Vështrime
Realiteti i hidhur!
Kam vizituar 47 shtete të botës, dhe kudo që kam qenë me krenari jam prezentuar që jam nga Kosova, edhe pse nuk jam shtetas i Kosovës se për të qenë i tillë, unë që jam nga Bujanoci, më nevoiten 500 euro=korrupsion për tu paisur me një pasaportë ose 2 vite pritje dhe zvarritje, ndërsa serbëve të Kosoves i jepen pasaporta falas + traktorë + nga një shtëpi nëse kanë nevojë.
Shkruan: Agon Ademi
Dhe në 47 shtetet që vizitova askund nuk më është dashur të paguaj për të hyrë në ato shtete, kurse kjo Kosova jonë e dashur neve nga Lugina ende na detyron të paguajmë 20 euro/për veturë për të vizituar familjarët në Kosovë, para të cilat derdhen për integrimin e veriut.
Ndërsa, serbët me targa GL- PR kalojnë pa problem, bile edhe mallra mund të kalojnë pa doganë deri në 3.5 ton. Kurse për neve as keqardhje nuk na shprehin, mbase kemi milionat nuk po e di!
Ra çështja e Lapidarit në Preshevë dhe pushtetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, kinse po i vjen keq, e shpërlanë gojën me thënje "Mos ma prekni Preshevën" apo "Serbia duhet të sillet në mënyrë Evropiane"...ore JU burra kur e keni ndërmend me u marrë me çështjen tonë, u bënë 13 vite nga lufta, ne ende po presim që do të na ndihmoni të pakten në arsim, të na pranoni studentët në universitetet e Kosovës, që të mos udhëtojmë në Tetovë, Shkup apo Tirane për shkakun tuaj.
Pres që JU të na financoni disa studentë dhe jo qeveria e Serbisë të na dergojë studentë falas në Novi Sad, sepse ndoshta atje synohet asimilimi... Dhe nëse nuk mund të na ndihmoni, të paktën mos na pengoni lëvizjen e lirë, mos na vendosni "barrikada" që duhet paguar 20 euro dhe të presim me orë të shumta për të kaluar "kufirin"...por merruni me barrikadat në veri, o ju BURRA!
Nuk po çuditem, burrëria po shihet edhe në flamurin e Kosovës që ka 6 yje me madhësi të barabartë: shqipëtare, serbe, turke, ashkalie, rome, egjiptiane...atyre po i vendosni edhe yje në flamuj kurse neve barrikada. FALEMINDERIT, vëllezër...po rrisni "5 fëmijë" të huaj, kurse Luginën po e leni jetim, pa nënën Kosovë dhe pa babën Shqipëri.
Sa për rikujtesë, prindi im më ka treguar se në vitet e 90-ta Lugina u dallua në cështjen humanitare për Kosovën, duke ndarë kafshatën e fundit të gojës për skamnorët në Kosovë; i ndihmuan xehetarët që u larguan nga puna, ndihmuan në veçanti banorët e Shalës dhe Bajgorës; kishin aksionin "Familja ndihmon Familjen"; mërgimtaret tanë ndihmuan UÇK-në me ndihma materiale; në momentet më të veshtira strehuam shumë familje nga Gjilani, Kamenica dhe Prishtina.
Ishte koha e luftës, shumë bashkvendas të mi nga Bujanoci e Presheva ishin pjesë e UÇK-së, mbase donin të flijoheshin për Kosovën Republikë, dhe sot ku është Kosova për Luginen, KU, nuk po e shoh?!
Eh sikur të kisha një "shkop magjik", por a do të më mjaftonte vetëm 1 shkop i tillë?!
(Autori është nga Tërnoci, i diplomuar në Master të gjuhës Angleze– qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale )
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!