A u shit çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Bruksel?
Befasia e përjashtimit definitiv të çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës, apo Kosovës Lindore nga Marrëveshja për normalizimin e marëdhënieve Kosovë-Serbi të 19 prillit 2013, në Bruksel, të nënshkruar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e komisioneres së lartë të Këshillit të BE-së, baroneshës Catherine Ashton, është e madhe, zhgënjyese, e papranueshme dhe definitivisht e pa kuptueshme! Shkruan; Nehat Hyseni;
Kur këtij akti makabër i shtohet edhe fakti se në reth 30 raunde bisedimesh, që kanë zgjatur të gjitha së bashku, reth 500 (pesëqind) orë bisedimesh e ballafaqimi të ekipit negociator të Kosovës dhe atij të Serbisë dhe në asnjë rast e në asnjë moment nuk janë përmendur shqiptarët në Serbi, e veçanërisht shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikur të mos ekzistonin ata fare, kjo vërtetë është shumë vështirë të besohet, e aq më pak të kuptohet e arsyetohet!
Po të ishte gjallë ish lideri (i kompromituar) komunist i Kosovës, Rrahman Morina, do të thoshte se këtu është në pyetje "një dreq i madh"!
Mbase, këtë "dreq të madh" mund ta dijë vetëm Hashim Thaçi dhe ekipi i tij negociator se për çka realisht bëhet fjalë?
Ose, thënë troç: do sqarohej arsyeja e kryetradhëtisë kombëtare të ekipit negociator kosovar dhe do hiqeshin dilemat dhe dyshimet se, a thua vallë, pse u shitë kauza e kësaj pjese të trungut shqiptarë, që jeton me shekuj në trojet e veta stërgjyshore?
Dilemat dhe dyshimet reth kësaj mjegullnaje dhe këtij misteri të pasqarueshëm politik, që nga shqiptarët e Luginës së Preshevës përjetohet si zhgënjim i rëndë, me mllef të papërmbajtur, si akt kryetradhëtie kombëtare. duhen sqaruar patjetër!
Sepse, kjo duket aq e pakuptimtë dhe aq e pasqarueshme, kur ekipi kosovar u paraqitë si "dele e butë", e zbutur dhe stërzbutur, që bënte "amin" me shërbimin e argatit dhe shërbëtorit të përkuljes së padinjitetëshme dhe të pakusht ndaj Serbisë, duke ia mundësuar asaj marrjen e ftesës për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Kurse, Kosova mbeti si "dele e zezë" në Europë e Ballkan, si shteti i vetëm i izoluar si në "karantin" nga bota e civilizuar dhe Europa, duke i lënë shqiptarët e Luginës së Preshevës plotësisht të pambrojtur dhe duke mos treguar minimumin elementar të ndjenjës kombëtare dhe të përkujdesjes vêllazërore ndaj tyre.
Enigma e përuljes së këtillë të Hashim Thaçit dhe ekipit të tij negociator dhe të kësaj kryetradhëtie kombëtare ndaj kësaj pjese të Shqiptarisë, paraqet makth mbytës dhe nxitë shumë dilema, se vallë pse u bë e gjithë kjo vepër antishqiptare e antikosovare?!
A thua vallë u shantazhua, u korruptua, apo ndoshta ishte i frikësuar nga diçka tjetër?
Apo ndoshta ishte ekip joprofesional, i pa ditur dhe i paaftë për t'u sjellur konform nevojave dhe interesave tona kombëtare e shtetërore?
Kosova u kantonizua ashtu si Bosna dhe u bë shtet plotësisht jofunksional, me formimin e Asociacionit të (dhjetë) komunave serbe, që realisht paraqet formim të ekuivalencës së Republika Srpska të Bosnes.
Pra, në Bruksel u shit definitivisht sovraniteti dhe pavarësia e Republikës së Kosovës dhe u tradhëtua në formën më jodinjitoze, të papërgjegjegjëshme e gjakëftohët kauza e shqiptarve të Luginës së Preshevës?
Por, prap na risillet në mendje pafundësisht pyetja: Vallë, pse ndodhi e gjithë kjo?
Afera e megakorrupsionit në EULEX që shpërtheu këto ditë si vullkan i fuqishëm në sipërfaqe, nga shitja e "drejtësisë" për para të majme, që sipas të gjitha gjasave, paraqet vetëm fillimin.
Natyrisht, poqese atë nuk e mbyllë dora e hekurtë e politikës.
Sepse, siç u deklarua në media, rrënjët e korrupsionit në EULEX janë të thella. Madje, sipas të gjitha gjasave, u paraqitën dyshime në media se ato mund të shkojnë deri tek baronesha Catherine Ashton?!
Poqese kjo del e vërtetë, do i zhgënjente keq shqiptarët në përgjithësi, e sidomos kosovarët, në drejtësinë europiane.
Por, hapja e "Kutisë së Pandorës" së të këqiave, punëve të pista, korrupsionit dhe mafiozllëkut të drejtësisë dhe politikës europiane në Kosovë dhe reth saj na çon më tutje në dyshimet radikale për gjithçka e keqe që ka ndodhur në Kosovë dhe reth saj.
Pra, imponohet pyetja dhe dilema se, a thua mos është korruptuar ekipi negociator i Kosovës në Bruksel?
Apo ndoshta mund të jetë shantazhuar?
Gjithësesi, në një atmosferë pasigurie dhe dyshimi, ghithçka vehet në dyshim!
Kjo është gjendje e tmerrëshme, kur dyshohet në gjithkend e në gjithëçka nê këtë vend.
Prandaj, puna e parë e Qeverisë së re, që shpresojmë të formohet së shpejti, patjetër duhet të jetë anulimi i Marrëveshjes së 19 prillit 2013 të Brukselit, duke e çuar çështjen në Komisionin e Venedikut, për ta vlerësuar rregullshmërinë juridike konform parimeve dhe normave ndërkombëtare, si dhe formimi i grupit të pavarur të hetimeve të gjithë asaj që ka ndodhur në Bruksel.
Shpresojmë se vetëm hetimet radikale dhe profesionale mund të na sqarojnë enigmat dhe mjegullnajês e dyshimeve të bazuara reth këtij veprimi makabër, qê e dëmtoi rëndë Kosovën dhe shqiptarët e Luginës dhe do i hapej rruga fillimit të njê faqeje të re të qeverisjes së Kosovës me "duar të pastra", duke iu dhënë grushti i merituar keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të deritanishëm.