Lokale
Prishja e konkursit “rrezikon” koalicionin qeverisës, tronditje edhe brenda PD-së
Konkursi për OJQ i cili u prish më 30 maj pas shkeljeve të bëra, ka tronditur koalicionin qeverisës në komunë të Bujanocit, por edhe vet stabilitetin në partinë e kryetarit të kësaj komune.
Edhe pse opinionit nuk i është thënë asgjë lidhur me stabilitetin e koalicionit qeverisës, Titulli nga burimet e saj brenda partive shqiptare, Partisë Demokratike (PD) dhe Lëvizjes së Progresit Demokratik (LPD), ka mësuar se pikërisht anulimi i konkursit, ka lëkundur koalicionin ashtu të brishtë mes këtyre subjekteve.
Pikërisht mos dhënia e dritës së gjelbër nga anëtarët e Komisionit që vijnë nga radhët e LPD-së dhe partive serbe për të vazhduar me konkursin në të cilin ishin regjistruar shkelje dhe lënia e anëtarit të PD-së vetëm me një votë, tregon situatën serioze të krijuar në komunë.
[caption id="attachment_80192" align="aligncenter" width="493"] Jonuz Musliu (majtas) dhe Nagip Arifi në seancën e KK të Bujanocit[/caption]
Veprimet e këtilla të udhëheqësisë komunale po dëmtojnë zhvillimin e përgjithshëm të komunës së Bujanocit, por jo vetëm kaq.
Qeverisja pa kompromis dhe jostabile si duket po e dëmton më së shumti vet partinë që udhëheq me komunën e Bujanocit, pasi që nga formimi i saj, këto janë ndër ditët më të rënda për kryetarin e komunës dhe PD-së, Nagip Arifin.
Sipas burimeve brenda PD-së një grup i caktuar është i pakënaqur me veprimet të këtilla, grup i cili po shqyrton mundësinë e veprimit politik ndryshe në të ardhmen.
Sikur të mos mjaftonte kjo, një numër i konsiderueshëm e anëtarëve (bashkëthemelues) të PD-së tashmë i kanë kthyer shpinën kryetarit të tyre, saqë nuk ia zgjasin dorën as për ta përshëndetur.
“Partia është monopolizuar dhe mendimet e të tjerëve vetëm se dëgjohen, ndërsa nuk aprovohen”, thotë me anonimitet njëri prej iniciatorëve të themelimit të subjektit më të ri në Bujanoc.
Ai matej shton se “vet Arifi në formimin e PD-së kishte thënë se Partia për Veprim Demokratik (PVD), pjesë e së cilës ai ishte dikur, nuk na jepte hapësirë veprimi dhe kjo ishte njëra prej arsyeve të formimit të PD-së”.
“Si duket kryetari ka harruar fjalët që dikur i thoshte. Tani mendimet tona vetëm se dëgjohen, derisa kur të vije tek votimi ndodh si gjithmonë, votohet pro propozimit të tij, apo propozimet e ‘pjekura’ paraprakisht nga ‘të dëgjueshmit’ e kryetarit”, shprehet matej burimi ynë.
Në opinion gjithashtu flitet se një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të këtij subjekti janë inkuadruar për përfitime direkte personale duke harruar interesin shoqëror, të cilët mjerisht shkojnë në kurriz të qytetarëve, taksapaguesve të komunës së Bujanocit./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!