Atdheu im i sapolindur
Atdheu im! Do të jem sa më i shkurtë. Ndonëse, kemi shira të bollshëm, kemi mungesë të madhe për ujë.Shkruan: Mentor Haliti
Jo vetëm për shkak se vendi gjendet në një lartësi të konsiderueshme mbidetare, jo vetëm përse uji nuk mblidhet nëpër liqene, jo vetëm përse uji i mbetur shpenzohet menjëherë, por sepse uji bëhet i papijshëm.
Për shkak të ndotjes nga pesticidet që në shishet e gjetura mbajnë të stampuar shenjën e rrezikut të lartë. Këto ujëra të ndotura dëmtojnë jo vetëm shëndetin e njeriut, por të mbarë botës shtazore, si dhe të të gjitha qenieve të gjalla, përfshirë jetën e njeriut.
Atdheu im! Bërlloku gjendet në penda, në lumenj, në fushat blegtorale e në malet e banuara me pisha. E kemi helmuar një ambient të tërë me materiale të riciklueshme që kohëzgjatjen e dekompozimit në natyrë e kanë mbi njëmijë vjet.
Ndotja do duhej të ndiqte ritmin e zhvillimit të punimeve nëpër arat e bukës. Do të vazhdonte nëpërmjet efekteve anësore duke përdorur kimikate. Ky efekt do të pasohej nga trendi i zhvillimit bujqësor. Por, ne kemi kaq pak ara të mbjella me drithëra, me pemë e me perime, e megjithatë nivelin e ndotjes e kemi sikur të jetonim pranë ndonjë Megapoli.
Atdheu im! E kemi kontaminuar në pa kthim biosferën e këtushme; tokën, ajrin dhe ujin e mjedisit ku bashkëjetojmë. Aq shumë i kemi kushtuar vëmendje automobilave saqë një veturë e viteve të tetëdhjeta vlen më shumë se çdo përkushtim për ambientin dhe mjedisin. Gazrat e ndotin maksimalisht ajrin të cilin e përdorim për të ushqyer mushkëritë dhe trutë tanë.
Atdheu im! Thëngjilli i kësaj toke eksplatohet pa kushtëzim. Përkundër subvencioneve që iu janë bërë nga Qeveria, qytetarët vazhdojnë të kenë probleme të mëdha me taksat që paguajnë për KEK-un, si dhe për ajrin e helmuar.
Thëngjilli është pronë e qytetarëve të Kosovës. Ai thëngjill mund të përdoret vetëm për prodhimin e energjisë për qytetarët dhe jo e kundërta. Tymtarët do të duhej të përdornin filtrat në proporcion me standardet për një ajër të pastër. Ndërkohë, kostoja në shëndetin publik është duke u bërë gjithnjë e më e lartë.
Atdheu im! Jetesa e individit me kalimin e viteve është bërë e padurueshme. Optimizmi ka qenë fals. Dashuria ngjanë në një dukuri ekstraterrestriale. Nuk është e çuditshme përse qytetarët e zëvendësojnë vendin e tyre me secilin vend të botës.
Edhe me shtetet që shtrihen jashtë kufijve të Evropës. Qytetarët e Kosovës, ata që kanë marrë rrugën e emigrimit dhe ata që do të emigrojnë gjatë viteve në vazhdim nëse situata nuk merr për së mbari, nuk duhet të fajësohen përse kërkojnë një jetë më të mirë, gjetiu.
Ky është fati i tyre, dhe i llojit njerëzor, kërkimi i lumturisë. Duhet të parashtrojmë alternativë për t’ua dhënë shansin të gjithë atyre që para se të emigrojnë të kenë mundësi për të qëndruar, në atdhe.
Dhe pyetja themelore: Cilin atdhe? A kemi një atdhe? Ku e kemi ne shtëpinë? Ne qytetarët e Kosovës, të kujt jemi? Përgjigjen do ta gjejmë nëse do të evokonim kujtimet në venitje, nga viti “99, kur të gjithë ishim banorë që përndiqeshim nga një regjim i huaj, kriminal.
Ai ishte momenti kur ne ishim të shpërndarë, në tokën e askujt, pa emër, pa adresë e pa itinerar. Atëbotë, me gjasë ishim pa atdhe. Vërtetë, është e vështirë për individin të jetë i paatdhe, si në luftë edhe në paqe.
Të jesh pa atdhe është sikur të jesh pa ideal, pa ambicie, pa perspektivë e pa kurrfarë të ardhme. I fshirë nga domethënia e qenies. Pra, është me fat ai individ që ka jo një atdhe, por dy të tillë. Ky është realiteti, ky është emigrimi në shërbim të lëvizjes së lirë, ky është kuptimi i lirisë. Zhvendosje nga njëri skaj i lirisë në skajin tjetër të lirisë. Ky do të duhej të ishte vizioni i BE-së.
Atdheu im! Të sapolindurit e vitit “99, sot janë pesëmbëdhjetëvjeçarë. Ata kultivojnë një distancim të natyrshëm nga koha e luftës, ndërsa shtatëvjeçarët e sotshëm ruajnë një qëndrim më kritik ndaj dukurive sociale për të cilat gjeneratat e vjetra kanë konservuar një apati të mirëqenë. Ajo çfarë e ka bërë Evropën e sotshme nuk kanë qenë revolucionet, por renesanca dhe zhvillimi industrial.
Kjo do ta bëj këtë vend të denjë për qytetarët që duan të bashkëjetojnë këtu. Që duan ta kenë një atdhe të përbashkët. Një atdhe si Kosova. Një atdhe që është më i ri se qytetarët e tij.
Por, si duhet një atdhe kaq i ri? Si do të mësojë një bebe nga manuali, të cilin i duhet ta rishkruaj vetë? Si do ta rikompensoj kohën e qarjes së foshnjërisë?
Opinionet e autorit janë personale dhe nuk paraqesin mendimin e Portalit Informativ-TITULLI