Nacionalizmi pozitiv i Kryeministrit Berisha
Vështrime

Nacionalizmi pozitiv i Kryeministrit Berisha

07.Feb.2013 11:49
0
Kryeministri i Shqipërisë, dr. Berisha, lëshoi para katër ditësh një deklaratë të pazakontë. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai u shpreh ashpër kundër frymës antishqiptare që ende ekziston në popujt e rajonit të Evropës Juglindore. Prej kohësh këtë atmosferë nacionaliste antishqiptare ai e ka emërtuar si “Albanofobi”.   Shkruan:Dr. Enver Bytyçi;   Dr. Enver BytyçiNë Mynih, aty ku burrat e shteteve më të fuqishme të botës moderne mblidhen prej dekadash për të shfaqur konceptin e sigurisë planetare e për të formuluar politikat e së nesërmes, Berisha mbajti një fjalë rasti, të cilën shumë analistë e kanë cilësuar si “spektakolare”. Ai pohoi një realitet të dhimbshëm në Ballkan, i cili mbarset çdo ditë me urrejtje dhe armiqësi kundër shqiptarëve. “Unë kam bindjen se albanofobia, në të gjitha qëndrimet kundrejt shqiptarëve, është e gjallë e në veprim dhe ajo kërcënon seriozisht stabilitetin në rajon”, – u shpreh ai. 1. Eksperimenti antishqiptar i “klonimit” të identitetit Më tej theksoi disa ide: Së pari, ai kundërshtoi me forcë përpjekjet për “klonimin” e pesë kombeve shqiptare. “Nëse ju shihni hartën e Evropës, nuk gjeni vend tjetër të rrethuar nga bashkëkombas dhe deti, siç janë sot shqiptarët të ndarë në 5 shtete. Unë besoj se nëpërmjet procesit të Bashkimit Evropian, kufijtë bëhen të parëndësishëm, por e rrezikshme është ideja sipas të cilës meqenëse shqiptarët janë të copëtuar në 5 shtete, duhet të shndërrohen në 5 kombe të ndryshme nga njëri-tjetri. Kjo është tërësisht e papranueshme. Kjo do të prodhonte dhe provokonte reagimin e kundërt”, – theksoi Berisha në Konferencën e Mynihut. Kjo frazë ishte thjesht pohimi i një realiteti të dhimbshëm, të cilin shqiptarët e kanë përjetuar si një dramë me pasojë zhdukjen fizike të tyre gjatë shekullit të kaluar. Mirëpo, pohimi i këtij realiteti të hidhur mbetet njëra anë. Konteksti në të cilin është përmendur ndarja e territoreve shqiptare në pesë shtete është ana tjetër e medaljes, e cila merr vlerë të shtuar në kohën të cilën e jetojmë. Kryeministri shqiptar e quan këtë proces si “klonim” të një identiteti tjetër, të ndryshëm nga identiteti shqiptar. Dhe dihet tashmë se klonimet janë ngjizje artificiale dhe prodhojnë zgjidhje gjithashtu artificiale. Në këtë kuptim emërtimi i përdorur nga zoti Berisha ishte me vend dhe shumë i guximshëm. Madje, mund të përkthehet në një akuzë për vetë komunitetin ndërkombëtar, i cili jo vetëm e toleron, por edhe e nxit në masë të madhe procesin e një “klonimi” të tillë të identitetit të shqiptarëve. Kundërshtimi i hapur në tavolinën e diskutimeve për perspektivën e paqes dhe sigurisë botërore i përpjekjeve për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve është dhe do të mbetet si një akt dhe vepër e papërsëritshme në historinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët e saj. Aq më tepër se ky reagim bëhet në qendrën më të rëndësishme të diskutimeve për sigurinë globale, në një konferencë, e cila shpreh në themel politikat e sigurisë, të cilat i adapton NATO, Bashkimi Evropian dhe SHBA. Thelbin e diskutimit të Kryeministrit shqiptar e përbën pikërisht mospajtimi me situatën e albanofobisë rajonale e kontinentale si dhe me planet për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve. 2. Pajtimi në modelin gjermano-francez Së dyti: Berisha nuk është se vetëm pohon. Në të vërtetë, në fjalën e tij në Mynih ai paralajmëroi rreziqet që paraqet albanofobia dhe “klonimi” i identiteteve të ndryshme në shtetet ku jetojnë shqiptarët. Duke iu përmbajtur zgjidhjes që kishte rekomanduar më 1992 po në Mynih, sa i përket konfliktit në ish-Jugosllavi e në Kosovë, ai sërish kërkon që shqiptarët të mos paragjykohen dhe të trajtohen me realizëm e pa diskriminim. Në këtë rast, kritika shkon në mënyrë diplomatike te institucionet e Bashkimit Evropian. Deputeti gjerman e pyeti pikërisht që të qartësohej mesazhi i qëndrimit kritik të Kryeministrit shqiptar. Dhe si përgjigje ai mori rekomandimin, sipas të cilit shqiptarët duhet të integrohen në BE, njësoj e njëkohshëm me vendet e tjera të rajonit. Kjo është dhe mbetet zgjidhja më e mirë, thekson zoti Berisha. Dhe më tej ai kërkon pajtimin e kombeve ballkanike në modelin e pajtimit gjermano-francez, i cili kishte hapur rrugën e krijimit të Evropës së Bashkuar. Ky model pajtimi është i domosdoshëm në rajonin ballkanik. Por, sipas Berishës, kjo kërkon doemos zbatimin e marrëveshjeve rajonale. Ndër to ai shquan Marrëveshjen e Ohrit, por edhe marrëveshjet e tjera si ajo pas konfliktit në Preshevë. Natyrisht që Plani i Ahtisaarit për Kosovën shihet prej tij si një marrëveshje ndërkombëtare, të cilën në rastin e pajtimit duhet ta pranojë Serbia. Nëse u hyjmë analizave për procesin e realizimit të këtyre marrëveshjeve, atëherë çdokush do të dallonte faktin se ato janë sabotuar në masën më të madhe dhe rrezikojnë të lihen në harresë. Kryeministri i Shqipërisë kujton se marrëveshjet për zgjidhjen e konflikteve në Kosovë ishin të imponuara. E megjithatë, shqiptarët edhe si të tilla i kanë pranuar ato. Ndërkaq, detyrimet e Serbisë, Maqedonisë për zbatimin e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar. Nuk është zbatuar gjithashtu rezoluta 1244, e cila parashihte administrimin ndërkombëtar të Kosovës, por që veriun e saj ndërkombëtarët e lanë qëllimisht nën administrimin e Serbisë. Nuk është zbatuar Plani i Presidentit Ahtisaari, i cili udhëhiqte panelin e konferencës në momentin kur Berisha fliste, sepse serbëve nuk iu imponua ky plan, siç ndodhi me shqiptarët. Nuk u zbatua Marrëveshja e Ohrit, edhe pse atë e nënshkruan të gjitha subjektet politike maqedonase e shqiptare në Maqedoni. Nuk u zbatua nga ana e Beogradit as marrëveshja për zgjidhjen e konfliktit në Luginën e Preshevës e për rrjedhojë Serbia vijon të sillet me shqiptarët njësoj si në kohën e Millosheviçit. Ndërkohë që Berisha paralajmëron se pajtimi është rruga më e mirë e bashkëjetesës së kombeve në Evropën Juglindore, ai i qorton me tone të rrepta sjelljet e udhëheqësve serbë e maqedonas ndaj shqiptarëve, kur thotë: “Në rast se nga njëra anë tjetri flet për perspektiven e marrëdhënieve bilaterale dhe nga ana tjetër feston datat e fillimit të fushatave të shfarosjes së kombit shqiptar, imagjinoni vetë se çfarë mesazhi fqinjësie është kjo”. Një mesazh të tillë, të qartë e të sinqertë Kryeministri shqiptar e transmeton te partnerët e tij ndërkombëtarë. Një realitet të tillë, kur shqiptarët fyhen dhe Beogradi e Shkupi zyrtar festojnë krimet që ata kanë bërë kundër shqiptarëve, ndihet çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë. Me sa duket, në këtë realitet duhet kërkuar deklarimi i zotit Berisha i 25 nëntorit të vitit të kaluar në festimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Shkup, kur kërkoi që shqiptarët “të punojnë çdo minutë, çdo orë, çdo muaj, çdo vit për bashkimin e tyre”. 3. Mesazhet e Kryeministrit Nga të gjitha deklarimet e derisotme, të cilat kulmuan të shtunën e kaluar në Mynih, është e udhës të qëmtojmë disa mesazhe të kthjellëta të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha: Së pari, mesazhi kryesor u drejtohet institucioneve vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. Këta e kanë për detyrë dhe obligim të kushtëzojnë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë të drejtë dhe pa diskriminimin e një pale e favorizimin e një pale tjetër. Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Stefan Füle, duke folur në fillim të dhjetorit të kaluar në Komisionin e Senatit Francez të çështjeve të jashtme dhe Evropiane, pati lënë të kuptohej se politika evropiane në rajonin tonë është e diferencuar, çfarë përkthehet automatikisht si politike diskriminuese. Sipas tij, temat kryesore që bëjnë të mundur integrimin kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës, reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e mendimit të lirë, konsolidimin e ekonomisë e stabilitetin financiar, rritjen e mirëqenies, bashkëpunimin rajonal e lidhjet bilaterale midis vendeve fqinjë. Por nëse të gjitha këto kushte janë të domosdoshme për çdo vend aspirant për integrim në BE, praktikisht Stefan Füle pranon se për disa ka privilegje e për disa vende të tjera, si Shqipëria, sakrilegje në rrugën drejt Brukselit. Në atë komision francez Füle, kur flet për Serbinë thotë se “Në Serbi udhëheqja është e angazhuar që të ndjekë rrugën e integrimit Evropian”, duke shprehur një kënaqësi të dukshme për këtë orientim të Beogradit. Nga kjo dhe praktika e përdorur duket qartë se për Serbinë nuk vlejnë kriteret themelore, të përcaktuara në traktatet Evropiane e të përmendura më lart nga ana e zotit Füle, sa i përket integrimit. Ndërsa Shqipërisë dhe Kosovës u kërkohen standarde shumë të larta të aplikimit të demokracisë, Serbisë i mjafton të deklarohet pro integrimit Evropian dhe të vlerësohet për këtë. Ndërsa në Shqipëri nuk bën punë as fakti që mbi 80 për qind e qytetarëve janë pro integrimit, për Serbinë është e mjaftueshme që Kryeministri ose presidenti i vendit të jetë “proevropian”. Të gjitha argumentet e tjera, të cilat i plason opozita jonë në tregun e brendshëm e atë Evropian, janë thjesht perceptime e jo realitete. Madje në disa fusha imediate, si ekonomia, stabiliteti financiar, bashkëpunimi rajonal dhe në marrëdhëniet fqinjësore, në kontributet për paqe e stabilitet në kontinent, Shqipëria përmendet si model i sjelljes ndërkombëtare. Por ajo nuk shpërblehet për këto sjellje, përkundrazi shpërblimet i korr Serbia e ndonjë vend tjetër problematik i Evropës dhe i rajonit. Analizuar nga kjo pikëpamje deklarata e Berishës në Mynih synon ndryshimin e perceptimit evropian për rolin e zhvillimet në Shqipëri dhe nxit aktorët Evropianë për të unifikuar standardet e pranimit në BE. Diferenca në kërkesat për standardet e integrimit është pasojë e diplomacisë aktive të vendeve të rajonit, sidomos Serbisë dhe Greqisë, me qëllim zvarritjen e integrimit të Shqipërisë në komunitetin e bashkësisë Evropiane. Ndërsa diplomacia aktive e këtyre vendeve është e motivuar me albanofobinë e trashëguar nga kohët e konflikteve të dhunshme midis shqiptarëve dhe serbëve. 4. Alternativa e integrimit apo e bashkimit?! Kryeministri Berisha në fjalën e tij në Mynih tërhoqi vëmendjen se bashkësia evropiane nuk mund të vazhdojë të lëvdojë politikat konstruktive të shtetit Shqiptar sa i përket marrëdhënieve rajonale e fqinjësore e nga ana tjetër të shpërblejë ata që punojnë për destabilizimin e Evropës Juglindore, përkatësisht Serbinë e ndonjë vend tjetër të ngjashëm. Aq më pak mund të joshen shqiptarët me lëvdata ndërkombëtarësh për të shkuar drejt krijimit të një identiteti sipas interesave të Serbisë. Nëse do të vijohet kjo politikë Evropiane në rajon, atëherë shqiptarët kanë të drejtën të zhgënjehen dhe të ndërpresin taktikën e moderacionit të dëshmuar deri më sot. Në fund të fundit shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Serbinë Jugore apo në Mal të Zi e në Greqi nuk janë të vetmit përgjegjës dhe të vetmit aktorë e faktorë që mund ta ruajnë paqen e stabilitetin rajonal. Nëse Serbia, Greqia, Maqedonia nuk i përgjigjen pozitivisht angazhimit të politikave shqiptare në këtë drejtim, atëherë kjo do të ngjante me iluzionin e një martese solo, pa partner. Aq më keq, nëse Brukseli përkrah dhe shpërblen politikat destruktive të Serbisë dhe ndonjë vendi tjetër në rajonin tonë dhe ironizon konstruktivitetin e shqiptarëve në rajon. Në këtë rast BE-ja në vend të paqes do të përballej me vazhdimin e konfliktit dhe vazhdimi i konfliktit do të kishte si zgjidhje të vetme krijimin e një shteti unik të shqiptarëve, shtet i cili herë quhet “Shqipëri etnike”, herë tjetër “Shqipëri e Madhe”, nga dikush si “Shqipëri natyrale”, por që në konceptin tim do të ishte vetëm një Shqipëri në përmasat territoriale reale në hapësirën ku jetojnë në vijimësi e pa shkëputje shqiptarët. Zoti Berisha ka theksuar se janë dy rrugë për bashkimin e shqiptarëve. Njëra rrugë, dhe më e mira, është e do të mbetet “bashkimi në Bruksel”. Por sa kohë që Brukseli e refuzon këtë strategji, herë për hatër të pesë vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, herë për hatër të Serbisë e Greqisë e herë për hatër Edi Ramës këtu në Tiranë, atëherë shqiptarëve u lind e drejta që para se të shkojnë në BE, të rifitojnë kufijtë realë të një shteti të përbashkët. Alternativën e bashkimit të shqiptarëve shumë analistë dhe ekspertë e quajnë si aventurë. Madje, Edi Rama, duke sulmuar qëndrimet e Berishës, ka vënë në dukje se kreu i mazhorancës “i dëmton interesat e shqiptarëve dhe marrëdhëniet me partnerët tanë amerikanë”, kur shfaqet me platformën e bashkimit kombëtar. Ndërsa një nga përkrahësit më ta zjarrtë të kreut të opozitës, profesori i historisë, Pëllumb Xhufi, në një koment të tijin në gazetën “Koha ditore” të Kosovës, javën e shkuar i konsideron qëndrimet e Berishës si “nacionalizëm elektoral”. Një vlerësim të tillë e hasim edhe tek studiuesi austriak i çështjeve shqiptare, Oliver Jens Schmitt, e te disa autorë të tjerë. Dhe në parantezë më duhet të them se pohimet e Berishës në Mynih, para një audience elitë të botës së sotme të qytetëruar, mund të jenë gjithçka tjetër, por aspak një lloj “nacionalizmi elektoral”. Do të ishte e tepërt të plasohej në atë kuvend ndërkombëtar të sigurisë globale një pohim i tillë për arsye elektorale, sepse të gjithë ata që e dëgjuan zotin Berisha, do t’u kundërviheshin interesave elektorale të tij. 5. Ballafaqim me idetë e kundërshtarëve të Berishës Por le të kthehemi te qëndrimet e politizuara të zotit Xhufi e më tej të komentatorit nga Prishtina, Halil Matoshi. Pëllumb Xhufi shkruan se “ridalja e Sali Berishës në rolin e nacionalistit duhet të jetë një kambanë alarmi: Kryeministri po kërkon t’i japë një tjetër goditje pas shpine Shqipërisë”. I mësuar dhe i edukuar nga diktatori Hoxha, në oborrin e të cilit ka qëndruar si dhëndër, zoti Xhufi spekulon në modelin doktrinar të diktaturës, kur qëndrimet atdhetare të dikujt, në rastin konkret të kreut të ekzekutivit shqiptar, i shpjegon me pohime të tilla si “goditje pas shpine Shqipërisë”. Nuk ia vlen të citosh më tej ato çfarë zoti Xhufi tjerr në logjikën e një ideologjie destruktive kundër kreut të PD-së dhe të mazhorancës, pasi në to nuk dallon gjë tjetër, përveçse mllef, hakmarrje, dhunë psikologjike, në stilin e kryetarit të PS-së, zotit Rama. Por bën përshtypje një përpjekje e analistit të njohur e të zgjuar Halil Matoshi, i cili intervenimin dhe projektin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm e konsideron si agresion të Shqipërisë për të shtënë në dorë provincën me emrin “Kosovë”. Krahasimi i tij me politikën e Serbisë, dikur të Italisë fashiste e modele të tjera, të cilat i ka kaluar Kosova në periudha të caktuara të shekullit të kaluar, është tronditës. Ai shkruan se deklarimet e Berishës janë “tendencë e hapur për aneksim të Kosovës nga Tirana zyrtare”. Nuk është nevoja të shkohet më tej në gjykimet e zotit Matoshi, për të dalluar se ai është kategorikisht e madje dhunshëm kundër bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Prej kohësh ai provokon me idenë e “kombit kosovar”, me qëllim që të mbjellë dasinë midis shqiptarëve. Madje i referohet edhe konstitucionit të trashëgimisë historike të ndryshme, duke veçuar zhvillimet historike, veçmas në kohën e diktaturës komuniste. Me këtë rast lexuesi nuk e ka të vështirë të vlerësojë se dëmi i politikave izolacioniste të komunizmit është aq i madh, sa ka deformuar palcën e bashkimit kombëtar, së paku në mendjen e disa analistëve, që duan ta interpretojnë këtë kohë historike si kufirin e ndarjes së përjetshme midis shqiptarëve. Megjithatë, pohimet e Kryeministrit shqiptar në harkun kohor prej 25 nëntorit të Shkupit e deri në 2 shkurtin e Mynihut, dëshmojnë për të kundërtën e konstatimit të palogjikë të zotit Matoshi, të zotit Xhufi e të tjerëve kundërshtarë të opsioneve të zotit Berisha. Duket sikur kjo pjesë e shoqërisë shqiptare me dashje kërkon që të vijojë në pafundësi urrejtja raciste e serbëve, grekëve e maqedonasve ndaj shqiptarëve. Duket sikur këta nuk ndajnë të njëjtin mendim sa i përket realitetit ballkanik. Duket sikur ata janë dakord me opsionin e krijimit të pesë identiteteve ndër shqiptarët e madje rekomandojnë, së paku për Kosovën, një identitet të ri jashtë kontekstit dhe konstitucionit shqiptar. Duket gjithashtu sikur kundërshtarët e Berishës jo vetëm janë kundër bashkimit kombëtar, por e konsiderojnë “tradhti kombëtare” thirrjen për të respektuar interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në rajonin ballkaniko-perëndimor. Çdo interpretim tjetër lidhur me debatet dhe dilemat e shfaqura e të cilat perifrazohen si tone nacionaliste, do të ishte i gabuar. Askush nuk mund ta anashkalojë faktin se Berisha ka të drejtë absolute kur flet për albanofobi në Ballkan ose kur ai kundërshton ndryshimin e identitetit të shqiptarëve sipas përkatësisë shtetërore, çka nuk ka ndodhur tek asnjë komb tjetër në botë. Ndaj, edhe Oliver Jens Scmitt ka të drejtë kur vlerëson se nacionalizmi aktual i Berishës “është një nacionalizëm pozitiv”, pra një patriotizëm në mbrojtje e jo ofensiv. Kjo do të thotë se opsionet e Kryeministrit shqiptar nuk rrezikojnë askënd, asnjë vend ballkanik, nuk drejtohen kundër Serbisë, Greqisë apo Maqedonisë, edhe pse në Beograd, në Athinë e në Shkup ka pasur reagime të ashpra, deri anulim vizitash në Tiranë. Ato thjesht i drejtohen opinionit shqiptar, opinionit të vendeve të rajonit e për më tepër opinionit euroatlantik, me paralajmërimin se shqiptarët nuk do të pranojnë ndërrimin e identitetit dhe se çdo përpjekje e tillë do të çojë në destabilizim ose bashkimin e tyre në një shtet kombëtar të vetin. Nëse ky konstatim interpretohet si përpjekje e Shqipërisë për destabilizim ose ndryshim të kufijve me dhunë, atëherë nuk është më faji i Berishës. Me këtë lloj interpretimi shantazhoi Edi Rama kur paralajmëroi Kryeministrin të “heqë dorë nga parullat nacionaliste”, duke interferuar në “prishjen e marrëdhënieve me amerikanët”. Por edhe në këtë rast realiteti ka shumë mundësi të veprojë kundër Edi Ramës. Në parim, amerikanët dhe shtetet e së drejtës nuk janë kundër bashkimit. Ato kanë dëshmuar edhe këto vitet e fundit se dënojnë ndarjet, qofshin këto edhe ndarje politike të llojit çfarë kreu i opozitës shqiptare i ka provokuar dhe promovuar në Shqipëri. Ndërkaq, në këtë analizë nuk e shoh të nevojshme të komentoj disa njoftime të shtypit të huaj, sipas të cilit, amerikanët në këtë ose atë kohë parashikojnë krijimin e një shteti shqiptar të bashkuar./Titulli.com/
BIG BROTHER - Emancopëtim i kulturës së shqiptarëve!
Graçanica e skenarëve Serbë për Ramushin dhe Lapidari në Preshevë!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration