Gipa, risia e zgjedhjeve
Të gjithë e dinë, mbase edhe ata që do të votojnë, se dita e 27 tetorit nuk do të sjellë asgjë të re thelbësore në politikën vendore. Vetëm vazhdim i politikës së vjetër, qoftë edhe me emra të rinj. Risia e vetme politike e këtyre zgjedhjeve është mesazhi politik i « Gipës ». Mesazhi për të qenë ndryshe politikisht.Shkruan: Belgzim Kamberi
Paralajmërimet e kandidatit të pavarur, Nagip Tashi “Gipa”, se do të kandidohet në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), nuk i mori askush seriozisht nga ana e politikanëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Mbase edhe shumëkush tjetër. Injorimi i tij ishte reflektim i arrogancës mbretëruese shoqërore, të ndërtuar gjatë këtyre viteve nga politikanët kryesorë shqiptarë, të cilët zaptimi i tyre personal i institucioneve ka ndikuar aq shumë në mendësinë kolektive, saqë nuk besohej se një qytetar i zakonshëm mund të merrte guximin për t’i konkurruar politikanët tradicionalë shqiptarë. Aq më shumë si një simpatizues dhe si një anëtar i dikurshëm partiak. Por, ai që u cilësua si autodidakti që sfidon profesionistët e kulturës, tanimë sfidoj edhe politikanët, ish-kryetarët dhe ish-drejtorët e tij.
Kandidimin e Nagip Tashit “Gipa” nuk duhet shikuar në prizmin e profilit individual politik, apo të fuqisë dhe të kalkulimeve elektorale; ngase edhe ai vetë e di se nuk mund t’i fitojë numerikisht këto zgjedhje. Me veprimin e tij politik për të kandiduar kundër të gjitha partive politike shqiptare që veprojnë me vite të tëra në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; ai ka bërë atë që nuk e bëjnë shumë qytetarë të pakënaqur me politikanët lokalë shqiptarë. Veprimin e Nagip Tashit duhet shikuar sot si udhërrëfim politik. Qoftë nga ata që janë nëpër partitë politike, apo ata që janë jashtë tyre. Ai ka bërë atë që nuk e bën gjithë armata e të pa kënaqurve me politikën shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Natyrisht se « Gipa » nuk ka bërë diçka të jashtëzakonshme, por ka bërë të kundërtën me të zakonshmën. Vazhdimin e rreshtimit të verbër pas politikave të krerëve partiakë shqiptarë. Ai ka menduar politikisht më shumë se të tjerët. Duke e parandjerë vazhdimin e politikave shterpe nga partitë politike, të vërtetuara pastaj me koalicionet dhe me listat e tyre të kandidatëve; Nagip Tashi shkëputet nga dështimi kolektiv për të dështuar elektoralisht. Ai parapëlqen humbjen individuale zgjedhore në fitoren kolektive politike, kundrejt fitores individuale zgjedhore në humbjen kolektive politike.
Nëpërmjet kandidimit të tij simbolik si alternativë ndaj partive politike, të cilat do ta fitojnë me gjasë garën zgjedhore, « Gipa » artdashës përditëson thënien e Beckettit: “Dështo një herë, dështo sërish, dështo mirë”. Realisht, ai na zgjon nga gjumi. Dhe këtë nuk po mund ta kuptojnë etiketuesit më cinik dhe më injorantë të tij, kur përpiqen ta njollosin nëpërmjet nivelit të tij të mesëm shkollor. Realisht, zdrukthtari iu jep përsëri leksion gjithë analfabetëve funksionalë dhe « intelektualëve » me diplomat e tyre të vërteta dhe të blera; që për interesat e tyre personale, heshtin ose mbështesin politikat regresive dhe korruptive të drejtuesve lokalë partiakë.
Pavarësisht të ardhmës së tij politike; shoqëria në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë ka fituar ditën që Nagip Tashi ka vendosur të kandidohet në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Për ta ndërlidhur me thënien e njohur të Gandit; « Gipën » e injoruan dje, e përqeshin sot, por nuk ka dyshim se nesër do të fitojë ideja e tij politike për ndryshim, qoftë edhe pa atë fizikisht. Edhe ashtu, fletëvotimet që do të dalin nga kutitë e votimeve më 26 tetor nuk kanë shumë rëndësi për nga aspekti politik. Të gjithë e dijnë, mbase edhe ata që do të votojnë, se dita e 27 tetorit nuk do të sjellë asgjë të re thelbësore në politikën vendore. Vetëm vazhdim i politikës së vjetër, qoftë edhe me emra të rinj. Risia e vetme politike e këtyre zgjedhjeve është mesazhi politik i « Gipës ». Mesazhi për të qenë ndryshe politikisht.
(Autori është kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Opinionet janë personale dhe nuk reflektojnë politikat e KDNJ-së)