Politika, shkak i dështimit të privatizimit në Luginë! (Video)
Lokale

Politika, shkak i dështimit të privatizimit në Luginë! (Video)

24.Jul.2015 08:56
0
Në komunën e Bujanocit janë rreth 15 ndërmarrje shtetërore që në një kohë kanë punësuar mbi gjashtë mijë punëtorë dhe prej tyre vetëm fabrika e njohur e ujit mineral "Heba" është privatizuar plotësisht

Në Sebi në vitin 2001 është themeluar Agjencia për Privatizim, institucion përgjegjës për zbatimin e privatizimit, në bazë të Ligjit mbi privatizimin. Por, privatizimi ka filluar shumë më herët, para më shumë se 20 viteve, ndërsa në komunat e Bujanocit dhe Preshevës shumica e ndërmarrjeve shoqërore ende nuk janë privatizuar. Disa janë me vite të tëra në fazën e privatizimit, disa punojnë vetëm me numër simbolik të punëtorëve e disa kanë falimentuar plotësisht.

Vetëm në komunën e Bujanocit janë rreth 15 ndërmarrje shtetërore që në një kohë kanë punësuar mbi gjashtë mijë punëtorë. Prej tyre, është privatizuar vetëm fabrika për prodhimin e ujit mineral “Heba” dhe një pjesë e fabrikës së materialit ndërtimor “Integral”.

“Procesi i privatizimit në komunat e Bujanocit dhe Preshevës është një çështje shumë delikate, e cila kurrë nuk ka përfunduar deri në fund, edhe pse procesi i privatizimit në Serbi ka filluar në fund të viteve të 90-ta”, thotë për Titullin, Nexhat Behluli, bashkëpunëtor profesional i Agjencisë për Privatizim.

Sipas fjalëve të tij, ky proces mund të quhet i dështuar, dhe arsyet janë politike.

“Definitivisht procesi i privatizimit në komunat ku jetojnë shqiptarët ka pasur ndërhyrje nga ana e politikës. Mund të thuhet se ky proces është i dështuar për shkak të prapavijës apo tendencave politike, ku kryesisht agjencia për privatizim ka pasur informacione se blerësit potencial për ndërmarrjet shoqërore janë shqiptarë dhe me metoda të ndryshme agjencia dhe ministria e ekonomisë e kanë penguar atë. Edhe pse disa herë për disa ndërmarrje ka pasur të shpallur auksione apo shpallje publike në momentin e fundit janë tërhequr nga privatizimi për të mos pasur qasje shqiptarët për të blerë ndërmarrjet shoqërore. Me këtë metodologji agjencia dhe ministria e ekonomisë e kanë shkatërruar ekonominë këtu”, thotë Behluli, i cili përmend rastet kur për Industrinë e Duhanit në Bujanoc dhe Banjën e Bujanocit janë paraqitur blerës potencial shqiptarë për t’i blerë agjencia për privatizim ka ndryshuar kushtet apo ka hequr plotësisht ndërmarrjet nga procesi i privatizimit.

Edhe Ejup Haziri, kryetar i Unionit të Afaristëve të Preshevës thotë se ky proces në këto komuna ka dështuar.

 “Ky proces ka pasur shumë të meta, shumë mangësi. Disa ndërmarrje janë blerë, disa janë shkatërruar, disa janë plaçkitur, tek disa diçka është investuar, por në përgjithësi është bërë një privatizim që nuk është ideuar si i tillë. Ne e dijmë mirë se ato ndërmarrje para një kohe kanë punësuar një numër të konsiderushëm të punëtorëve, kanë qenë me mijëra punëtorë të punësuar. Nga ai numër kanë mbetur një numër simbolik”, thotë Haziri.

Nga kjo gjendje me ndërmarrje të falimentuara dhe të plaçkitura, siç thotë  Haziri, më së shumti kanë pësuar punëtorët.

“Disa ndërmarrje kanë falimentuar pothuajse tërësisht, disa janë me aq humbje të mëdha saqë nuk vlen as të investohët në to. Në disa ka privatizime që kanë dhënë rezultate, por më fatkeqe është se një numër i caktuar i ndërmarrjeve shoqërore me bindje të plotë po e them se janë plaçkitur. Më së keqi e kanë pësuar punëtorët në radhë të parë”, thotë ai.

Qenan Fejzullahu, 54 vjeçar nga Tërnoci, ka punuar 13 vite në fabrikën e gomës, plastikës dhe këpucëve “Gumoplastika” në Bujanoc. Ai thotë prej vitit 1997 nuk punon, pasi i është thënë se “Gumoplastika” ka falimentuar.

“Kam punuar në Gumoplastikë 13 vite, në vitin 1984 jam punësuar. Pas 13 viteve na kanë thënë firma po shkon në falimentim dhe na kanë dërguar në ent për punësim. Enti na ka paguar sipas stazhit, mua me 13 vitë përvojë më kanë paguar një vit”, thotë Fejzullahu.

Për Gumoplastikën, Nexhat Behluli thotë se ka qenë një gjigant i kësaj ane me mbi 800 të punësuar në kohërat më të mira. Ai thotë se për këtë ndërmarrje ka pasur blerës të interesuar nga Italia e Turqia, por shteti me një metodologji perfide e ka penguar privatizimin derisa e ka sjell këtë ndërmarrje në gjendjen aktuale, me rreth 50 deri në 100 punëtorë, varësisht prej sezonit, që punëojnë vetëm në repartin e këpucëve në Klenikë.

Por, edhe kur këto ndërmarrje kanë pasur maksimumin e punëtorëve, numri i të punësuarëve shqiptarë nuk ka qenë aq i madh.

“Ne kemi qenë rreth 30 shqiptarë të punësuar në kohën kur unë kam punuar në Gumoplastikë”, thotë ish punëtori i kësaj kompanie, Qenan Fejzullahu.

Ai pas largimit nga Gumoplastika ka mbajtur familjen e tij gjashtë anëtarëshe me punë krahu,dhe me kultivim të duhanit.

Edhe Burhan Ismaili nga fshati Tërnoc është një ish punëtor i ndërmarrjeve shoqërore. Ai ka punuar për tre vite në ish thertoren “Jugokop” në Bujanoc, e cila në një kohë ka punësuar deri në 200 punëtorë.

“Para viteve të 90-ta kam punuar për tre vite në Jugokop. Ka qenë punë e vështirë edhe pagat në këtë kohë nuk ishin aq të mira, por jeta e bën të veten. Më pas drejtoria e atëhershme në thertore sollën mish të derrit dhe aktuale ishte politika me Kosovën, dhunshëm na sollën në pozitë të vendosim, dëshiron apo jo të punosh dhe vendosa të tërhiqem”, thotë Ismaili.

Pas largimit nga Jugokopi, Ismaili, baba i tre fëmijëve, thotë se ka qenë dy vite në perëndim e më pas me vështirësi e ka mbajtur familjen duke punuar bujqësi.

“Ka raste edhe kur një ndërmarrje është privatizuar, por në rrethin e parë e ka blerë një biznesmen nga brendësia e Serbisë”, thotë Nexhat Behluli.

“Fabrikën e materialit ndërtimor ‘Integral’ e ka blerë në vitin 2005 një biznismen nga brendësia e Serbisë, i cili nuk ka pasur lidhje me këtë veprimtari, dhe më pas e ka ndryshuar veprimtarinë dhe e ka shitur pjesë – pjesë ashtu siç e ka kërkuar tregu”, thotë ai.

 “Këtij procesi duhet t’i qasemi në mënyrë më serioze dhe më të organizuar sepse pronat i kemi këtu, në vendin tonë. Kur disponojmë me këto prona mund të hapen rrugë për investime nga jashtë pasi mund t’i ofrojmë investitorëve të huaj këti prona”, thotë bashkëpunëtori profesional i Agjencisë për privatizim, Nexhat Behluli.

Me këtë gjendje të ish ndërmarrjeve shoqërore dhe pa investime të huaja, komunat e Bujanocit dhe Preshevës hyjnë në radhën e komunave më të pazhvilluara të Serbisë dhe me shkallë të lartë të papunësisë.

Mbetet të shihet në të ardhmen se çfarë do të bëhet me punësimin, me ndërmarrjet që janë në privatizim dhe sa do të bëhet për zhvillimin ekonomik të rajonit, i cili është premtuar shpeshë si nga pushtetet lokale, ashtu edhe nga përfaqësuesit qeveritar. /Titulli.com/ 

VIDEO

 

Pacolli: Serbia prishi marrëveshjen për lëvizjen e lirë, ndërkombëtarët duhet të reagojnë
Në Medvegjë organizohen martesa grupore, të interesuarit të paraqiten deri më 31 korrik
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration