Kamberi: Një koalicion joparimor po qeverisë Bujanocin
Vështrime

Kamberi: Një koalicion joparimor po qeverisë Bujanocin

26.Dec.2012 09:37
0
Në sistemet pluraliste, gati gjithmonë koalicionet janë të pashmangshme, me partnerin me orientime të ngjashme programore ato paraqesin domosdoshmëri, por, me partnerë me orientime dhe interesa ideologjikisht të kundërta koalicionet janë të rrezikshme. Shkruan: Shaip Kamberi shaip-kamberi Kjo u dëshmua qartë edhe në seancën e fundit në Bujanoc, kur ndihmësi i ardhshëm i kryetarit të komunës Nagip Arifi, që vjen nga radhët e SNS tha “Kurrë nuk do ta pranojmë Kosovën dhe Metohinë”. Zhvillimet e fundit në skenën politke të Bujanocit po rrezikojnë seriozisht thellimin e hendekut në mes pozitës serbo-shqiptare dhe opozitës shqiptare të kësaj komune. Kjo u dëshmua edhe në seancën e fundit, kur partia e vetme shqiptare në pozitë e kryetarit të komunës, nuk i dha përkrahje tekstit të një deklarate me kërkesë për reciprocitet të shqiptarëve me të drejtat e serbëve në Kosovë. Kjo ndasi, që po bëhet gjithnjë edhe më e thellë, po rrezikon arritjen e koncensusit ndërshqiptar edhe për çështjet e karakterit vital dhe që ndikojnë në të ardhmen e shqiptarve në këtë komunë. “Kuvendi komunal i Bujanocit kërkon nga autoritetet e Republikës së Serbisë ndërmarrjen e masave adekuate afirmative të barazisë, garantimit dhe respektimit të të drejtave të shqiptarëve sipas standardeve unike në reciprocitet më të drejtat e serbëve në Kosovë”. Kjo është pjesë nga teksti i deklaratës të cilën 18 këshilltarët shqiptarë të opozitës (PVD, LPD dhe UDSH) i paraqitën Kuvendit komunal të Bujanocit për aprovim, por, i cili nuk kaloi për shkak të mungesës së shumicës prej 21 votave të domosdoshme. Partia e kryetarit të komunës Nagip Arifi, edhe pse, pas katër orë diskutimesh, kishte pranuar që një pikë e këtillë të futet në rendin e ditës, nuk i dha mbështetje këtij teksti të deklaratës, sepse do të rrezikohej varësia e shumicës së krijuar me një numër të madh të grupacioneve politike serbe. Me këtë rast opozita lëshoi punimet e seancës meqë  shumica serbo/shqiptare, prej 23 votash, aprovi një konkluzion që sipas formës ishte multietnik, ndërsa në përbajtje me brum serb dhe që ulë kërkesat e shqiptarëve të kësaj komune në nivel kërkesash të një bashkësie lokale. Me këtë rast është edhe më i dhimbshëm fakti që njeriu i parë i komunës nuk prezentoi as për një minutë në diskutimet që u hapën  lidhur më këtë pikë të inicuar nga opozita dhe se në vend të tij “arsyetimet” i dha zv/kryetari i komunës Stojança Arsiq, një politikan lokal i cili arriti të homogjenizojë tërë spektin politik serb për ta bërë pjesë të pushtetit, pasi që nga séanca e 21 dhjetorit, pjesë e qeverisjes në Buajnoc u bënë edhe dy këshilltarët e SNS, për të mos lënë kështu asnjë këshilltarë serb në opozitë. Kjo seancë e parlamentit lokal në Bujanoc la të kuptohet qartë se,  i përbërë nga një spektër i gjerë i partive dhe grupacioneve politike serbe me orientime të ndryshme politike - në mesin e tyre edhe të krahut ultranacionalist - dhe një partie politke shqiptare koalicioni qeverisës në Bujanoc nuk ka asgjë të përbashkët përveç “dashurisë” ndaj menaxhimit të parasë publike. Edhe platforma e fundit e presidentit të Serbisë për Kosovën, si një vazhdimësi e shumë të këtillave, shpreh aspiratat serbe ndaj Kosovës në frymën e një politke që e ka sjellë këtë pjesë të Ballkanit te luftërat e përgjakshme. Kjo është dëshmi e re se Serbia ende nuk ka arritur nivel të atillë të demokratizimit për të qenë në gjendje që me realitete rajonale të përballet e shkëputur nga filozofia “xhandarit të Ballkanit”, se ajo nuk ka qenë në gjendje për 12 vjet me radhë, që kur ka filluar procesi politik pas konfliktit të armatosur, të ofroj shembuj të suksesshëm të zgjidhjes së krizës në Luginën e Preshevës, se ajo edhe më tej mban shqiptarët e këtushëm në një shtetrrethim të pashpallur. Dhe pikërisht ky nivel ekzistues i demokracisë serbe, do të duhet t’i shërbejë shqiptarëve të Bujanocit që vendimet strategjike të parlamentit lokal të mos i varen nga shumica e partive serbe. Ato, sikurse në të kaluarën, edhe në seancën e 21 dhjetorit vazhduan të dëshmojnë se nuk kanë gatishmëri ende të pranojnë aprovimin e parimeve universale përmes të cilëve shqiptarëve të këtij rajonit do tu mundësohej të jenë të barabartë me ta. Kjo sigurisht nuk do të thotë që serbët duhet eliminuar nga participimi në qeverisje lokale, kjo nënkupton vetëm krijimin e mekanizmit mbrojtës të shqiptarëve që shumica parlamentare të mos varej nga demokracia e brishtë serbe. Koha do të japë një përgjigje se si do të zgjidhet “nyja e Gordit” ndërshqiptar në Bujanoc, ndërkohë që gjendja aktuale tregon se deri sa ajo zgjat, opozita shqiptare, me forcën prej 18 këshilltarëve që ka nuk përbën shumicën e mjaftueshme vetëm për tu paraqitur në rolin e inicuesit e propozuesit, por, jo edhe të aprovuesit të vendimeve. Ndërkohë që 12 këshilltarët shqiptarë që vazhdojnë të jenë pjesë e pozitës prej 23 sish, përballen me situatën që, gjithmonë kur duhet të aprovohet një vendim me interes jetik për shqiptarët – siç ishte Rezoluta e Reciprocitetit- ,do të shantazhohen nga 11 këshilltarët serb se do ta braktisin koalicionin. Kjo situatë i shndërron këshilltarët shqiptarë në pozitë në makineri të thjeshtë votimi pa mundësi vendimarrje të lirshme, në këtë rast transformim nga “përfaqësuesi i popullit” në marionetë ekzekutimi. Në sistemet pluraliste, gati gjithmonë koalicionet janë të pashmangshme. Me partnerin me orientime të ngjashme programore koalicionet janë domosdoshmëri, por me partnerë me orientime dhe interesa ideologjikisht të kundërta koalicionet janë të rrezikshme. Kjo u dëshmua qartë edhe në seancën e fundit në Bujanoc, kur ndihmësi i ardhshëm i kryetarit të komunës Nagip Arifi, që vjen nga radhët e SNS tha “Kurrë nuk do ta pranojmë Kosovën dhe Metohinë”. Qëndrim ky që nuk përputhet me atë të partisë së njeriut të cilit iu bë ndihmëskryetar. Koalicioni qeverisës në Bujanoc do të përballet edhe në të ardhmen me sfida të këtilla, posaçërisht për shkak se kërkesat e shqiptarëve nuk do të jenë vetëm nga sfera e “parasë publike”, problemet do të shfaqen kur në rend dite do të vijnë temat nga të drejtat e korpusit kolektiv. Sfidat nuk janë vetëm të nivelit lokal. Sfidat më të rrezikshme po vijnë nga Beogradi, qofshin ato të karakterit verbal (çfarë ishte kërcënimi i kryeministrit serb ndaj përmendoreve të dëshmorëve të UÇPMB-së), apo veprues (ndërtimi i memorialeve serbe në vendbanimet etnike shqiptare). Sado të duket idilik, koalicioni aktual qeverisës në Bujanoc nuk do të mund të jetë i paprekshëm nga sfidat e këtilla. (Autori është krytar i degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc - shkrimi është marrë nga portali preshevanews)
Themelimi i ShSK: Një ngjarje e veçantë për sociologjinë kosovare
Cili është legjitimiteti i kuvendeve komunale?
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration