Lokale
Taksa kufitare për Luginën prapë u debatua në Kuvend
Kuvendi i Kosovës ka vazhduar sot seancën plenare me debatin për rirregullimin e taksave të sigurimeve të automjeteve të udhëtarëve dhe ato transportuese të mallrave.
Në mungesë të përfaqësuesve të qeverisë, janë shprehur grupet parlamentare, me ç’rast opozita ka kërkuar zvogëlimin e kësaj takse për udhëtarë, pasi ato po dëmtojnë rëndë qytetarët.
Me iniciativën e deputetit të AAK-së Ramiz Kelmendi Kuvendi debatoi për rirregullimin e taksave për automjete, qytetarë dhe mjeteve transportuese.
Ai ka propozuar që këto taksa të ulen dhe një pjesë e pagesës së taksave ti merrë përgjegjësi edhe shteti i Kosovës, sidomos për qytetarët e Luginës së Preshevës. Ndonëse askush nuk ishte i pranishëm nga Qeveria në Kuvend, grupet paralementare u deklaruan në këtë debat.
Ramiz Lladrovci nga PDK-ja tha se sigurimi kufitar është sigurim i obliguar me ligj për të gjitha automjetet me tabela të huaja që hyjnë në Kosovë, pasi Kosova ende nuk është anëtare e Burosë ndërkombëtare të Kartonit të Gjelbër.
Arsim Deshishku nga LDK-ja e konsideron se sigurimi kufitar është problem i rëndë pasi krijon kosto shtesë për ata që kanë targa të shteteve tjera, por edhe për qetarët që jetojnë në Luginë të Preshevës. Për këtë arsye Deshishku tha se Kosova do të duhej të lidhë marrëveshje bilaterale edhe me Serbinë për njohje të polisës së sigurimeve.
Afrim Kasolli nga Vetëvendosja tha se mërgimtarët janë më të dëmtuarit, ndërsa përfituese janë kompanitë e sigurimeve dhe buxheti i Kosovës.
Donika Kadaj nga AAK-ja tha se ne nuk kërkojmë heqje të taksës por zvogëlimin e saj.
Ndërsa Myzeine Selmani nga AKR tha se kjo çështje është politike dhe ka të bëjë me kompanitë e sigurimeve.
Ndryshe Kuvendi ka vazhduar me deklarime parlamentare./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!