"Demaskim"
Edhe e keqja sjellë një të mirë, thotë populli. Ne sot, për të tashmen themi, kjo e keqe na solli një të mirë të madhe. Duke besuar dhe duke shpresuar, përkundër arsyeve për të mos besuar dhe për të mos shpresuar. Në vendin tonë u krijuan kushte për zhvillimin e personave të maskuar, madje të maskuar (maskim, jo vetëm me një maskë).Shkruan: Flamur Sylejmani
Besimi qytetarë shfrytëzohej prej grupeve të vogla njerëzish. Sakrifikoheshin qytetarët për sigurimin e brezave të këtyre grupeve. Ndërrimi i maskave, siç ndodhi shpesh për gjatë 16 viteve, nuk u vërejt sa do të duhej të vërehej. Ky ndërrim maskash, u kuptua si ndryshim bindjesh, u kuptua si distancim i autorit nga vepra.
E që në fakt ishte vetëm ndërrim maske, drejtë realizimit të qëllimeve të reja. Në këtë mënyrë realizuan qëllimet, duke mos u penguar nga kritikat e mundshme për “punët” e kryera. Shfrytëzuan besimin, thyen shpresën. Edhe më i sinqerti humb besimin edhe më optimisti humb shpresën, përball rezultatit ngecës. Premtime, papërgjegjësi. Me këtë u ballafaqua shoqëria në vazhdimësi, vazhdimësi e thelluar vazhdimisht. U përdor edhe lufta, e cila mbetet vlerë e pa krahasuar.
Përdorej për të përfituar mbështetësit dhe protagonistët e saj. U shfrytëzua, për tu fyer më vonë. Fyerje që veç sa rrit vlerën e saj, në peshoren e të sinqertëve atdhedashës. Demaskim që do të duhej të ndodhte para fyerjeve dhe shqetësimeve të pa merituara. Në emër të luftës morën pushtetin. Pushtet, që u shfrytëzua kundër mbështetësve dhe kundër protagonistëve të vërtet të luftës. Sepse, ndërtuan pushtet me servilët, me të pa vlertë ambicioz, që nuk brengoseshin për pasojat.
Kjo, u mundësua me ndihmën e atyre që mbanin maskën e paqësorit. Kombinim maskash, për mjegull në errësirë. “Krah, për ti thyer krahët. “Paqësor”, për të dhunuar paqen. Përveç politikë-bërësve, të maskuar për gjatë gjithë kohës ishin edhe ata që do të duhej të ishin të pavarur, e që analizat e tyre të ndërtoheshin duke pasur për bazë parimin e paanshmërisë. Analistët. Sikur u krijua bindje në shoqërinë tonë, ata që prezantohen si profesionist të fushave të ndryshme, tu besohet pa rezerva!
Besim deri ne atë masë, ku mendimi i tyre të interpretohet saktësisht, nga bindja në paanshmëri (ashtu siç do të duhej të ishte). Të besosh, e të tradhtohesh. Na ndodhi kjo, besuam për të mos qenë të sinqertë ndaj vetës. Sepse besimi ndaj jo të sinqertit, është mos sinqeritet ndaj vetës. Vetëdijesimi pas pësimit, është mësim i vonuar. Demaskim me kosto. Demaskim shpresëdhënës.
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI