Vështrime
Nuk duhet t’i hidhet vaj-zjarrit!
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërrnava me stafin e tij, këto ditë ka qëndruar në Preshevë dhe Bujanoc, kinse për t’i “bashkuar hoxhallarët” në një bashkësi fetare të vetëm me atë të Sanxhakut e të Serbisë .
Shkruan: Isuf Bajrami
Bashkësia Islame e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, nuk duhet t’i organizoj zgjedhjet e këtij institucioni fetar, në Luginën e Preshevës të cilat priten të mbahen më 19 janarë në Komunën e Preshevës. Sepse këtë privilegj BIK, që gëzonte dikur, tani nuk e ka më, meqenëse Serbia, akoma nuk e njeh Kosovën dhe institucionet e saj, qoftë edhe ato fetare.
Vizita e Naim Tërrnavës në Luginë, ka ngjallur reagime jo vetëm te qarqet fetare, por edhe te ato politike. Si është e mundur Naimi të loboj për unifikimin e klerikëve fetarë, kur ai, jo shumë larg i përçau ata i bëri pikë e pesë.
Është një karakteristikë si në të kaluarën si tani, vjen e shkon në Luginë si në “bahçe të babës” e askush nuk e shqetëson. Për dallim nga personalitetet e tjera kosovare, të cilët u patën penguar të hyjnë në Luginë nga autoritete e pikave kufitare, siç ishte rasti edhe me ministrinë e diasporës Ibrahim Makolli. Të gjithë s’janë lejuar të hyjnë në Luginë, në cilësinë e personave zyrtarë, por vetëm si qytetarë të Serbisë. E Naimit, nuk i pengon mënyra e qarkullimit qoftë edhe si qytetar i Serbisë, me rëndësi për të është të mbaroj punë.
Në kohën kur po bisedohet në Beograd rreth Platformës së Kosovën dhe kthimin e rezolutës 1244, Naimi është i pari që e fuqizon një tendencë të tillë dhe për këto veprime pesë pare nuk i jep.
Veprimet e çuditshme të kryetarit të BIK-së , po i dëmtojnë edhe proceset dialoguese Prishtinë-Beograd, të cilat veprime ndokujt nga qarqet politike edhe po i shkojnë për shtati, duke gjuajtur topin nga ato politike në tabor të organizimit fetar.
Beogradit këto organizime i shkojnë për interes, meqë duke lejuar një veprim shumë të vogël në Luginë, Serbia po e shkëput veriun e Kosovës në shkallë autonomie.
BIPM-ja shumë vjet më parë në nivel të tri komunave e pat themeluar organizimin e jetës së pavarur fetare as me Prishtinë e as me Beograd, por ishte Naim Tërnava dhe disa sahanëlipirës të tij të cilët i ndanë dhe i përçanë në shumë grupacione do me Sanxhak, sa me Beograd e sa me Prishtinë.
BIK-ë le t’i lëje rehat imamët e Luginës vetë t’i zgjidhin problemet e mos të merren me politikë proserbe, ngase ka kush merret me këtë sferë të veprimtarisë njerëzore.
(Autori është nga Lugina, jeton dhe vepron në Gjilan-Kosovë, qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale)
_____________________________________________________________________________________________
http://youtu.be/hOcdxrmw904
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!