Të ngulfatur nga taksat e të "shkelur" nga pushteti lokal (Video)
Lokale

Të ngulfatur nga taksat e të "shkelur" nga pushteti lokal (Video)

17.Aug.2015 19:19
0
Në komunat e Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, ndërmarrjet private dhe funksionimi i tyre cilësohet si shumë i rëndësishëm, për shkak të numrit të ekonomisë dhe gjendjes sociale, pasi këto ndërmarrje kanë të punësuar një numër punëtorësh. Ekzistojnë ndërmarrje të njohura e të suksesshme, por megjithatë edhe ato ballafaqohen me probleme të ndryshme, që nëpërmjet artikujve në portalin Titulli.com i bëjmë të njohur edhe për opinionin.

Kompania ndërtimore “Saba Bellça” nga Presheva, e themeluar në vitin 1991 si fabrika e parë e betonit në Luginë të Preshevës, merret me ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve, ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësit e kanalizimit, dhe rregullimin e trotuareve me pllaka betoni e skajore, si dhe posedon gurëthyesin prej vitit 1997.

Drejtori i kësaj ndërmarrje Valon Hetemi thotë se kjo ndërmarrje aktualisht ka fabrikën e betonit në Preshevë e Bujanoc, bazën e asfaltit në këto dy qytete, si dhe fabrikën e pllakave të betonit dhe gurthyesin në Preshevë. Sipas tij, “Saba Bellça” ka 55 punëtorë të rregullt dhe në sezonin veror numri i punëtorëve shkon deri në 100.

“Vitet e fundit jemi shumë të pranishëm në Vranjë, kemi projekte edhe në Nish, në Leskoc, ndërsa këtë vit kemi marr disa projekte edhe në Krushevc. Projektet më të mëdha që kemi realizuar janë rruga kryesore në Vranjë, dhe disa rrugë tjera, e së fundmi me fabrikën e Geoksit në Vranjë kemi kontraktuar që t’i rregullojmë hyrjen e fabrikës. Projektet tjera i realizojmë në Bujanoc dhe Preshevë”, thotë Hetemi për Titullin.

Edhe pse kompani e njohur dhe e suksesshme, pasi ka realizuar shumë projekte infrastrukturore, sidomos në komunat e Bujanocit dhe Preshevës, edhe ndërmarrja “Saba Bellça” ballafaqohet me probleme në punën e saj.

“Ne për çdo metër kub të gurit që e eksploatojmë paguajmë një taksë marramendëse për neve, sepse çdo vit paguajmë prej tre deri në pesë milionë dinarë dhe këto mjete nuk mbesin këtu tek ne, por shkojnë në ministri në Beograd”, potencon problemin e parë drejtori i kompanisë “Saba Bellça”.

“Pastaj, paguajmë edhe një taksë të re të shpifur, pasi për çdo ton të asfaltit të prodhuar paguajmë një taksë që nuk është edhe aq e vogël, e këto mjete prapë nuk mbesin në komunat tona Bujanoc, Preshevë, por ato taksa i vjelin ministritë. Sipas mendimit tim ky është një gabim shumë i madh sepse këto taksa duhet të mbeten këtu sepse asfalti këtu prodhohet. Këto janë ministria e xehetarisë dhe ministria e planifikimit hapësinor, të cilat asgjë nuk investojnë në komunat tona”, shprehet Valon Hetemi.

Lidhur me suksesin e kompanisë “Saba Bellça” drejtori i saj thotë se qëndron në punë dhe korrektësi, por edhe familja, pasi siç shprehet ai, e tërë familja janë angazhuar në punën e ndërmarrjes, pasi secili menaxhon nga një pjesë.

Një kompani e njohur në rajon e më gjerë është “Fluidi” nga Presheva, e hapur në vitin 1994, e cila prodhon lëngje të gazuara e të pagazuara, si dhe pije energjike.

Drejtori i kompanisë “Fluidi”, Bujar Mustafa thotë se kjo kompani përveç fabrikës në Preshevë, ku ka të punësuar 70 punëtorë, ka edhe fabrikën në Gjilan të Kosovës, me 100 punëtorë.

“Fluidi” tanimë është e njohur me brendin e saj “Jaffa champion”, ndërsa prej vitit 2003 prodhon edhe pijet e njohura si “RC Cola” dhe “Red Rain”. Licencën për prodhimin e këtyre pijeve e ka nga kompania amerikane “Royal Crown Cola International”, për Serbi, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.

“Prodhimet tona i shesim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, por edhe në vendet evropiane Gjermani, Zvicër, Holandë, Itali, Suedi, Austri, pra gati të gjithë vendet evropiane. Prodhimet tona i shesim edhe në SHBA, saktësisht në New York, por edhe në vendet arabe”, thotë drejtori Mustafa.

Kjo fabrikë ambalazhin e plastikës e prodhon vetë, ndërsa me lëndë të parë furnizohet nga Gjermania dhe Izraeli.

Por, edhe pse e ka pushtuar tregun evropian, prodhimet e kompanisë “Fluidi” përveç komunave Preshevë dhe Bujanoc, nuk shiten në brendësi të Serbisë.

“Në treg të Serbisë nuk jemi fare. Kemi hapur depon në Novi Pazar dhe atje puna po shkon mirë, por në pikat e shitjes në Nish dhe Beograd nuk po shkon mirë. Si e shohin që prodhimet vijnë nga Presheva tërhiqen, e gjithashtu edhe ne jemi detyruar të tërhiqemi dhe t’i mbyllim këto pika”, thekson drejtori i “Fluidit”.

Përveç fabrikës së pijeve, kompania “Fluidi” ka privatizuar ish ndërmarrjen shoqërore “Metali” në Preshevë. Në objektin e kësaj ish ndërmarrje tani funksionon pompa e benzinës dhe qendra tregtare VM Center, me rreth 100 të punësuar.

Me këtë numër punëtorësh, “Fluidi” vetëm në komunë të Preshevës del se ka të punësuar 170 punëtorë.

Ndërmarrja tjetër me traditë familjare është ndërmarrja “Nura” nga Presheva, e themeluar në vitin 1968 si punëtori private e prodhimeve nga druri.

Sot, ndërmarrja “Nura” me hapësirë të madhe punuese, ka të punësuar 30 punëtorë dhe me teknologji të re prodhon kuzhina bashkëkohore, dyer të dhomave, si dhe dyer e dritare nga plastika.

“Prodhimet tona më së tepërmi i shesim në Preshevë, Bujanoc, por edhe në Vranjë e Surdulicë, e gjithashtu edhe në vendet e jashtme, kryesisht në Zvicër, ku sheshim kuzhina dhe dyert e dritaret nga plastika. Përveç Zvicrës, kemi arritur edhe në tregun e Belgjikës, Austrisë, Francës dhe Gjermanisë”, thotë për Titullin, Besnik Musahu, drejtor i ndërmarrjes “Nura”.

Me këtë kapacitet, arrijmë të mbulojmë kërkesat aktuale, shprehet Musahu, duke shtuar se përparësi i japin tregut të Luginës, pasi ky treg duhet të zhvillohet, edhe pse leverdia është më e madhe në tregun evropian.

Sa i përket sfidave dhe problemeve në funksionimin e kësaj ndërmarrje, drejtori Mustafa thotë se nuk kanë asnjë mbështetje nga pushteti lokal i Preshevës.

“Ne jetojmë në një provincë, dhe nga politika udhëheqëse jemi të diferencuar pasi nuk kemi asnjë përkrahje. Një ndërmarrje si e jona me 30 punëtorë deri sot nuk e ka asnjë projekt të realizuar nga pushteti lokal, ndërsa janë punuar punë me miliona. Ne jemi të shkelur nga pushteti lokal,pasi për udhëheqësit lokal ekzistojnë vetëm disa firma”, thekson Musahu.

Ndërmarrja “Nura” është njëra prej ndërmarrjeve që ka përfituar donacion prej Trupit Koordinues, por drejtori i kësaj ndërmarrje nuk është edhe aq i kënaqur me këtë ndihmë, pasi sipas tij, ata kanë investuar 50 për qind të mjeteve, e poashtu edhe dy punëtorë i kanë punësuar.

Synimet e kësaj kompanie, sipas Musahut, janë të ruajnë cilësinë dhe kualitetin, të zgjerojnë tregun dhe të rrisin fuqinë punëtore.

Rritja e fuqisë punëtore dhe zhvillimi ekonomik i rajonit është i domosdoshëm, duke marr parasysh gjendjen aktuale ekonomike. /Titulli.com/

VIDEO

 

KKSH telegram ngushëllimi Familjes Stavileci në Kosovë
Arrestohet bujanocasi që po transportonte cigare
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration