Lokale
Edhe Prishtina si bashkoi dot, vendoset në mbledhjen e Preshevës
Ka përfunduar në Prishtinë takimi i paralajmëruar në mes të liderëve politikë të Luginës si dhe udhëheqësisë së Republikës së Kosovës.
Një takim i "nxehtë" është zhvilluar brenda zyrave të Ministrisë për integrime Evropiane, ku ministrja Vlora Çitaku, përfaqësuese e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga liderët e Luginës që brenda një afati të shkurt kohor t’i harmonizojnë kërkesat e tyre, përkatësisht me qëndrim të përbashkët të dalin rreth zgjedhjeve Parlamentare që do të mbahen më 16 mars në Serbi.
Përveç kësaj, Çitaku, liderëve nga Presheva e Bujanoci i ka kërkuar që në të njëjtën kohë të merren vesh mes vete edhe rreth koordinimit për bisedat e pezulluara përkohësisht me Serbinë dhe jo të shkojnë në to të përçarë dhe të pa koordinuar.
Sipas burimeve të Titullit nga anëtarët e delegacionit të Luginës që morën pjesë në këto bisedime, aty janë hapur të gjitha temat, mirëpo edhe në këtë takim me ministren janë vërejtur përçarjet mes politikanëve nga Lugina.
[caption id="attachment_95184" align="aligncenter" width="640"] Foto nga vizita e Vlora Çitakut në Preshevë[/caption]
Titulli ka arritur të mësojë se nëse partitë politike do të vendosin për të marrë pjesë në këto zgjedhje Parlamentare, atëherë kompromisi do të ishte që kandidatët të mos jenë të afërt me ndonjë nga subjektet politike.
Në opinionin e Luginës, pas mbledhjes në Tiranë me ministrin Ditmir Bushati, u përfol se një vend të koordinatorit apo deputetit do të mund ta zinte kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi, mirëpo, përfaqësues të partive në Bujanoc, i kanë thënë Titullit se janë kategorikisht kundër këtij propozimi, duke pohuar se Kamberi është i afërt me Partinë për Veprim Demokratik.
Dita e enjte do të jetë edhe e fundit kur do të provohet edhe njëherë të arrihet ndonjë marrëveshje kompromisi mes liderëve të subjekteve politike të Luginës së Preshevës.
Të enjten në orën 15h, në Preshevë do të zhvillohet edhe një takim i përbashkët i liderëve për të tentuar për herë të fundit arritjen e një marrëveshje për të marrë pjesë në këto zgjedhje Parlamentare me një liste të përbashkët.
Se sa do të munden liderët politik të Luginës të bashkojnë kokat, pasi tokat deri sot nuk mundën, le t’ia lëmë kohës së caktuar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë./Titulli.com/
***************************************************************************************************************************************
Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës janë ftuar sonte në një takim tek kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Takimi do të fillojë në ora 18:00, ndërsa kohëzgjatja e tij nuk është e parashikuar, njoftojnë burimet e Titullit përbrenda qeverisë së Kosovës.
Të njëjtat burime kanë pohuar se ftesa për takim iu është dërguar të gjithë prijësve politik dhe institucional nga Lugina.
“ Kjo do të jetë hera e fundit që përfaqësuesit e Luginës ftohen në këtë përbërje, ngase njëra nga temat e diskutimit dhe kërkesa e ekzekutivit kosovar do të jetë krijimi i përbërjes së ngushtë të delegacionit, i cili do të shërbente si reprezentativ në të ardhmen, për bisedimet me zyrtarët e qeverisë serbe, përfaqësuesit e Bashkësisë Ndërkombëtare, por edhe faktorit mbarëkombëtarë “, njofton burimi ynë.
Megjithatë, temë kyçe e takimit të sotëm do të jetë unifikimi i faktorit politik të Luginës për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 16 marsit në Serbi.
“ Në këtë drejtim, duke dashur të eliminojë ndasitë brenda bllokut të subjekteve të Luginës, zyrtarët kosovarë pritet që mysafirëve të sotëm t’ia përcjellin qëndrimin që bartës së listët për deputetë të jenë dy përfaqësues nga shoqëria civile. Njëkohësisht, kjo është edhe kërkesë e Tiranës zyrtare “, pohon një burim tjetër, por kësaj here përbrenda delegacionit të Luginës.
“ Pas takimit të sotëm, liderët e Luginës do të kenë një afat kohor prej dy ditësh që Prishtinës dhe Tiranës t’ia paraqesin emrat e kandidatëve për listën zgjedhore ”, ka thënë ndër të tjera burimi i portalit Titulli.
Nga ana tjetër, edhe burime tjera si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë, pohojnë se ” kësaj here kërkesat, të cilat janë të koordinuara midis qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës, janë të prera si kurrë më parë dhe të modifikuara sipas parimit “ merre ose leje “.
Në rast se liderët e Luginës nuk merren vesh mes veti, brenda afateve të parapara,atëherë, sipas burimeve tona, njëherë e përgjithmonë duhet t’ia bëjnë “ bye-bye “, si Prishtinës, ashtu edhe Tiranës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!