luginë, e tashti në paqe pushteti aktual i Beogradit po i vret për së dyti herë institucionalisht. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë po të njëjtën dhembje si atëherë kur ranë për të mos vdekur kurrë martirët e kombit, por edhe sot kur po provohet të preket në dinjitet përjetësia e gdhendur në pllakë mermeri. Shpirti i dëshmorëve të kombit, ka vënë në lëvizje parti e institucione, pushtete e qeveri, pa harruar as ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë dialog për të mos rënë në provim të civilizimit. Këtë sprovë po e sfidojnë të gjithë! Lapidari është vepër arti e jo vepër penale! Vetëm brenda dy jave, janë mbajtur disa seanca të jashtëzakonshme lokale dhe parlamentare si dhe janë nxjerrë dhjetëra konkluzione, deklarata politike, platforma e rezoluta. Po sikur këtyre seancave maratonike, tu shtohen takimet, bisedat, protestat, ultimatumet, lëvizjet e policisë e xhandarmërisë, pastaj skamja ekonomike dhe acari dimëror etj, me të gjitha këto, koka e shqiptarit të Luginës, peshon me tonelata. Zërat nëpër rrugët, sheshet, odat e Luginës, flasin me lutje: “Zot runa mentë!” Ultimatumet nga do që vijnë e nga do kush fshihet pas tyre, kanë një emër të keq. Njerëzit e këtij mileniumi të ri janë ngopur mjaft me hidhërim, dhunë dhe gjak. Populli i Luginës, si gjithë popujt e botës ka nevojë për paqe, ka nevojë për një jetë më të mirë, ka nevojë për liri qytetare dhe kombëtare. Çdo pëllëmbë toke në Luginë ka një histori, ashtu siç e ka edhe Lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së.   Dialogu  Dialogu është një proces i rëndësishëm shoqëror. Shqiptarët dhe serbet, si fqinj shekullor, duhet të mësohen të shikohen jo vetëm përmes grykës së pushkës, por edhe përmes dialogut, për çështjet e pazgjidhura politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shëndetësore etj. Kufijtë ndërshtetëror, dikur dhe sot, mes shqiptarëve dhe serbëve kanë shërbyer si mollë sherri, ato duhet ta humbin kuptimin klasik që kishin dikur. Brenda këtyre kufijve politikë, frymojnë vepra arti e jetëra njerëzish me përkatësi të ndryshme nacionale. Dallimet kulturore, fetare duhet të respektohen, por assesi nuk duhet të nxiten tensione ndëretnike. Ky mozaik i pasur kulturor, duhet të jetë një shembull i mirë për të dy popujt, të cilët gjatë historisë, jo pak kanë pasur përvoja të hidhura jetësore. Respektimi i të drejtave të njeriut, toleranca, promovimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore, duhet të jenë një nga parimet themelore të këtyre dy shteteve, të cilat kanë fatin politik dhe historik të jetojnë pranë njëri-tjetrit. (Autori është nga Bujanoci – qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale )
Realiteti i hidhur!
Lugina në ankth !
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration