Lokale
Policia e di se kush ishte shoferi
Ngasësi i makinës “Audi” i cili aksidentoi për vdekje policin Goran Gjorgjeviq tashmë është i njohur për policinë.
Kanë kaluar katër ditë nga aksidenti me fatalitet në afërsi të fshatit Tërnoc, ndërsa njësitë e zbulimit të policisë së Serbisë tashmë kanë identifikuar shoferin i cili me makinën “Audi” shtypi për vdekje policin Gjorgjeviq.
Konfirmimin se për policinë është i njohur autori i vrasjes, e bëri sot drejtori i policisë Millorad Veljoviq, pas pjesëmarrjes në ceremoninë mortore në Kërshevicë të Bujanocit.
“Me siguri që e dimë edhe kryesinë e kësaj vepre, mirëpo për të mos penguar hetimet dhe punët tjera që po bëjmë në këtë moment nuk mund të jap këto të dhëna”, u shpreh Veljoviq, raporton Titulli.
Vlen theksuar se liderët shqiptarë të Luginës të cilët sot morën pjesë në bisedimet për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në jug të Serbisë me përfaqësuesin e Qeverisë, kryetarin e Trupit Kooordinues, Zoran Stankoviq, kanë gjykuar këtë akt “të shëmtuar dhe kriminel” i cili ka tronditë qytetarët serb dhe shqiptar të komunës së Bujanocit e Preshevës.
Polici Goran Gjorgjeviq u aksidentua të hënën, ndërsa të mërkurën ndërroi jetë në qendrën Klinike në Nish.
Nga ajo kohë është gjetur makina “Audi” e cila besohet të jetë ajo që ka goditur për vdekje policin, ndërsa si i dyshuar që ka qenë në makinë në rolin e pasagjerit është arrestuar Reshat Bajrami nga Tërnoci, të cilit tashmë i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!