Vështrime
Nga turpi qava!
Në vend të “bajraktarizmit dhe patriotizmit romantik e të vonuar”, drejtuesit politik shqiptarë në Tiranë e Prishtinë duhet të reflektojnë për të ardhmen e shqiptarëve, që për shkak të padrejtësisë ndërkombëtare, po jetojnë nën administrimin e Serbisë.
Shkruan: Arjan Ademi
Shtrohet pyetja, a është fundi i qenies shqiptare në Kosovën Lindore, me kidnapimin e Lapidarit të UÇPMB-së, apo fillimi i represionit të ri nga Beogradi ndaj shqiptarëve autokton?
Pse elita politike shqiptare nuk u vetëdijesua me Ivica Daçiqin i cili kohë më parë, para syve të "botës demokratike", burgosi dhe dënoi ish ushtarët e UÇPMB-së për veprime gjoja "terroriste" gjë që i shërbej që në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi të ,,shpërblehet’’ me një ngritje prej 15 % të votave?!
Pse po heshtet nga elita politike shqiptare dhe ndërkombëtare, dëbimi masiv, apo më mirë të themi, spastrimi etnik i shqiptarëve të Medvegjës? E filluar nga politika e “moderuar Evropiane” e Tadiçit dhe me tendencë të përfundohet nga Nikoliqi dhe Daçiqi!!!
Pse u heshtë koalicioni i arritur mes një partie shqiptare me partitë serbe në Bujanoc, ndërsa atje mbeten në opozitë shumica e delegatëve shqiptarë, kur dihet se shqiptarët në këtë komunë janë shumicë dhe raporti në mes të shqiptarëve dhe serbëve në KK është 30 me 11 në favor të shqiptarëve?!
Pse vazhdimisht po heshtet militarizimi i Kosovës Lindore, ky akt barbar e qyqar i Beogradit? Shqiptarët në Kosovën Lindore jetojnë në ankth dhe në presion të xhandarmërisë, sepse çdo ditë dhe natë mund të shënoj një fund tragjik për shqiptarët atje.
Pse po heshtet moslejimi i hapjes së një Universitetit në gjuhën shqipe, pastaj moslejimi i hapjes së një Spitali rajonal qoftë në Preshevë, Medvegjë apo Bujanoc? E mos të flasim për problemet me punësim, lëvizja e lirë, investimet si dhe zhvillimi ekonomik!
Këto janë vetëm disa nga shumë gjëra jetike që mungojnë e që këtë katrahurë po e përjetojnë shqiptarët e Kosovës Lindore dhe atë para syve të dy shteteve shqiptare në Ballkan, Shqipërisë dhe Kosovës.
Është momenti i fundit që heshtja e politikës shqiptare në Tiranë e Prishtinë, heshtja dhe censura e medieve, shoqërisë civile dhe të Akademive të Shkencave të marr fund. Ngase kjo heshtje na bënë që fajin të mos e adresojmë në adresën e vërtet, Beogradi, i cili po ushtron represion të vazhdueshëm te shqiptarët. Madje kjo heshtje po na bënë që fajin të mos e adresojmë as te faktori ndërkombëtar, që po kërkon standarde të dyfishta në mes te serbëve të Veriut të Kosovës dhe shqiptarëve të Kosovës Lindore apo të “Jugut të Serbisë”, por, kjo heshtje po na detyron që fajin ta adresojmë te Tirana zyrtare, e cila në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë obligohet të mbroj shqiptarët jashtë kufijve të saj të vendosur artificialisht nga Evropa ,,demokratike’’ ku më shumë se gjysmën e Trojeve shqiptare mbetën në mëshirën e shteteve fqinje.
Fajin gjithashtu duhet adresuar edhe te Prishtina, sepse fundja ka shumë obligime ndaj shqiptarëve në Kosovë Lindore, por e cila ende nuk po arrin të konsolidohet dhe të flas qartë me gjuhen e vetë, por ende vazhdon të struket e të jetë skajshmërisht e dëgjueshme para faktorit ndërkombëtar.
Fillova me “bajraktarizmin dhe patriotizmin romantik e të vonuar” ndërsa po përfundoj më disa vargje të poetit Azem Shkreli:
S O N T E
Qava sonte për ty
Arbëri (Kosovë Lindore*)
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s'munda
të bëj tjetër
Nga turpi qava.
(Qëndrimet e shprehura në këtë shkrim janë personale, të autorit)
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!