Poeti e publicisti nga Lugina: Poezia pjesë e jetës sime në SHBA
Adnan Mehmeti, poeti dhe publicisti nga Lugina (fshati Letovicë i komunës së Bujanocit), i cili për një kohë të gjatë jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdon pasionin e tij për poezin shqipe dhe promovimin e saj tek lexuesi amerikan e botërorë.
Në një intervistë dhënë Portalit Informativ-Titulli ai shpjegoi edhe frymëzimin që ka marrë nga vendi ku është rritur dhe kujtimet që shërbejnë për krijimtarinë letrare që ai zhvillon.
Adnan Mehemti, ka botuar këto vepra letrare: "Bota e mendimeve", aforizma, Tiranë, 1996; "Diellin e kam futur në xhep", poezi Tiranë, 2001; "Ikje nga vetmia", poema Tiranë, 2004; "Leje derën hapur", vëllim poetik në anglisht, Dallas, Texas, 2005; Deti në mes “poezi”, Nju Jork, 2006; dhe “Ndajfoljet e vendit “, poezi, 2011.
Mehmeti përveç botimeve në gjuhën shqipe dhe angleze, disa nga poezitë e i tij i ka të përkthyera edhe në gjuhën spanjolle dhe rumune.
Adnan Mehmeti, është edhe presidenti Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan dhe njëherit edhe një nga themeluesit kryesorë të revistës “PENA” me karakter letraro –artistik, kombëtarë e historik. Ai ka përfaqësuar poezinë shqipe për herë të parë në festivalin e poetëve nga mbare bota në Houston të Teksasit (SHBA) edhe në shume aktivitete ndërkombëtare kulturore apo letrare.
Kohë të gjatë jetoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cila është veprimtaria juaj letrare atje dhe çfarë bashkëpunimi keni me krijuesit amerikan?
Po bëhen gati njëzet vjet që jetojë në “atdheun” tim të dytë, në Amerikë, dhe për çudi, me duket se sapo kam filluar jetën time këtu. Jetë shumë dinamike, kur nuk e di se kur mbaron dita e kur fillon java, por një jetë që mbushet me shumë aktivitete, me shumë strese por edhe me gëzime dhe suksese. Dhe sa më shumë i zanur me punë, gjithmonë lind dëshira për sfida te reja, që mendon se janë të nevojshme për autorin apo shoqërinë.
Sa jeni të kënaqur me aktivitetin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan dhe a keni arritur t'i promovoni botimet shqip edhe tek lexuesit amerikan?
Mehmeti: Si Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, dhe i përkrahur nga anëtaret e saj, bashkërisht, gjithmonë gjejmë frymëzim për të mbajtur veprimtari letrare. Ne besojmë në fuqinë e fjales shqipe, në fuqinë e letërsisë. Shoqata jonë ka kohë që ka kaluar “lokalizmin” e komunitetit tonë, sepse anëtaret e Shoqatës në mënyrë individuale dhe ne si institucion tani kemi bashkëpunim me krijuesit amerikane.
Emrat e mëdhenj të letrave shqipe, që aderojnë në shoqatën tonë janë misionarët më të denjë të diasporës, që krahas punës së dytë, gjejnë frymëzim dhe kurajë për të përfaqësuar letërsinë shqipe në një vend jo vetëm mik, siç jemi mësuar ta përdorim në fjalorin politik, por edhe në një vend që numri i lexuesve amerikane është shumë i madh.
Kohën e rinisë e keni kaluar në vendlindje, a mundë të shërbej mungesa e vendlindjes për frymëzim letrar dhe çfarë kujtime të kanë mbetur nga vendi juaj?
[caption id="attachment_118619" align="aligncenter" width="640"] Adnan Mehmeti në redaksinë e TITULLIT në Bujanoc[/caption]Mehmeti: Unë si i ri u largova nga Lugina e Preshevës, por me vete mora dashurinë dhe mallin për vendin dhe për njerëzit e mi. Dhe kudo që shkova, mësova gjëra të reja, takova kuadro të reja, por në shpirtin tim e kam të “arkivuar” dashurinë e madhe për njerëzit e mi të mirë dhe të dashur të Luginës.
Edhe kur e takova lauraten e çmimit Nobel për letërsi, Nadine Gordimer, edhe kur e takova ish presidentin amerikan, Bill Klinton, në promovimin e librit të tij “Back to Work”, edhe kur takova shkrimtarin e madh, Salman Rushdie, (me te cilin kemi takime vjetore, për 5 vjet) edhe kur përfaqësova poezinë shqipe për herë të parë në festivalin e poeteve nga mbare bota në Houston te Teksasit, edhe në shume aktivitete ndërkombëtare kulturore apo letrare, nuk rreshta së pushuari, që në mes tjerash, të zija në gojë edhe njerëzit e letrave shqipe të Luginës së Preshevës dhe letërsia qe krijohet këtu, si pjesë përbërëse e letërsisë shqipe.
Ngado që shkoj gjej frymëzim, sepse të jetosh jetën amerikane në një fare mënyre është edhe fat i madh. Edhe libri im i fundit me poezi ka një titull që lidhet me historikun e vendeve qe me frymëzuan për t’i jetësuar në poezi ”Ndajfoljet e vendit”. Megjithatë, vetëm Lugina është ky vend që më le të zgjuar:
Njerëzit e mi të mirë
Dua t’i përqafoj
Në ëndrrat e bardha…
Keni botuar disa libra me poezi, krijimtaria juaj do te vazhdoje me siguri dhe a mendoni që poezitë tuja të përkthehen edhe në gjuhë tjera?
Mehmeti: Pas botimit të librit tim të parë në anglisht “Leave dhe door open” kam gati librin e dytë të plotësuar, poashtu në anglisht, që është redaktuar dhe pret botimin. Poezia ime është përkthyer edhe në spanjisht dhe rumanisht. Gjithashtu, kohët e fundit kam disa përpjekje për t’u përkthyer edhe në gjuhet ballkanike.
Përshtypjet nga jeta kulturore ne Bujanoc?
Mehmeti: Dua te ndalem tek një promovim i librit të një poeti shqiptar nga Kosova, i cili jeton dhe punon për shumë vite në Zvicër, por që zgjodhi që promovimin e librit të tij të fundit me poezi ta botojë në shtëpinë e kulturës në qytetin e Bujanocit. Është fjala për poetin, publicistin dhe kritikun letrar, Shefqet Dibrani. Është një veprimtari kulturore qe u përshëndet nga qytetaret e Luginës. Por, unë me tepër dua te ndalem tek vendimi i poetit te madh, i cili vjen nga Zvicra, e kalon Podujevën, qytetin e tij të lindjes, dhe zgjedh pikërisht Bujanocin. Pse e bëri këtë? Ai është poet i njohur, edhe ne Zvicër, aty ku jeton, siç është i njohur edhe ne Kosovë. Por ai e zgjodhi Bujanocin, sepse si intelektual shqiptar është i vetëdijshëm, se duhet të punohet më shumë për çështjen e kulturës në provincat shqiptare. Rruga e tij duhet të ndiqet nga shkrimtaret tjerë.