Lokale
Pus të ri për të furnizuar qytetarët me ujë
Ndërmarrja Publike “Komunalia” do të bëhet edhe me një pus të ri i cili do të shërbejë për furnizim më të mirë të qytetarëve me ujë të pijshëm.
Përfaqësuesit e programit EU Progres që financojnë këtë projekt së bashku me kryetarin e komunës së Bujanocit, sot kanë qëndruar në stacionin për furnizim me ujë, në dalje të Bujanocit, në rrugën për në fshatin Lluçan.
Në këtë lokacion do të hapet pusi i 14-të për të përmirësuar gjendjen e furnizimit me ujë.
Sipas palëve, ky pus do të ketë kapacitetin nga 10 deri në 12 litra për sekondë me furnizim me ujë të pijshëm.
“Ne kemi bërë një kërkesë programit “Progres”, program i cili financohet nga Bashkimi Evropian për hapjen e një pusi, në këtë vend ku mendohet se ka ujë për ta rritur kapacitetin e ujit në qytetin e Bujanocit. Sipas asaj që kanë dhënë ekspertët, me hapjen do të rritet kapaciteti i furnizimit edhe me 10 litra ujë në sekondë”, thotë kryetari Arifi, raporton Titulli.
Jasmina Illiq, udhëheqëse e komponentëve të infrastrukturës nga EU-Progress, thotë se ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me komunë e Bujanocit nëpërmjet programit EU-Progress, mjetet janë të siguruara nga Unioni Evropian dhe Qeveria e Zvicrës.
“Projekti ka vlerën 4 milion e 200 mijë dinarë, ndërkaq kapaciteti i pusit pritet të jetë 12 litra në sekondë çka jam e sigurt se nuk do ta zgjidh problemin komplet me ujë të pijshëm në komunën e Bujanocit, por është një gjë e mirë sepse kjo do të thotë një fillim për zgjidhjen e problemit të ujit në komunë ne Bujanocit. Presim që punimet të kryhen sa më shpejt dhe ky pus të hyjë në funksion në fillim të dhjetorit”, potencoi Illiq.
Buxheti i komunës së Bujanocit për pusin e ri do të ndajë edhe 1 milion dinarë për nevojat e elektrifikimit deri tek shpimi i ri.
Sipas kontratës që është nënshkruar në mes pushtetit lokal, programit Progres dhe kryerësit të punës “VodoTeknika” nga Beogradi, punimet për hapje e pusit do të fillojnë javë e ardhshme./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!