Rasti i gazetarit Khashoggi: Evropa duhet të ndryshojë qasjen ndaj Arabisë Saudite
Zhdukja dhe vdekja e mundshme e gazetarit sauditJ amal Khashoggi na jep një tjetër mesazh të frikshëm mbi gjendjen aktuale të Lindjes së Mesme. Vdekja e tij e pretenduar është tragjike, por thekson ndërkohë edhe shkallën e mosndëshkimit absolut të krimeve, që po përjeton i gjithë rajoni, duke përfshirë edhe një shtet që është ndoshta aleati më i afërt rajonal i Evropës dhe Perëndimit.
Arabia Saudite, ka mohuar me forcë çdo përfshirje në zhdukjen e Khashoggi, por mosdalja e tij nga konsullata saudite e Stambollit, e ka vendosur Riadin në pozitën e një fajtori të dyshuar. Burime të qeverisë turke, pohojnë se ekzistojnë prova që dëshmojnë se gazetari është vrarë brenda në konsullatë.
Në shumë aspekte sjellja e dyshimtë e Arabisë Saudite, është përfaqësuese e më gjerë e dukurisë së përkeqësimit të ndjeshëm të respektimit të normave ndërkombëtare në të gjithë rajonin, dhe madje globalisht, duke marrë parasysh arrestimin e fundit të kreut kinez të Interpolit nga Pekini, dhe të shënjetrimit të pretenduar të Rusisë ndaj qytetarëve të saj në Mbretërinë e Bashkuar.
Nëse vërtetohet të jetë orkestruar nga Arabia Saudite, vrasja e dyshuar e Kashogit, nuk do të përfaqësonte shkeljen më të hapur të këtyre standardeve gjatë viteve të fundit, me natyrën e luftës në Jemen, që meriton një vëmendje shumë më të madhe.
Por, duke pasur parasysh afërsinë e marrëdhënieve midis shteteve evropiane dhe Arabisë Saudite, skandali i fundit, po i detyron qeveritë europiane të vënë në pikëpyetje marrëdhëniet e perceptuara si të pakushtëzuara me shtetet e Gjirit. Në tërësi, evropianët kanë të ngjarë të vazhdojnë t’i japin përparësi interesave të perceptuara strategjike dhe ekonomike me Arabinë Saudite.
Por sjellja e vendit arab, po e ekspozon gjithnjë e më shumë dobësinë e konceptit, se përqafimi është qasja më e mirë. Administrata amerikane, ka refuzuar të ushtrojë presion ndaj Riadit gjatë muajve të fundit, edhe pse Donald Trump po kërkon tani me ngulm përgjigje mbi fatin e Kashogit.
Nëse evropianët dështojnë të ushtrojnë një presion të fortë ndaj Riadit, për të marrë një përgjegjësi më të madhe për veprimet e veta, ata rrezikojnë ta inkurajojnë atë drejt zgjedhjeve edhe politikave më të rrezikshme. Qeveritë evropiane, duhet më së paku të kërkojnë që Arabia Saudite të pranojë një hetim të pavarur mbi fatin e Khashoggit.
Por një proces i tillë, ka rrezik të përqendrohet më shumë në gjetjen e një rruge të shpëtimit të fytyrës nga kriza, sesa në zbardhjen e asaj që ka ndodhur vërtet. Nëse Riadi i beson vërtet pretendimeve të tij, se nuk ka gisht në zhdukjen e gazetarit, nuk duhet të ketë frikë nga një hetim i pavarur.
Por evropianët, duhet ta shoqërojnë këtë qasje me presion të përtërirë ndaj aleatëve të tyre të ngushtë në Riad, për të hequr dorë nga politikat rajonale kundërproduktive. Kjo nuk do të ishte ndryshe nga mënyra se si evropianët, me të drejtë në mënyrë të vazhdueshme, nxisin vendet e tjera si Irani, të ndalojnë politikat e tyre agresive rajonale.
Evropianët nuk kanë qenë miopë ndaj natyrës problematike të disa politikave saudite, por përgjigja e tyre e preferuar, ka qenë pëshpëritja e ndikimit moderues në “veshët” e sauditëve. Princi saudit i kurorës dhe sundimtari de fakto i vendit, Muhamed bin Salman (MBS), ka gëzuar një mbështetje të madhe ndërkombëtare që nga viti 2015, kur babai i tij u bë mbret.
Qeveritë perëndimore e shohin MBS-në si mjet për një transferim të qetë breznor të pushtetit,
si dhe autor të një programi reformash urgjentisht të nevojshme, të cilat gëzojnë një mbështetje të fortë në vend. Reformat e tij, janë përqendruar në thellimin e diversifikimit ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të zvogëluar varësinë nga të ardhurat e naftës, si dhe në një shkallë të moderuar të liberalizimit social.
Duke iu druajtur një dështimi saudit për të menaxhuar në mënyrë efektive sfidat e brendshme, qeveritë evropiane e kanë mbështetur në tërësi këtë axhendë të brendshme. Por që nga fillimi, është i qartë që ky vizion shoqërohet nga nuanca të forta autoritare, me MBS që të njëjtën kohë i mbyll gojën çdo zëri opozitar në vend.
Kjo ka përfshirë shënjestrimin e atyre, që do të dukeshin më së miri si “motori” i agjendës së deklaruar të reformave, duke përfshirë burgimin e pjesëtarëve të komunitetit të biznesit privat dhe aktivisteve femra, që udhëheqin kauzat për të drejta më të mëdha për gratë. Dhe zhdukja e gazetarit Kashogi, i përshtatet këtij “modeli”.
Mbështetës për një kohë të gjatë i sistemit mbretëror saudit, dhe ish-këshilltar i një princi të shquar, Kashogi u shfaq si një kritik i spikatur, megjithëse ende i modruar, i MBS pas largimit vendi i tij në qershorin e vitit 2017. Zhdukja e tij e dyshuar dhe vrasja e mundshme në Turqi, nëse provohet se është organizuar nga Arabia Saudite, përbën një njollë të rëndë për udhëheqjen saudite.
Nxitja për reformat e brendshme, shoqëron një politikë të jashtme po aq agresive dhe të ashpër, që synon përballjen me armiqtë e perceptuar rajonalë. Shembulli më i qartë është lufta në Jemen, ku Arabia Saudite ka shqetësime legjitime të sigurisë, duke pasur parasysh praninë e rebelëve huthi, të mbështetur nga Irani në kufirin e saj jugor.
Por politikat ushtarake të mbretërisë, e kanë çuar shtetin jemenas drejt kolapsit, dhe kanë shkaktuar katastrofën më të rëndë humanitare në botë. Diku tjetër, bllokada e vazhdueshme e Katarit, e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ka paralizuar Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, që ishte më parë një nga organet ndërshtetërore më funksionale të rajonit.
Thuhet gjithashtu se Riadi mori peng nga Libani, kryeministrin Sad Haririn në vitin 2017, duke e detyruar atë të jepte dorëheqjen – një hap që më vonë u anulua – për shkak të besimit të sauditëve, se qeveria libaneze është nën kontrollin e Iranit. Të mbledhura bashkë, këto vetëm sa kanë shtuar në mënyrë të rrezikshme mosmarrëveshjet rajonale, edhe nëse sauditët i kanë disa shqetësime legjitime.
Hiper-agresiviteti i brendshëm dhe rajonal i vendit, duhet t’i detyrojë politikëbërësit evropianë të vënë në pikëpyetje qasjen e tyre aktuale ndaj Riadit. Por ajo është e kushtëzuar në masë të madhe nga frika, se çdo qëndrim më i ashpër, do të prishë marrëdhëniet, duke përfshirë edhe ato në sferën e rëndësishme ekonomike.
Evropianët, nuk janë në gjendje të luajnë një rol vendimtar në moderimin e sjelljes saudite, për aq kohë sa administrata amerikane dikton efektivisht sjelljen e sauditëve. Duket se mbështetja e pakushtëzuar amerikane për Arabinë Saudite, e cila bazohet kryesisht mbi një antipati të përbashkët ndaj Iranit, ka nxitur impulset më të këqija të mbretërisë.
Një kërkesë e vendosur dhe e përbashkët evropiane, për një hetim transparent mbi vendndodhjen e Kashogit, dhe një përgjigje e përshtatshme në mënyrë të duhur ndaj rezultateve të saj, mund të luajë ende një rol në formësimin e sjelljes së vendit arab. Këtu është e domosdoshme që Britania e Madhe dhe Franca, të cilat janë më afër Arabisë Saudite, të jenë në një front të bashkuar me partnerët evropianë.
Fakti që edhe Trump po bën pyetje në lidhje me këtë episod të fundit, ofron një hapësirë të kufizuar, për të nisur një ndryshim të kursit ndaj Riadit. Kjo është urgjentisht e nevojshme, duke pasur parasysh rrezikun e zmadhimit më të gjerë në rajon të kësaj dukurie. Arabia Saudite mbetet një lojtar jetike, për ata që kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për sfidat e thella të Lindjes së Mesme, dhe Evropa duhet të shtojë përpjekjet e veta, për të gjetur zgjidhje për konfliktet e shumta rajonale.
Por vdekja e dyshuar e Kashogit, duhet të imponojë një llogaridhënie të vonuar, çka do të thotë se biznesi nuk mund të vazhdojë normalisht, nëse politikat e Riadit dëshmohen kaq shumë të dëmshme, për synimin e përbashkët të stabilizimit të Lindjes së Mesme.
(Autor: Julien Barnes-Dacey Botuar në European Council of Foreign Relations, përkthyer nga bota.al)