Flijimi i të paarsimuarve nuk bën të harrohet prej të shkolluarve
(Vështrim i romanit “Ngjyrat e këtij dheu” të shkrimtarit Kim Mehmeti) Shkruan: Iljasa SALIHUMe të drejtë Ray Bradbury kishte thënë: “Nuk ke nevojë t’i djegësh librat për të shkatërruar një kulturë. Mjafton t’i ndalosh njerëzit së lexuari librat”. Shfrytëzoj këtë fjali të urtë për t’ju drejtuar atyre që janë drejtuar kah mosleximi, t’i them se unë nuk kam thënë, por të mençurit kanë pohuar se është humbje e madhe mosleximi i librave, edhe pse sipërfaqësisht kjo bjerrjeje e kohës nuk duket gjithaq humbësirë.
Me moslexim keni humbur trenin që ju shpie në qartëpamësi. Keni humbur argumentet për vetë qenien tuaj. Ju nuk mund ta dini se kush ishit, aq më pak kush ishin prindërit dhe gjyshërit tuaj, kush ju solli në këtë sukë të rrethuar prej lisave të gjata e të dendura, kush ishin ata që lozën me përçudni me dinjitetin tuaj, thuajse bëhej fjalë për një top të blerë lirë, kush ju urreu dhe përse, kush ishin të parët tanë, çfarë lemerish kishin përjetuar ata që sot pasardhësve të tyre jua mundësuan t’i gëzojnë këto të drejta që i kanë dhe një varg pyetjesh, mëdyshjesh e sprovash tjera e të larmishme mund t’i gjeni vetëm nëse gjeni kohë për të lexuar libra dhe përsiatje nga më të ndryshme. Disa prej këtyre pyetjeve dhe ndërmendjeve unë së fundmi i gjeta në romanin e fundit të shkrimtarit erudit Kim Mehmeti “Ngjyrat e këtij dheut”!
Ndonjëherë mund t’ju kaplon dhimbja e kokës prej thellësisë së leximit. Pas pak të kujtohen dhimbjet e nënave përgjatë lindjes sonë. Vallë nuk ia vlen të mbërthehesh prej dhimbjeve për diçka që nesër të sjellë kënaqësi? – pyesim duke ngarendur pas arsyetimit të vërshimit të disa dhimbjeve.
Ngjashëm edhe mua përgjatë leximit të romanit të fundit të Kim Mehmeti më kaplonte dhimbja e kokës, jo pse më dhemb koka shpesh, madje përkundrazi, shumë rrallë më dhemb koka, madje shpesh dyshoj nëse kam kokë apo ndonjë gjë e tillë i mungon trupit tim, por rreshtat e dendura, të mbushura përplot urtësi, që të krijohet bindja se je duke notuar mes për mes fundit të detit të pasur me margaritar të shumtë, si dhe rreshtat e pa shoqëruara me kryerreshta, mes tjerash të dhurojnë edhe kokëdhimbje, porse më në fund e kupton se sa të ëmbëla janë dobitë që arrihen pas vështirësive.
Ka shumë urtësi dhe sprova për të veçuar në këtë roman, por mua më bëri përshtypje si kryepërshtypje kjo pjesëz e romanit: “Dhe, i përballur me pafuqinë të ndryshonte atë që kishte ndodhur. Ai na mësonte të falim, por asgjë të mos harrojmë, na mësonte ta kuptonim edhe atë që e dëshmuan edhe vitet e socializmit jugosllav: se neve nuk na urrenin pse jemi musliman, por islamin e urrenin pse është feja jonë. Prandaj thoshte ai, ata kur duan duan të na e marrin fenë, por etninë. Kur etninë, ai t’i merr të gjitha, - thoshte im atë, duke shikuar pikturën Çerekhëna dhe kryqi”! Mes rreshtash përmes këtyre vargjeve që kuptohet edhe ajo që nuk është shkruar, kuptojmë se sllavët pushtetar dhe njëherësh pushtues, urrenin edhe ushqimin që shqiptarët e hanin, mbase ata nuk e urrenin ushqimin si të tillë, por vetëm pse ky ushqim mbante në jetë shqiptarët. Të mahnitë autori erudit me gjithë atë arsenal fjalësh, sa të krijohet bindja se mos vallë autori është nëna e gjuhës shqipe. Nuk qe e lehtë t’i dilet në fund këtij romani 350 faqësh i përbërë prej VII kapitujve, siç e theksova më lartë, njëkohësisht i privuar prej kryerreshtave. Mungesa e kryerreshtave është dëshmi se autori nuk ka mundësi ta ndërpretë rrjedhën e mendimit, - këtë vetë autori në një takim ma ka thënë. Në këtë roman autori në atelienë e tij pikturon me gjakun e kërthizës së fëmijve dhe me lotët që motrat dhe nënat tona derdhën nëpër shamitë e tyre teksa burrat mungonin në shtëpi. Ai flet për jetën e vështirë që kishin pasur vajzat, motrat dhe nënat shqiptare; për gadishmërinë që të flijohen deri në vetëmohim vetëm e vetëm që ta ruanin burrërinë e burrave kur ata mungonin në avllinë e shtëpive. Ai flet se si nënat edhe pse qenë të paarsimuara kishin ruajtur gjuhën, rrënjët, krenarinë dhe nderin e qenies sonë. Se si nënave edhe kur ju mungonte dashuria romantike ndaj burrave të tyre, ata këtë dashuri e plotësonin përmes lindshmërive të larta dhe edukimin e thellë të fëmijve. Madje pikërisht në kohën kur vdekjet e fëmijve ishin të shpeshta, ata nuk ndalonin së linduri fëmijë. Atëkohë kishim pleksje mes dashurisë së fëmijve të porsaardhur në këtë botë dhe me dhimbjen e fëmijve që porsa kishin ikur nga kjo botë. Ato gra të ndershme, sërish nuk dorëzoheshin. Ato gra bujare, fisnike dhe besnike, kishin kuptuar kristalisht se ata që iknin nga kjo botë në të vërtetë nga të pritur ishin trajtësuar në pritës. Fëmijët që kishin ikur nga kjo botë ende pa e shijuar mirë bardhësinë e qumështit amënor, nënat vetëmohuese po i prisnin në një botë ku edhe vdekja do të vdiste, ku pafundësia e vuajtjeve do të merrte fund njëherë e përgjithmonë, ndaj edhe dorëzimin dhe pikëllimin e skajshëm, ato nuk e njihnin, ngase përtej kësaj, diçka e padukshme por e pranishme lehtas dhe gëzueshëm i miklonte. Mes tjerash vërehet se autori qëmton edhe pjesëza nga vetë jeta e tij. Autori flet edhe për dyzimin që shqiptarët ishin përballur ndër dekadash. Ta vrisnin Zotin në kohën e socializmit për ta shpëtuar veten, ose të mos bëheshin bashkëvrasës të Zotit, duke tradhëtuar kështu partinë që davariste libra me kopertina të kuqe? Të shkonin në Turqi që ishte e sigurt se rrënjët etnike me kalimin e kohës do t’i fashitnin në shkëmbim të ruajtjes së fesë, ose ta jepnin etninë në vendlindje për ta ruajtur fenë? Mbase edhe ta pranonin fenë Islame për ta ruajtur etninë e tyre. Autori spikatë edhe fatin e dhembshëm të shqiptarëve të Rekës së Epërme në Maqedoni, të cilët nuk e ndërruan fenë, por me kalimin e kohës shkulën rrënjët dhe degët e gjuhës shqipe. Me pak fjalë, është mirë të lexohet ky roman, ngase thuhen shumë të vërtetë edhe pse në një gjuhë artistike!