Përvjetori i Pavarësisë virtuale
Vështrime

Përvjetori i Pavarësisë virtuale

14.Feb.2013 16:40
0
Këtë të diel bëhen pesë vjet nga dita e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. 17 shkurti i vitit 2008 ishte e diel. Atë ditë patëm më shumë shpallje sesa pavarësi. Madje aq shumë shpallje e aq pak pavarësi saqë shpallja e pavarësisë ishte shpallje pa pavarësi të njëmendtë. Edhe ky përvjetor tash është të dielën, si për të na konfirmuar se jemi ende duke festuar shpalljen dhe jo pavarësinë. Shkruan: Albin Kurti; albin kurti shNë ditë pushimi u shpall pavarësia. Festojmë ditën e pushimit më shumë se pavarësinë. Shpallja e Deklaratës së Pavarësisë dhe njohja që pasoi nga ShBA-të, Franca, Britania e Madhe etj. ishte hapi përpara i Kosovës. Megjithatë Deklarata e Pavarësisë e ktheu Kosovën edhe tre hapa mbrapa. U instalua misioni i EULEXit dhe cenimi i drejtpërdrejtë i vetëvendosjes së brendshme, në kuptimin që Kosova në vazhdimësi nuk do ta qeveriste veten. Festa dhe dalldia e krijuar nga shpallja u shfrytëzua për ta evituar vëmendjen nga ç’po ndodhte vërtet. E vërteta e deklaratës e shpalli veten në kontrabandimin e ngutshëm të flamurit, stemës dhe ligjeve nga Pakoja e Ahtisaarit. Dy ditë më vonë strukturat ilegale të Serbisë dogjën ndërtesat e Shërbimit Policor dhe Doganave të Kosovës në Leposaviq dhe Zveçan, duke vënë kështu shenjën e re që ju shtua problemit të vjetër... Pavarësia e shpallur zgjati një ditë, vetëm të dielën, më 17 shkurt 2008. 1826 ditë të tjera u punua në minimin e saj, nga strukturat kriminale të Serbisë, nga mbikëqyrja ndërkombëtare nëpërmjet misioneve jodemokratike dhe ndërhyrjes së ambasadave, nga paaftësia dhe korrupsioni i Qeverive Thaçi 1 e 2. Në nëntor të 2008-ës na u paraqitën 6 pikat e Ban Ki Moon-it të modifikuara për Serbinë, dhe të pranuara nga BE-ja, që synonin ndarjen e Kosovës në dysh. Në to parashikohej që rreth 1/3 e territorit t’u jepej strukturave ilegale të Serbisë, që nënkuptonin kontroll të drejtpërdrejtë të Serbisë brenda Kosovës. Tani sërish çfarë po na njoftohet nga dialogu politik në Bruksel ka formën e të njëjtave shenja. Strukturat ilegale do të pranohen në Policinë e Kosovës, madje-madje dhe në FSK, të tjerët në Gjykata, paratë nga Doganat në Fondin për veriun. 6 pikat e Ban Ki Moonit janë shkrirë në 7 pikat e dokumentit të kryeministrit Thaçi, të bëra publike më 14 janar 2012 në takimin me liderët e partive politike të Kosovës para takimit të 17 janarit në Bruksel. Misioni nga BE-ja, paraqitja e re ndërkombëtare, saktësoi qëndrimin e ri në “përputhje” me zbrazëtinë e pavarësisë, neutralitetin. I ardhur në Kosovë më 9 dhjetor 2008, EULEX-i firmosi, pak më shumë se një vit më vonë, protokollin policor me Serbinë, për bashkëpunim dhe shkëmbim informatash. I njëjti mision prej 2011-ës ende sot dërgon me helikopterë doganierët për në kufijtë veriorë të Kosovës, në pikat 1 e 31. Ende neutral ndaj statusit të Kosovës, me fuqi ekzekutive në drejtësi e polici, EULEX-i legjitimoi barrikadat duke i fluturuar prej ajrit doganierët. Në korrik të 2010-ës, përkundër opinionit këshillëdhënës të Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, se shpallja e Pavarësisë është legjitime, Kosova mbeti e kapur në të njëjtin problem. As dy muaj më vonë Asambleja e Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën për negociata të reja në mes Kosovës dhe Serbisë. Pavarësia u vendos sërish përballë shpalljes. “E shpallim Kosovën të pavarur” – nga kush? Nga pavarësimi. Vjedhja e të vetmit moment legjitimues, institut i brendshëm i pavarësimit, vullneti i shprehur popullor për kuvendin, mundësoi ndërrimin e qeverisë Thaçi 1 në Thaçi 2. Ky ndërrim u kurorëzua me fillimin e dialogut teknik në mars të vitit 2011. Përveç neutralitetit, falë dialogut teknik, BE ka për Kosovën dhe një shënim në të cilin saktësohet se “ky emërtim nuk e paragjykon statusin e Kosovës dhe është në pajtim me Rezolutën 1244/99 dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) rreth Deklaratës së Pavarësisë”. Fusnota, shenja e re për kërkesën e vjetër, Republikën. Intervenimi i 25 korrikut, tërheqja e turpshme e Qeverisë, djegia e sërishme e pikave doganore ndodhi në mes të këtyre bisedimeve me ç’rast u aktualizua ‘problemi’ i veriut, si temë e mëvonshme në dialog me Serbinë. Ndryshimet e vërejtshme të pas 2008-ës janë vetëm kalimi prej UNMIK-ut në EULEX dhe prej OKB-së në BE. 4-vjetorin i shpalljes u fundos te fusnota më 24 shkurt 2012, e tash 5-vjetorin po e presim me fondin e zhvillimit për veriun. Pesë vjet më vonë e kemi të njëjtën Qeveri duke dialoguar, tanimë politikisht me Serbinë. E kemi kryeministrin që takohet rregullisht me ish-zëdhënësin e Milosheviqit dhe e kemi presidenten që takohet me ishnënkryetarin e Sheshelit. Pas degradimit teknik të pavarësisë, po na e përgatisin edhe degradimin politik e territorial të saj. Gjatë këtyre 5 viteve qeveritë e Kosovës kanë bërë akte simbolike, ndërsa Serbia ka bërë akte politike. Prandaj sot na ka mbetur vetëm simbolika./Titulli.com/  
Paradoksi i nacionalizmit të Sali Berishës
Mënyra e ndarjes së buxhetit apo “Buxheti i drejtë”
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration