Veliaj: Shqipëria heq lejet e punës për shqiptarët e Luginës, interesohet për të investuar në atë rajon
Në një intervistë për gazetën “Illyria” në Shtetet e Bashkuara, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në Shqipëri, Erion Veliaj ka folur për vizitën zyrtare që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pritet të zhvillojë në Beograd.
Duke e konsideruar një vizitë “historike”, Veliaj bën të ditur edhe çështje të cilat pritet të diskutohen gjatë takimeve të Ramës me zyrtarë të lartë në Serbi.
“Gjykoj që jemi në një fazë të re të marrëdhënieve në Ballkan. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, po përgatitet për udhëtimin e tij në Serbi. Do të jetë një vizitë historike e një kryeministri shqiptar, kam përshtypjen që në mes të viteve ‘40”, shprehet ministri.
Duke u ndalur te bashkëpunimi me Luginën e Preshevës në aspektin ekonomik, Veliaj bën të ditur se kanë filluar procesin e ndryshimit të legjislacionit që heq lejet e punës për të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, për ta bërë mobilitetin ekonomik dhe mobilitetin e punës diçka më të thjeshtë.
“Duhet të synojmë për të rritur investimet dhe për të mbështetur ata që duan të investojnë në Luginën e Preshevës”, thotë ministri, duke shtuar se është e vetmja mënyrë afatgjatë përtej le të themi granteve dhe donacioneve që mobilizon dikë që të investohet në një vend të caktuar në jetën e tij.
“Nëse ekonomia çedon, atëherë çdo gjë tjetër janë serume që nuk mjaftojnë. Ndaj dhe gjykoj që edhe qeveria e ka parasysh që investimet e të ardhmes duhet të jenë ato që stimulojnë ekonominë në Luginën e Preshevës”, u shpreh ai.
I pyetur nëse qeveria shqiptare është ndikuese që udhëheqja politike në Luginën e Preshevës të marrin pjesë në proceset e ndryshme zgjedhore, vendore apo të përgjithshme republikane të Serbisë, ministri gjykon se “fitojmë më shumë duke marrë pjesë dhe duke kërkuar në tryezën e vendimmarrjes më shumë për interesat tanë se sa duke e deleguar vendimmarrjen vetëm në autoritetet serbe dhe duke pritur lëmoshën për çështje fondesh, për çështje investimesh apo për politika zhvilluese”.
Ai shton se “në këtë sens, parimi që është i vjetër sa jeta është që kur je në tavolinë, negocion më mirë fatin tënd se sa kur nuk je. Ky argument mjafton për të inkurajuar pjesëmarrje, jo nënshtrim, për të marrë maksimumin nga mënyra se si ndahen financat e asaj republike apo vendimmarrja e asaj republike”.
Ndërsa i pyetur se çfarë mund të bëjë Shqipëria në rastet kur 29 dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ende nuk kanë përfituar ndonjë status apo kur në janarin e dy viteve më parë u shemb përmendorja e UÇPMB-së në qendër të Preshevës, Veliaj tha se “për sa i përket Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo është një gjë që e trajton fondi i tyre pensional, që e trajtojnë politikat e qeverisë së Kosovës”.
“Më vjen mirë që nga lajmet e fundit ka pasur një avancim të kësaj kauze, një financim më të madh dhe një progres konkret për statusin e veteranëve të luftës dhe të atyre që kanë kontribuar”, tha ministri ndërsa shtoi se “ne e kemi shprehur shqetësimin tonë në lidhje me lapidarin që është shembur”.
Ai bëri të ditur se në një takim që pata me drejtuesin e zyrës koordinuese kur isha vetë në Preshevë, ia shpreha këtë shqetësim të qeverisë shqiptare.
“Sot jemi në një fazë kur problematika të tilla i themi dhe i themi me zë të lartë dhe tregojmë një pakënaqësi. Megjithatë gjykoj që në këtë fazë nuk duhet të synojmë të gjejmë arsye të tjera për të agravuar këtë situatë, por të vazhdojmë të punojmë. Gjykojmë se do të jenë edhe disa pika të bisedës së kryeministrit Rama në vizitën e tij në Beograd, kauza e më shumë të drejtave dhe respektimit të atyre çështjeve sensitive për qytetarët e Preshevës”, deklaron ministri.
I pyetur nëse pret ndryshim të qëndrimit të Serbisë pas vizitës së Kryeministrit Rama, e cila është historike dhe gati 50 apo 60 vjet pa u kryer nga një kryeministër i Shqipërisë, Erion Veliaj shprehet se “unë gjykoj që ndryshimi i qëndrimit nuk varet më shumë nga vendimet politike, por edhe nga realiteti që kemi sot në Ballkan”.
“Sot realiteti i Kosovës është i pakthyeshëm. Sot realiteti i forcimit të faktorit shqiptar në Ballkan politikisht dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me statusin e pritshëm “kandidat” është i pakthyeshëm. Fakti që kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë dhe të Shqipërisë ishin bashkë në Londër për të folur në konferencën e BERZH-it për ekonominë, për zhvillimin e ekonomisë, për marrëdhënie tregtare dhe jo për luftë e për paqe, do të thotë që de facto ne jemi në një fazë të re”, argumentoi Ministri.
Në intervistën për gazetën “Illyria”, Veliaj gjykon se “është vetëm çështje kohe deri sa Greqia të pranojë këtë… Derisa Serbia të pranojë këtë realitet të ri… Lapsus frojdian ndoshta. Me gjasë edhe Greqia, Rumania, Sllovakia me shenjat që kanë dhënë, janë gati të pranojnë këtë realitet të ri për njohjen e Kosovës”.
Sipas tij, në këtë sens nuk është çështja “a do të ndodhë”, por çështja është “kur do të ndodhë”.
“Dhe, besoj që për të afruar këtë kohë dhe për të hequr këto barriera le të themi paragjykimesh me njeri-tjetrin, ndaj e vlerësoj historike vizitën e kryeministrit”, përfundon ministri Veliaj. /Titulli.com/