Vështrime
Pse shajnë shqiptarët ?
A kanë Shqipëria dhe Kosova ndonjë grua a burrë të madh sot, të angazhuar shoqërisht e politikisht apo ndonjë ekspert a profesor, shkrimtar a gazetar, i cili meriton të lëvdohet, apo që të gjithë dhe nga të gjithë e në të gjitha kohërat shahen? Ky shkrim koincidon me 100 vjet Shqipni – 100 vjet vetmi. Pse?
Nga Halil Matoshi
Pse kaq shumë sharje mes shqiptarësh?
Pse ata i bien në qafë tjetrit kot, vetëm pse u teket?
Xhelozi e smirë, dashakeqësi e mujshi apo urrejtje patologjike?
Tek sheh njeriu, tërë periudhën e pasluftës në Kosovë që s’mbet grua as burrë i mirë e i ndershëm dhe as profesionist i mirë, por të gjithë për të gjithë u shndërruan në “të shitur” e “tradhtarë”, “kopukë” e “banditë”, “jugonostalgjikë e serbofilë”, “UDB-asha e SHIK-ovca”, “komunistë”, “skizofrenë”, “të sëmurë mentalë”, ”të paaftë e injorantë”, “për Shtimje” etj. e sheh se shqiptarët në këtë stadium të zhvillimit shoqëror janë totalisht të degraduar intelektualisht dhe moralisht.
Nën torturën e stresit post-traumatik, kjo është psikosomatika e frymës së kohës.
Këto konstruksione nga përdorimi i dendur nga ana e partive politike kundër kundërshtarëve politikë, në luftën e paskrupull për pushtet, ngadalë ka zbritur tek populli.
Nuk kalon asnjë debat, ose diskutim për çfarëdo çështjesh shoqërore që tjetri, kundërshtari i qenë ose i pandehur si i tillë, t’i ketë shtruar argumentet e veta kundër pa e degraduar muhabetin në sulm ad hominem. Kjo shihet gjithandej, në gazeta e portale informative dhe rrjete sociale (në këto të fundit sidomos) por të thuash të gjitha debatet kalojnë në paragjykime për tjetrin, ose sharje të pështira që i shprehin jo autorët që hapin një debat, por vetë folësit (komentuesit) që vuajnë nga ky mallkim historik shqiptar, për t’i ngritur maskarenjtë te retë, e për t’i ulur heronjtë e vërtetë te pluhuri.
Shumica e shqiptarëve kanë harruar se dikush ua mësoi shkronjat, nëse fare i kanë mësuar!?
Se dikush i mori për dore për të bërë udhët duke ecur, se dikush bëri letërsi për ta, ua lartësoi atdheun, gjuhën…
Se dikush u fali një buzëqeshje a një ‘tung’?
E dikush kujdeset për shëndetin e tyre mental e moral!
A mund të rrinë kot shqiptarët e të mos shajnë kot?
Tjetri për shumicën e shqiptarëve është armiku, ose edhe ma zi djalli vetë.
Rrahagjoksave të tjerët që u duken se nuk janë si ata, që u duken më ndryshe, ose thjesht s’u duken shqiptarë fare, ngase shqiptarizma e tyre arrin deri në fund të mëhallës së tyre, kur u del boja, se nuk janë kurrkush.
Të menduarit dhe të shkruarit e diferencuar është problem në mendësinë shqiptare, sepse në këtë mendësi po qe se njëherë ke kritikuar dikë, atë nuk duhet amnistuar kurrë, pra edhe atëherë kur ka të drejtë.
E mendimtari i urtë është i lumtur kur tjetri ka të drejtë!
Mirëpo, në debatin demokratik, këtë diferencim të mendimit do të duhej ta bënin së pari dijetarët, ata që tradicionalisht u thuhet intelektualë, e të cilët, aktualisht në Kosovë janë heshtur.
Po cili është roli i intelektualit shoqërisht të angazhuar dhe kush është ai?
“Ai tip që përzihet në punët e huaja”, ky është definicioni më popullor, të thuash sentencial, për intelektualin sovjetizues, i filozofit ekzistencialist Jean-Paule Sartre.
Sipas një francezi tjetër, filozofit Bernard Henri Levy, intelektuali është vetë debati. Njeriu i debatit të hapur që u shmanget spektakleve të kitsch-nacionalizmit, përjashtimit të tjetrit/të tjerëve dhe që i kundërvihet zhvendosjes së njeriut nga politika në bio-politikë, e që angazhohet për balancimin e dinjitetit (jo të frikës.)
Kosova është shtet pa ose me fusnotë* dhe me ose pa republikë, pavarësisht nga Serbia dhe bisedimet me të, përderisa është njohur si shtet i pavarur nga demokracitë më të fuqishme botërore dhe ka sistem politik republikan.
Ambientin politik po e ndotin veçmas partitë që veten e marrin si revolucionare. Që sillen me fodullëk, si ta kishin dëgjuar thirrjen hyjnore për t’ua thënë pjesës tjetër të kombit të vërtetat përfundimtare!?
Problemet e vjetra me Serbinë po manipulohen nga të dyja palët, edhe nga PDK-ja në pushtet edhe nga lëvizja VV në opozitë.
Deri sa VV-ja e akuzon Qeverinë se po mbahet gjallë nga Serbia dhe “me Serbinë”, kjo lëvizje pothuajse tërë performancën e saj në Kuvend dhe jashtë tij po e ideon dhe realizon “kundër Serbisë”.
E, sikur të mos ekzistonte një armik rezervë, ose i fabrikuar?
Atëherë do të dilnin në pah vetëm idetë kreative dhe veprat e mëdha e të përbashkëta në shoqëri…
“Me ta shitur parullën se “Hashimi po e mbron shtetin –Albini po e shkatërron”, brenda e jashtë, kjo Qeveri jo që nuk tronditet, por po fuqizohet, duke marrë njëfarë legjitimiteti së pari nga opozita tjetër parlamentare, e pastaj edhe nga BE-ja dhe ShBA-ja.
Kjo ka për t’u vërtetuar shumë shpejt, kur sekretarja amerikane e Shtetit, Clinton, së bashku me damën e parë evropiane, Baroneshën Ashton, do të vijnë në Prishtinë për t’ia rrahur supet kryeministrit për “punën e shkëlqyer”!?
Ky pasus nga kolumna ime e tre javësh më parë, u bë shkas që anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes VV të më paragjykojnë si “Thaçist” ose të më gozhdojnë si “gazetar proqeveritar.”
Po çfarë ndodhi një javë më pas?
Erdhi Hillary Clinton në Prishtinë, më 31 tetor 2012, dhe tha: “Nuk jam e sigurt nëse ndonjë popull ka bërë aq shumë progres në një periudhë kaq të shkurtër si Kosova. Dialogu është esencial, ky siguron një rrugë të prosperitetit afatgjatë. Ne po punojmë bashkërisht me Bashkimin Evropian në këtë drejtim, dhe unë dua që personalisht ta përshëndes kryeministrin Thaçi, që ka marrë guximin politik për takimin me kryeministrin Daçiq në Bruksel. Ky ka qenë një veprim i guximshëm”.
Pse nuk u ngritën këta tipat e lëvizjes VV t’i thoshin sekretares së Shtetit që na qenkësh “thaçiste” ose ta gozhdonin edhe atë në kryqin e antishqiptarizmës?
Ne që mendojmë dhe shkruajmë për shqiptarët, vërtet jemi të gozhduar e të mallkuar në kryqin e kundërthënieve shqiptare, siç shkruante Faik Konica këtu e 112 vjet më parë!
Faik Konica boton në të përkohshmen “Albania” më 15 shtator 1901, këshillat për një djalë që kish ndërmend të botonte një gazetë shqip në Misir: “I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është “çervish”.
Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s’qënke shqiptarë i vërtetë.
Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë.(…)”
Vërtetë, të gjitha këto komente i kam provuar në lëkurën time dhe nuk më kanë mbushur zemërim.
Ndonjëherë zhgënjim po…
Këso kundërshtish me çdo kusht, përdoren për konsum të brendshëm politik, në suaza të luftës për pushtet, në dy shtetet përkatëse, që mëtojnë ta fshehin mjerimin ekonomik dhe kulturor e social, të dy shoqërive të zëna peng brenda kontekstit të armiqësive historike, ato megjithatë shterin energjitë qytetare, përçajnë kombin dhe ndjellin katastrofa të reja.
Petrick Wilson, autor i serisë televizive «Lufta për demokraci», shkruante se demokraci do të thotë komunikim: njerëz që bisedojnë me njëri-tjetrin për shqetësimet e përbashkëta e që ndërtojnë të ardhmen e tyre. Përpara se të mund të qeverisen, njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehen. Shtetasit e një vendi demokratik janë të bindur se nëpërmjet shkëmbimit të lirë të ideve dhe mendimeve, e vërteta triumfon mbi gënjeshtrën, vlerat e të tjerëve çmohen më mirë, zonat e kompromisit përcaktohen më saktë dhe rruga drejt përparimit hapet. Sa më i madh të jetë vëllimi i këtyre shkëmbimeve, dhe kritikave edhe ndaj qeverisjes, aq më mirë!
E gjithë kjo situatë do të duhej të shërbente si levë për të nisur një debat më të gjerë për një strategji të një rilindjeje të re shpirtërore e qytetare ndër shqiptarët si dhe për hir të bashkëpunimit mes dy shteteve, për hir të brezave, sepse kombi, ky është vetë debati demokratik.
Giovani Sartori thotë se atje ku ekziston frikësimi, ku, po te shmangesh prej ortodoksisë mbizotëruese, të shpallin armik (në mos të lënë fare mënjanë), liria e shprehjes ngurtësohet dhe, rrjedhimisht, shtrembërohet edhe vetë liria e mendimit.
Duke përjashtuar ndonjë hero të vetmuar, kush trembet të thotë atë që mendon, arrin të mos mendojë më atë që s’mund ta thotë.
Ne duhet t’i qartësojmë gjerat, t’i themi hapur ato e pastaj të ushtrojmë për të falur.
Pra të falim – për hir të idealit të shpresës.
Kosovarët duhet ta ndërtojnë një shoqëri të hapur, të debatit, sepse të gjitha vlerat janë të debatueshme, pos krimeve që kurrë nuk mund të marrin dënimin meritor, qofshin ato të nazifashizmit apo të komunizmit, qofshin ato të sionizmit apo islamit politik.
Vetëm duke falur dhe duke parë e nxjerrë në pah anët e mira të armikut, kosovarët mund t’i përafrohen idealit veprues të demokracisë pa armiq (Giovani Sartori).
Këta njerëz që shajnë shqip me gojën që u mban erë, vetes po ia shterin energjitë kot, ndërsa të tjerët përpiqen t’i destabilizojnë, ose thjesht të mos i lënë të mendojnë fare!?
Shqiptarët e vazhdojnë festën duke u sharë mes vete: 100 vjet Shqipëri – në vetmi! /Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!