Salihu: Ta ruajmë trashëgimin kulturore të Luginës , institucionet më shumë përkrahje
Lokale

Salihu: Ta ruajmë trashëgimin kulturore të Luginës , institucionet më shumë përkrahje

20.Oct.2014 13:23
0

Pushtetet lokale duhet më tepër të bëjnë në ruajtjen e trashëgimisë, përndryshe ato do të shkatërrohen edhe më dhe rrezikohen të shkatërrohen tërësisht, por pastaj është vonë dhe me shkatërrimin e tyre rrezikojmë dëshminë tonë shekullore se jemi autoktonë në këto treva, thotë në një intervistë për Portalin Informativ-TITULLI Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatë për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginës të Preshevës.

Ai deklaroi se me Këshillin Kombëtar  Shqiptarëve pati një angazhim, por jo të mjaftueshëm në zhvillimin e disa aktiviteteve kulturore dhe sipas tij KKSH duhet më tepër të bëjë dhe marrë kompetenca në drejtim të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë materiale.

 

 

I nderuari zotr. Salihu, udhëhiqni një organizatë  me mision për ruajtjen dhe trashëgimin kulturore të shqiptarëve në këtë rajon. Sa po ruhet trashëgimia kulturore tek shoqëria jonë?

Salihu: Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës me seli në Preshevë u themelua më 16 tetor 2010 dhe para disa ditësh ajo mbushi 4 vjet nga themelimi i saj. Më 11 tetor mbajtëm Kuvendin e Dytë Zgjedhor, ku përsëri u zgjodha për kryetar të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore. Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari kulturore ngërthen në vete dy veprimtari me shumë rëndësi kulturore, do të thosha edhe kombëtare, atë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në Luginë të Preshevës dhe kultivimin e krijimtarisë kulturore në Luginë të Preshevës. Edhe në raportin tim 4 vjeçar të punës së Shoqatës , po edhe të diskutimeve të anëtarëve të Shoqatës në Kuvend u tha dhe u konstatua se Shoqata gjatë këtyre viteve ka bërë aktivitete të bollshme, në regjistrimin e trashëgimisë kulturore dhe asaj natyrore në Rajonin e Preshevës dhe Bujanocit, por i mbetet detyre që të njëjtën punë ta bëje edhe në rajonin e Medvegjës, në  ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore të Luginës nëpërmjet organizimeve të Konferencave shkencore, tribunave e simpoziumeve shkencore, ku pati tema bosht me rëndësi jetike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, në botimin e këtyre kumtesave nga këto konferenca në libra, në të cilat morën pjesë studiues nga Shqipëria, Kosova, studiues shqiptarë nga Maqedoni dhe Lugina e Preshevës, në realizimin e dy projekteve, me të cilët u hulumtua, u identifikua, u regjistrua, u fotografua, u bë matja e pozitës gjeografike, u filmua dhe u plotësuan formularët e hartuar adekuat të më shumë se 850 vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në rajonin e Preshevës dhe të Bujanocit, ndërsa në kultivimin e krijimtarisë kulturore u organizuan promovime librash shkencor, botimi i librave shkencore, organizimi i shumë akademive solemne e përkujtimore.

Lirisht mund të themi se Shoqata përmbushi misionin e vet në këtë drejtim, në aspektin kulturor po edhe kombëtar.

Mirëpo, ajo që po na brengos shumë është se trashëgimia jonë materiale dita ditës shumë po shkatërrohet dhe nuk po ruhet sa duhet. Shoqata për Trashëgimi nuk ka kompetenca më shume se ato aktivitete që i përmenda, sepse mbrojtja dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore është kompetencë e Ministrisë së Kulturës në Beograd që nëpërmjet Entit për mbrojtjen e vlerave dhe monumenteve kulturore ta bëjë mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë tonë në Rajonin e Preshevës, Bujanocit dhe të Medvegjës. Shoqata me mundësitë e saja po bënë çmos që edhe ato pak vlera të trashëgimisë kulturore që kanë mbetur të paprekura të ruhen, Kështu në planin tonë të ardhshëm kemi vendosjen e tabelave me mbishkrim në lokalitetet e trashëgimisë kulturore ku i bëhet vërejtje çdo persona që mos ta dëmtoj. Fatkeqësisht, trashëgimia jonë materiale është shkatërruar nga dora e njeriut dhe po rrezikohet shume që të shkatërrohet tërësisht. Sidomos kohëve të fundit në lokalitetet e trashëgimisë lajmërohen njerëz të pa ndërgjegjshëm, arkeologë amatorë të cilët gërmojnë pa lejen e Ministrisë së Kulturës dhe lejen tonë. Këta në kërkim të të mirave materiale gjatë gërmimit shkatërrojnë shumë vlera dhe eksponate të trashëgimisë kulturore. Shoqata për Trashëgimi disa herë ka intervenuar në drejtim të mbrojtjes, mirëpo as Enti për Mbrojtjen e monumenteve në Nish as organet të tjera nuk kane ndërmarrë ndonjë aksion. Rasti te Autoudha Preshevë-Kumanovë, afër kufirit, rasti në Bukuroc, rasti në Gradinën e Tërnocit e shumë raste të tjera. Të kuptohemi edhe dora e njeriut të rëndomtë prish dhe shkatërron vlerat e trashëgimisë kulturore, siç është rasti i Kalasë së Preshevës e disa raste të tjera, ku për ndonjë rrasë guri prishet muri i kalasë.

Poashtu në ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore rolin e vet shkatërrues e ka edhe nëna natyrë e cila pamëshirshëm shkatërron gjithë thesarin e trashëgimisë kulturore. Në këtë drejtim Shoqata për Trashëgimi i ka duart e lidhura, sepse nuk ka kompetenca të intervenoje, por detyre është e institucioneve republikane që të intervenojnë me gërmime arkeologjike, me adaptime dhe me mbrojtje të vlerave të trashëgimisë kulturore.

Rajoni i Preshevës dhe Bujanocit është përplot me vlera të trashëgimisë kulturore ilire-dardane-shqiptare, andaj edhe mosinteresimi adekuat i institucioneve serbe për to.

 

Ndërsa në aspektin e krijimtarisë kulturore, sa po punohet në këtë drejtim?

Salihu: Shoqata për Trashëgimi  dhe Krijimtari kulturore pati disa aktivitete kulturore që i përmendën më lartë në drejtim të zhvillimit të jetës kulturore në Luginë të Preshevës. Aq sa po na lejojnë mundësitë kadrovike dhe financiare, Shoqata pati aktivitete të bollshme të krijimtarisë kulturore. Në mungesë të boshllëkut të aktiviteteve kulturore të institucioneve kulturore, Shoqata për Trashëgimi dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” po bëjnë mjaftë në zhvillimin e aktiviteteve kulturore duke organizuar forma të ndryshme të aktivitetit kulturor.

 

Këshilli Kombëtar Shqiptar 4 vite pas themelimit,  mendoni se është angazhuar mjaftueshëm në fushën e kulturës dhe ruajtjen e saj?

Salihu: Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve pati një angazhim, por jo të mjaftueshëm në zhvillimin e disa aktiviteteve kulturore, por ai duhet më tepër të bëjë dhe marrë kompetenca në drejtim të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë materiale. Këshilli Kombëtar intervenoi me mjete në organizimin e disa aktiviteteve kulturore, por në drejtim të mbrojtjes dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore nuk pati angazhim të duhur. Shoqata për Trashëgimi pati një bashkëpunim me Këshillin Kombëtar, por jo të mjaftueshëm, sidomos të sigurimit të mjeteve financiare për projektet e Shoqatës në drejtim të realizimit të projekteve në Preshevë dhe Bujanoc.

 

Pushtetet lokale në Bujanoc e Preshevë, nuk ndajnë edhe fonde të mjaftueshme për fushën e kulturës, si e shpjegoni ju këtë?

Salihu: Pushteti lokal në Bujanoc në fillim sikur hezitoi të ndajë mjete për Shoqatën për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, mirëpo dy vjetët e fundit ndau mjete të konsiderueshme  për aktivitetin e Shoqatës, sidomos në realizimin e projektit të regjistrimit të trashëgimisë kulturore në Rajonin e Bujanocit, ndërsa pushteti lokal në Preshevë për fillim, në themelim na ndau mjete financiare për aktivitetet e Shoqatës, më vitin 2012 dhe 2013 nuk ndau mjete të mjaftueshme, ndërsa këtë vit, më 2014 ndau mjete nga buxheti dhe financoi aktivitetet tona.

Shoqata për Trashëgimi kulturore ka nevoje për më shumë mjete nga buxhetet komunale, sepse ajo nuk është fitimprurëse, nuk prodhon dhe veprimtaria e saj varet prej buxheteve komunale e donatorëve. Pa ndihmën e tyre nuk mund të zhvillojmë aktivitete dhe ta përmbushim pos aspektin kulturor edhe atë kombëtar.

 

Çfarë duhet të bëjnë institucionet që merren me fushën e kulturës dhe qeverisjet lokale që kulturën tonë ta trashëgojmë breza të rij dhe zakonet tona ti prezantojmë edhe në vendet e rajonit e  më gjerë?

Salihu: Për institucionet kulturore në fushën e kulturës nuk po flasë, sepse ato kanë programin e tyre të punës, statutin me të cilin udhëhiqen, por të them se duhet të bëjnë më tepër në zhvillimin e kulturës.

Pushtetet lokale duhet më tepër të ndihmojnë institucionet kulturore duke ndarë mjete financiare, ndërsa Shoqatën për Trashëgimi ta mbështesin edhe më tepër me mjete financiare që ajo pastaj ta kthejë me veprimtari dhe aktivitete më të bollshme kulturore dhe në ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Pushtetet lokale duhet më tepër të bëjnë në ruajtjen e trashëgimisë, përndryshe ato do të shkatërrohen edhe më dhe rrezikohen të shkatërrohen tërësisht, por pastaj është vonë. Dhe me shkatërrimin e tyre rrezikojmë  dëshminë tonë shekullore se jemi autoktonë në këto treva. Kohëve të fundit shumë dëshmi, shumë prova, të dhëna arkeologjike, historike, kulturore po shkatërrohen e po humbin, andaj është koha që pushtetet lokale të japin mundin në drejtim të mbrojtjes dhe ruajtjes së pasurive dhe vlerave të shumta ilire-dardane-shqiptare në Luginën e Preshevës.

Tensionimet shqiptaro-serbe më së rëndi i përjetonë Lugina
A po rrezikohet emblema historike e shqiptarëve në Serbi?!
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration