Hyseni: Me poezi greh shqetësimet për Medvegjën
Lokale

Hyseni: Me poezi greh shqetësimet për Medvegjën

27.Aug.2017 20:14
0
I pyetur nga gazeta "Epoka e re" prej nga gjithë këtë vullnet për të shkruar poezi, Rrahman Hyseni është përgjigjur se po përpiqet të dëshmojë se Kosova Lindore, në veçanti Medvegja, ka njerëz të artit të cilët ia duan të mirën kësaj krahine shqiptare.

“Nëpërmjet poezive përpiqem ta ngreh shqetësimin tim për atë që po ngjet në Kosovën Lindore. Me një fjalë, poezia për mua është notë proteste ndaj dhimbjes dhe padrejtësive që u janë bërë dhe vazhdojnë t’u bëhen shqiptarëve në këtë krahinë shqiptare”, ka thënë Hyseni.

Poeti Rrahman Hyseni kishte filluar të shkruante poezi në moshë shumë të hershme. Ai këto poezi i ruante me shumë dashuri dhe fanatizëm, sepse frikësohej se do t’i humbnin. Ato dorëshkrime dhe sot i ruan me shumë xhelozi në sirtarin e tij. Edhe pse shumica nga ato janë të botuara, Hyseni ka thënë se poezitë në dorëshkrim i ruan për faktin se për të e dokumentojnë një periudhë të artë. I pyetur nga gazeta “Epoka e re” prej nga gjithë këtë vullnet për të shkruar poezi, Hyseni është përgjigjur se po mundohet të dëshmojë se Kosova Lindore, në veçanti Medvegja, ka njerëz të artit të cilët ia duan të mirën kësaj krahine shqiptare. “Nëpërmjet poezive përpiqem ta ngreh shqetësimin tim për atë që po ngjet në Kosovën Lindore. Me një fjalë, poezia për mua është notë proteste ndaj dhimbjes dhe padrejtësive që u janë bërë dhe vazhdojnë t’u bëhen shqiptarëve në këtë krahinë shqiptare”, ka thënë Hyseni.

Ndonëse i keni ruajtur me shumë xhelozi këto poezi në dorëshkrim, si ndjeheni tani kur i hapni dhe çfarë keni trajtuar në to?

Hyseni: Në momentin e hapjes së shkrimeve ndjej nostalgji të veçantë, ngaqë për një moment më rikthejnë në kohën dhe në çastet kur më janë bërë shumë padrejtësi mua dhe bashkëmoshatarëve të asaj krahine. Nga rrugëtimi në kohë vërehet qartë se brez pas brezi ajo padrejtësi është ushqyer dhe përcillet dhe sot, por jetojmë me shpresë se një ditë do ta gjejmë një rrugë dhe t’i themi stop! Mandej më rikujtojnë dashurinë e një fëmije në krahët e nënës, të cilën e konsideroj të pakrahasueshme dhe të pavdekshme. Momente të pakthyeshme që nganjëherë them: Eh sikur të isha në atë kohë!

Përse shkruani?

Hyseni: Shkruaj sepse kam lindur që të shkruaj. Asnjë njeri nuk mund të shkruajë nëse i imponohet të shkruajë. Ndoshta në një mënyrë mund “të thur vargje”, por pa efekt. Andaj unë mendoj se te secili shkrimtar dhe poet është burimi shpirtëror ai që e shtyn drejt shkrimit. Nga frymëzimi nxjerr në pah atë që ndjej. Më së miri shkruaj vetëm atëherë kur frymëzimi më vjen spontanisht. Me ikjen e atij çasti s'mund të kthehem mbrapa dhe të shkruaj në asnjë mënyrë.

Kur keni dalë me librin e parë para lexuesve?

Hyseni: Për herë të parë në vitin 2010 me librin “Vargje nga zemra”, i cili është pritur shumë mirë nga lexuesit. Libri përmban poezi të ndryshme rreth jetës sociale, siç e ceka dhe më parë, të përmbledhura që nga koha kur isha nxënës në shkollën fillore.

Si je ndier kur libri erdhi në duart tuaja?

Hyseni: Në vitin 2003 ishte dëshira ime që libri im të shfaqej para lexuesve, mirëpo për arsye të ndryshme nuk arrita edhe shtatë vjet të tjera. Në momentin kur e mora në duar, për mua një ëndërr e shumëpritur ishte krejtësisht e realizuar. Për mua ishte një nga çastet më të veçanta në jetë.

Ky ishte libri juaj i parë, por jo dhe i fundit. Na flisni edhe për librat e tjerë me radhë?

Hyseni: Librat e tjerë radhazi janë: “Lule me vesë”, i cili përcolli mesazhe të shumta te lexuesit dhe ishte mjaft i pëlqyer. Të dy librat e lartpërmendur u promovuan në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Libri i tretë me radhë dhe i pari me përkushtime poetike ishte “Faqeve të pavdekësisë” kushtuar mësuesit dhe atdhetarit Bafti Krasniqi. Ky libër u promovua në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” dhe u ripromovua në Fully të Zvicrës nga Shoqata Humanitare “Medvegja”.

A kishte pjesëmarrës nga trevat shqiptare në këtë promovim?

Hyseni: Numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh nga të gjitha trevat shqiptare. Mirëpo kishte dhe të shumtë të cilët, në pamundësi të ishin të pranishëm për shkaqe subjektive, vazhdimisht ishin me ne. Libri i radhës ishte “Nën hijen e ëndrrës”, dëshmi e vullnetit tim dhe punës sime të palodhshme për ta shfaqur identitetin tim në botën e krijimtarisë letrare. Ky libër u promovua nga LSHA, Kukës.

Një përkushtim tjetër poetik ishte për dëshmorin Florim Rushitin-Kingji, i rënë në Pashtrik. Brenda librit shfaqet vepra e dëshmorit, heroizmi i tij, rënia e tij, mënyra se si e kujtojnë shokët, si e pritën familjarët lajmin për rënien e birit, si e mbajnë mend dhe sot, mbi të gjitha mospajtimin e nënës me rënien e të birit. Me rastin e promovimit të këtij libri në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, e gjithë salla ishte plot e përplot e stërmbushur, madje kishte mysafirë edhe jashtë sallës. Padyshim një falënderim shkon për të gjithë ata të cilët e madhështuan promovimin dhe nderuan veprën e dëshmorit dhe respektuan punën dhe detyrën time karshi heroizmit të Florimit. Falënderoj dhe familjen Rushiti për përkrahjen e çmueshme. Së fundi, por jo e fundit, në librari mund ta gjeni dhe librin “Zërat shpirtërorë nga Medvegja”. Në këtë libër kam bërë një hap, të cilin ia kam premtuar vetes karshi nxënësve të asaj krahine nga e cila rrjedh unë dhe familja ime. Nxënësit talentë të pazbuluar nga Medvegja për herë të parë kishin mundësinë që shkrimet e tyre t’i botonin në këtë libër. Këtë mundësi e shfrytëzuan mjaft mirë dhe brenda librit vërehet kapaciteti, dëshira dhe vullneti i tyre për të folur zëshëm shqip dhe për ta shfaqur atë që ndiejnë brenda vetes.

Sa ju përkrahin gazetat dhe portalet?

Hyseni: Ngaqë çdo hap timin në letërsi e përcjellin me shumë vëmendje dhe çdo shkrim imi botohet falë interesimit dhe vlerësimit që kanë karshi shkrimeve të mia. Për këtë i falënderoj të gjitha gazetat për gjithë hapësirën që më kanë krijuar. Prania ime është edhe në libra antologji. Vetëm këtë vit janë botuar mbi 15 libra, në të cilat jam me poezi e, po ashtu, i kam marrë mbi 20 mirënjohje dhe çmime për poezi. Në veçanti, nga modestia do ta përmend vetëm çmimin e parë për vargjet kushtuar nënës vetëm 12 ditë pasi ajo iku në amshim.

Ndonëse familja është faktori më i rëndësishëm, si qëndron ajo në raport me krijimtarinë tuaj?

Hyseni:Familja gjithmonë ka qenë shtytja dhe motivi im kryesor në të gjitha synimet e mia në jetë. I falënderoj ata për çdo përkrahje dhe motiv që më kanë dhuruar që unë të arrij këtu ku jam dhe të vazhdoj tutje me shumë vullnet dhe përkushtim.

Cili do ishte mesazhi juaj për të rinjtë që shkruajnë dhe a keni ndonjë projekt për të ardhmen, kuptohet në botën e letërsisë?

Hyseni: Të gjithë ata të rinj që shkruajnë u dëshiroj shumë suksese dhe do t’i kisha këshilluar për një gjë. Pavarësisht që përkrahja ndaj tyre është minimale, mos t’i humbin shpresat dhe vullnetin, sepse do të vijë një ditë kur edhe ata do ta gëzojnë mundësinë që ta bëjnë përmbledhjen e shkrimeve të tyre duke botuar librin e tyre të shumëpritur. Unë nuk do të ndalem. Do të vazhdoj t’i përkrah në çfarëdo mënyre vetëm e vetëm që ëndrrat e tyre të realizohen. Sa iu përket projekteve në të ardhmen, nuk dua të ekzagjeroj, por vetëm ta potencoj se jam në përgatitje të një romani brenda të cilit shfaqet një ngjarje, e cila ka një mesazh shumë të fuqishëm. Për më tepër do ta keni rastin ta lexoni pas përfundimit.

Jehona Topanica- Epoka e re

 

 

 

 

 

Rrahman Hyseni

NËNË

Për ty i flas tokës

E Zotit për dhimbjen që kam

Për mungesën në ditët më radhë

Për ty o Nënë kam shume mall.

U mësova bashkë me ty nënë

E thosha se bota pa ty s'ka vlerë

Unë jam biri yt, krenohesha gjithmonë

Nënë, për ty dhimbje ndjej.

Duke qarë linda në prehrin tënd

E sot po duke qarë më le

Sot nënë qaj mbi varrin tënd

Në jetë s'kishte ndarje më të rëndë.

Netët sjellin tash ftohtësinë

E ditët prapë freskojnë pikëllimin

Nga zemra nënë nuk të nxjerrë

Se shuan largësia dashurinë.

Hallall nënë mundin ti ma bëj

Se nuk bëra unë gjithçka për ty

Ti më dhe shpirt nga shpirti yt

E shpirti yt u prehtë i qetë në përjetësi

(Ka marrë çmimin e parë në Orën Letrare për Çamërinë, Sarandë)

Rrahman Hyseni

FLI, BIR I NËNËS

Në shtratin e shtruar si mbulesë iliro-dardane

Në këtë kullë të trashëguar

Fli me ninullat e nënëlokes shqiptare

Bir i nënës fli.

Kur dielli në Medvegjë të perëndojë

E të çmallesh me harkun e hënës

Dhe ylli në atë kaltërsi të ndriçojë

Fli i qetë, o bir i nënës.

Bir i nënës, fli

Ëndërroji Preshevën, Medvegjën e Bujanocin

Ëndërroje dhe Kosovën të bashkuar me to në liri

Ëndërroji të gjitha në një nënë-Shqipëri.

Bir i nënës, fli

Kur gjinkallat ta prishin gjumin

S’e bezdis ti nënën kurrë

Vjen prapë nëna e të vë në gjumë.

Bir i nënës, fli

Fli në prehrin e nënëlokes

Mos më ik si pëllumb nga dora

Gjakatarët ta ndërruan shtratin

Në mes të rrugës ta ndalën hapin.

Bir i nënës, fli

Fli atje në malet e Pashtrikut

Në mes lulëkuqeve të Kosovës

Fli i qetë, biri i nënës

Atje ku ta ndiejmë ende aromën e gjakut.

Bir i nënës, fli në Prizrenin e lashtësisë

Nga Medvegja ke të fala

Një kurorë mbi shtratin e përjetësisë

Një pikë loti nga të gjitha trojet e shqiptarisë.

(Poezi kushtuar Florim Rushitit - “Kingjit”)

 

 
Gjelbrim Taipi, lojtar i ri në përfaqësuesen e Kosovës
Bujanoci fillon regjistrimin e diasporës online
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration