Vështrime
Flamuri, atdheu ideal i shqiptarëve
Besoj që nuk është pa një domethënie, edhe pse rastësore, fakti që itinerari nis me një flamur shqiptar të ngritur jashtë kufijve të Shqipërisë së sotme nga Ded Gjoluli në Deçic të Malit të Zi dhe pastaj mbyllet me flamujt e fitores së madhe të pavarësisë së Kosovës.
Shkruan: Edi Rama;
Në fakt, në këta 100 vjet të ekzistencës së vet shteti shqiptar i ka dëshmuar që të dyja ekstremet. Edhe momente të paaftësisë së plotë të klasës së vet politike, por edhe momente të një ndriçimi të admirueshëm dhe frymëzues për të ardhmen në sensin e aftësisë së shtetformimit. Le të kujtojmë se vetë himni ynë kombëtar është një himn, ndër fare të rrallët në botë që i përkushtohet Flamurit. Një Himn i Flamurit. Vetë momenti i shpalljes së Pavarësisë, përgjithësisht në të folur shoqërohet me ngritjen e Flamurit. Ndoshta në mungesë të një atdheu real të përbashkët që t’i mblidhte dhe t’i nxinte të gjithë shqiptarët brenda, me subkonshiencë kanë zgjedhur flamurin, si atdheun ideal të bashkimit të tyre, pavarësisht kufijve gjeografikë dhe territoreve në të cilat kanë qenë të detyruar të jetojnë gjatë gjithë kësaj ecurie 100 vjeçare.
Një element tjetër që besoj është shumë i rëndësishëm dhe bie në sy gjatë gjithë itinerarit historik të flamurit është fakti që nga flamuri në flamur ndryshojnë elementë, por ka një element që nuk ndryshon asnjëherë dhe ky element është shqiponja. Në anë të saj, mbi të, zënë vend lloj-lloj simbolesh, kurora mbretërore, kurore princërore, sëpata e Liktorit, yje të bardhë, të verdhë, të kuq, por që të gjithë këta element kanë pasur një banim të përkohshëm në fushën e kuqe të flamurit, pranë dhe rreth shqiponjës. E, kanë mbijetuar vetëm aq sa kanë mbijetuar ideologjitë që i kanë qepur në flamur. Ndërkohë që ajo çka u ka mbijetuar gjithë kohëve është shqiponja. Përkujtimi i ditës e pavarësisë mbetet një prej festave më popullore, përveçse festa më e rëndësishme e shqiptarëve kudo që jetojnë.
Por, përveçse një festë e madhe popullore është në fakt edhe dita e madhe e shteti shqiptar, ku ne të gjithë, gjeneratat para nesh, gjeneratat pas nesh kanë pasur, kanë dhe do kenë mundësinë të shohim përmes kësaj dite se çfarë kanë qenë në gjendje të bëjmë në një moment të zymtë shqiptarët së bashku duke vendosur të vënë në dukje vullnetin e tyre shtetformues. Në këtë moment kur shteti ynë mbush 100 vjet dhe po bëhet pjesë integrale e një morie procesesh që lidhen me një perspektivë krejt të re të qenies së tij në kontinentin dhe në botën ku jetojmë, aspekti institucional i ditës së pavarësisë, besoj unë, merr një rëndësi të veçantë.
Me gjithë krizat dhe tronditjet e pafundme, shqiptarët ja kanë dalë në fund të fundit që pamjen institucionale të shtetit të tyre ta mbajnë larg folklorizmave dhe populizmave që shpesh herë e kanë dërrmuar Shqipërinë në ecjen e saj. Si çdo popull i civilizuar dhe si çdo përfaqësi politike e një populli të civilizuar, pavarësisht qasjeve se nga e shohim politikën, ne të gjithë të biem në një mendje se 100 vjetori i Pavarësisë nuk mund të jetë një moment që i referohet të shkuarës, por duhet të jetë një moment që me sytë nga e shkuara ne të shohim të ardhmen.
E, natyrisht, sot ne kemi mundësinë e jashtëzakonshme, por edhe sfidën e jashtëzakonshme që të ardhmen të mos e shohim siç e kemi parë, pak më shumë se një dekadë më parë, të ndarë dhe të pamundur për t’i bashkuar sytë dhe për të përcaktuar një pikë të përbashkët në horizont. Sot ne kemi mundësinë e madhe që ta projektojmë të ardhmen së bashku dhe që perspektivën europiane të shqiptarëve ta ndërtojmë së bashku, si një perspektivë e cila nuk mund të ndërtohet më së miri në rast se ne e ndërtojmë nga dy pika të ndryshme vështrimi. Besoj është koha për të gjithë ne që të reflektojmë mbi shumë kohë të humbur në këto vite lirie në të dy anët e kufirit dhe të fitojmë kohën e humbur duke projektuar një sistem arsimor të përbashkët, të integruar.
Kjo në mënyrë që ata që lindën vetëm nën një flamur në Shqipëri në flamurin e lirisë pas rënies së diktaturës, apo ata të cilët tanimë kanë hyrë në moshën e adoleshencës në Kosovë kanë lindur po ashtu nën një flamur lirie dhe jo nën flamurin e një fqinji që ishte imponuar si zot shtëpie, të mund të së bashku të ndërtojnë pikat e referimit në të ardhmen. Duke pasur të njëjtën qasje jo vetëm ndaj të shkuarës, por edhe ndaj gjithçkaje sot shkolla duhet t’u mësojë fëmijëve shqiptarë këtej dhe andej kufirit, për të qenë qytetarët e denjë të Bashkimit të nesërm Europian e jo qytetarë të dorës së dytë, e aq më keq akoma pastaj çirak me dije gjysmake.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!