Lokale
Promovohet libri “Kur lulëzoi pritja” e autores Diniela Lera – Vehbiu
Në Bujanoc sot është bërë promovimi i librit të parë me poezi dhe prozë e shkrimtares, gazetares, moderatores nga Shqipëria, Diniela Lera – Vehbiu
Një libër, siç thotë edhe autorja që rrjedh nga shpirti, sot mblodhi një numër të madh të qytetarëve, që pëlqejnë librin, e aq më shumë të autores që në Luginë ka një numër të madh vlerësuesish të aftësive të saj. “Është një libër që ndoshta për dikënd ka thjesht vetëm njëqind e ca faqe, por për mua është më shumë se kamë lënë shpirtin në ato poezi e proza, për mua është diçka më shpirtërore se çdo gjë tjetër”, kështu u shpreh Diniela Lera - Vehbiu. Për dallim nga promovimet që bëhen në Luginë, ky promovim dalloi nga forma e organizimit e cila u pëlqye nga të pranishmit, ndërsa pati edhe momente emocionuese, sidomos kur e ëma e Dinielës në pamundësi për të ardhë në Bujanoc, përmes një video regjistrimi nga Tirana uroi të bijën për librin duke i uruar suksese edhe në të ardhmen.
“Sot faktikisht familja ime është atje dhe unë besojë se sot ju do të bëheni familja ime”, u shpreh autorja, rapoton Titulli. Nexhat Rexha, kritik letrar nga Gjilani, tha se libri i parë i poetes Diniela Lera Vehbiu “Kur lulëzoi pritja” shënoi fillimin e jetësimit poetik në rrafshin artistik si dëshmi e karakterizimit të një akumulimi shpirtëror që ka trazuar botën e brendshme të autores. “Poezia artistike bart dhe ruan me vete skenat nga më të ndryshmet duke krijuar mundësinë e shpalosjes edhe në imtësi. Këto ndjesi jo vetëm që kanë kultivuar momentet më delikate, por në shumë raste ato prodhojnë edhe vlera artistike”, u shpreh kritiku Nexhat Rexha.
Në promovim të pranishmit patën rastin të dëgjojnë edhe disa nga poezitë e prozat nga libri “Kur lulëzoi pritja” të interpretuara nga nxënëse të shkollave të Bujanocit e Preshevës.
Shënime rreth autores
Diniela Lera – Vehbiu ka lindur në vitin 1985 në Tiranë. Ka përfunduar studimet e larta në degën e gazetarisë pranë Fakultetit të Histori-Filologjisë me rezultate të shkëlqyera.
Pasioni për të shkruar nis që në moshë të vogël dhe vazhdon edhe matej në shkollën e mesme ku merr pjesë në konkurse letrare, në të cilat nderohet me çmime të para disa herë radhazi.
Krijimet e saj janë botuar nëpër revista me karakter letrat nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Shkrimtarja jeton në Tërnoc të komunës së Bujanocit, është e martuar dhe ka një vajzë.
Libri “Kur lulëzoi pritja” përmban 105 vëllime me poezi dhe prozë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!