Lokale
Studentët e Gjilanit në muzeun e “Komandant Lleshit” në Tërnoc (foto)
Dhjetëra studentë, në shoqëri të profesorëve, stafit akademik dhe Dekanit të Fakultetit Juridik nga Universiteti Publik i Gjilanit “Kadri Zeka”, kanë qëndruar sot në komunën e Bujanocit
Qëndrimi i tyre ka nisur me vizitën në muzeun e “Komandant Lleshit” në Tërnoc, ku për së afërmi janë njohur me veprën e Ridvan Qazimit si dhe të dëshmorëve tjerë të UÇPMB-së.
Kryetari i Bashkësisë Lokale të Tërncocit, Agim Haliti me këtë rast ka përshëndetur të pranishmit duke folur për veprën e dëshmorit Ridvan Qazimi – “Komandant Lleshi”.
Me të kryer këtë vizitë, mysafirët nga Gjilani kanë bërë homazhe tek lapidari i dëshmorëve po në Tërnoc, ku prehet komandanti me bashkëluftëtarin e lirisë Besim Faiku, raporton Titulli.
Pjesë e agjendës së përfaqësuesve të Universitetit “Kadri Zeka” ishte edhe vizita në shkollën e mesme “Sezai Surroi”, ku patën rastin të shohin mënyrën e funksionimit të kësaj vatre arsimore me mësim në gjuhën shqipe.
Me këtë rast një elaborim rreth shkollës së vetme të arsimit të mesëm në Bujanoc, e bëri drejtori Zejni Fejzullahu, duke i dëshiruar mirëseardhje studentëve nga Gjilani.
Gjatë mesditës, pritja e organizuar e mysafirëve ishte transferuar në shtëpinë e kulturës, ku përveç një program kulturo-artistik nuk munguan fjalimet si nga nikoqirët ashtu edhe mysafirët.
Hapjen e bëri shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, derisa kryetari i kësaj komune Nagip Arifi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar, duke theksuar se shqiptarët do të jenë të bashkuar në Evropën e Bashkuar.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Komunës së Bujanocit Jonuz Musliu, falënderoi studentët si dhe stafin përcjellës për këtë vizitë vëllazërore që ia kanë bërë komunës së Bujanocit, duke shpresuar se takimet e tilla në të ardhmen do të intensifikohen edhe më shumë.
“Kemi hasur në një pritje madhështore tek nikoqirët”, u shpreh Flamur Hyseni, Dekan i Fakultetit Juridik pranë UP “Kadri Zeka” – Gjilan.
Ai njëherit theksoi se “ky Universitet i ka dyert e hapura për studentët e komunave Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë”.
Pas përfundimit të programit kulturoro-artistik, stafi akademik është pritur në zyrën e kryetarit të komunës së Bujnocit Nagi Arifit, derisa më vonë për mysafirët, përfshirë edhe studentët nga Gjilani, është shtuar një drekë në restorant “Rozafa” në Bujnaoc./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!