Lokale
Nxënësit: E bëmë për t’u argëtuar se shumë monotoni (video)
(i plotësuar 17:50)
Nxënësit e shkollës “Sezai Surroi” në Bujanoc të cilët morën pjesë në kërcimin “Harlem Shake” gjatë një prononcimi për media kanë thënë se këtë e kanë bërë për argëtim.
Nga gjashtë nxënës që morën pjesë në këtë shfaqje “spektakulare” katër ishin marrë sot në pyetje në zyrën e pedagoges së kësaj shkolle.
Gazmend Rexhepi duke folur për rastin tha se kërcimin “Harlem Shake” nuk e kanë bërë për herë të parë ata, por një gjë të tillë e kanë bërë edhe televizioni KTV, skuadrat sportive si dhe organizatat religjioze dhe shumë të tjerë nëpër botë.
Ai tha si organizator i të gjithë këtij “kërcimi” është shoku i tij Guxim Hasani.
Në momentin që nxënësit u pyetën nga gazetari se a i kanë thyer rregullat edukative në shkollë, ata kategorish i mohuan.
“Rregullat nuk i kemi thyer aspak, nuk kemi penguar procesin arsimor dhe nuk i kemi thyer bankat, karriget dhe pasqyrën që janë në video”, tha Arben Salihu nxënës i klasës IV-2 që mori pjesë në këtë “kërcim”.
Nxënësit mohojnë kategorish që ky organizim të jetë bërë me ndonjë prapavijë.
“Organet e shkollës, kujdestari dhe profesorët nuk kanë qenë të informuar për këtë organizim, kjo është bërë spontanisht me vetëdëshirë dhe vetëdije të njeriut”, tha Gazmend Rexhepi.
Nxënësit pretendojnë se portali Titulli ka shfrytëzuar këtë rast për të “sulmuar” drejtorin e këtij institucioni arsimor, ndërsa veprimin e tyre e arsyetojnë “se ka monotoni dhe se hipjen mbi banka, shkelmimin e karrigeve e kanë bërë vetëm për argëtim”.
Ndërsa për veprimet e këtyre nxënësve drejtori Ilmi Ibrahimi ka paralajmëruar se do të marrë masa.
“Në mëngjes kemi shikuar regjistrimet e kamerave dhe kemi parë sjelljen e këtyre nxënësve. Menjëherë i kam ftuar në zyrën time dhe i kam thënë se do të dënohen më së paku me thyerjen e notës së sjelljes dhe qortimin nga drejtoria”, u shpreh Ibrahimi për Titullin.
Një qasje më ndryshe ndaj këtij rasti kishte pedagogu Shyrete Fetahu e cila tha se rasti duhet të dënohet sipas rregullores, por edhe se sipas saj “nuk ka qenë shumë tragjike”.
“Ndoshta po gabojë, por kjo mua nuk po më duket shumë tragjike, s’është diçka që se ka bë askush”, është shprehur Fetahu.
Ajo ka thënë se nuk është regjistruar diçka e dëmtuar dhe nuk është vërejt pengimi i procesit mësimor.
“Nuk është mirë që kanë hipë mbi bankë, por ata janë të ri”, ka shtuar pedagogu.
Në pyetjen e gazetarit se a është e lejuar ingjizimi me kamerë në klasë, ajo ka pranuar se një gjë e tillë është e ndaluar, ndërsa për kamerat që monitorojnë klasat dhe hapësirat tjera në shkollë ka thënë se kjo bëhet për të zbuluar dëmtuesit e inventarit./Titulli.com/
http://youtu.be/tsQXxRa5q4U
*****************************************************************************************************************************************************************
“Harlem Shake” ka “çmendur” nxënësit e shkollës së mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc
Trendi më i popullarizuar në internet “Harlem Shake” i cili po përhapet shumë shpejtë, ka prekur edhe shkollën e mesme “Sezai Surroi” në Bujanoc, por në këtë rast duke i thyer rregullat e sjelljes së nxënësve.
Në një video të shpërndarë nga nxënësit e klasës IV-2 në rrjetin social facebook, shihen disa nxënës të kësaj klase duke kërcyer mbi banka apo ngritur ato në ajër.
Titulli është interesuar për rastin mirëpo udhëheqësia e shkollës nuk ka njohuri për këtë ngjarje.
Shkolla e mesme “Sezai Surroi” e cila numëron rreth 1.300 nxënës kohëve të fundit është përballur me përjashtime të nxënësve të cilët më pas me vendime të inspektoratit i janë kthyer bankave të kësaj shkolle.
Drejtori në largim Ilmi Ibrahimi, rastin e kthimit të nxënësve të përjashtuar e ka arsyetuar me mosplotësim të procedurave, ndërsa kujdestarët thonë të kundërtën.
Kthimi i nxënësve që kanë plotësuar kushtet për përjashtim, si duket i ka dhënë zemër edhe më shumë duke u rebeluar me veprimet e tyre, si në këtë rast.
Kjo shkollë e cila në momentin e ndërtimit ishte me infrastrukturë dhe ambiente më mira se çdo shkollë tjetër në rajon, sot ka pësuar dëme sidomos në banka, karrige, dyer dhe ambiente të tjera.
Edhe pse shkolla posedon sistemin e vëzhgimit me kamera, ajo thuajse nuk përdoret fare në rastet kur dëmtohen ambientet ku zhvillohet mësimi./Titulli.com/
http://youtu.be/dLVJnQy7jc4
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!