Parti apo lëvizje?
Vështrime

Parti apo lëvizje?

10.Aug.2015 11:21
0
Në dilemën nëse organizimi politik duhet t'i përngjajë më shumë një stili klasik Partie Politike apo duhet të ndërtohet si një Lëvizje, historia tregon që zgjedhja mes njërës apo tjetrës është e gabuar. Vetëm shkrirja e këtyre dy koncepteve mund të modernizojë atë që në thelb është dhe arsyja e krijimit të të dyjave: Bashkimi i lirë i qytetarëve me qëndrime të njëjta.

Shkruan: Leart Kola; 

Nuk është e nevojshme të shohim larg, mjafton të hedhim sytë përreth jo në mënyrë metaforike. Flasim për Greqinë dhe Maqedoninë, dy shtete fqinje me Shqipërinë, nga të cilat në këtë aspekt kemi shumë për të mësuar.

Syriza e nis aktivitetin politik si një ombrellë e qindra organizatave të majta të pavarura si në organizim, ashtu edhe në aktivitet politik. Ata i përbashkon “ideja” e një funksionimi të ndryshëm të aparatit shtetëror grek. Menjëherë pas zgjedhjeve të para, ku merr një rezultat premtues, Syriza fillon të ndryshojë jo vetëm marrëdhëniet me kryetarin e saj Tsipras, i cili nga zëdhënës vesh “kostumin” e kryetarit, por sendërton edhe një fushatë të disiplinimit të organizatave dhe të mbështetësve të saj. Forma e re e organizimit, pra zhvendosja në forma më klasike, i sjell asaj fitoren që dukej krejtësisht e pamundur vetëm pak vite më parë. Sot Syriza përbën një realitet jo vetëm politik por dhe elektoral, i cili diversitetin e ka ndërthurrur me disiplinën e domosdoshme për të udhëhequr një vend. Atribut tjetër me rëndësi është aftësia për të marrë vendime vertikale të shpejta nga forma paraprake horizontale e vendimarrjes, por duke mos e humbur asnjëherë organizimin frymëzues në terren.

Në Maqedoni nga ana tjetër ndodh e kundërta, por që përfundimet duket se i ka të njëjta. Në kohën që LSDM vendos rotacionin në krye të udhëheqjes së saj, shumë pak në Maqedoni dhe askush në rajon nuk e njihte Zaev-in. Gjithashtu nga interesimi im i vazhdueshëm për situatën politike atje kam konstatuar që ky i fundit nuk shihej as për së largu si një kërcënues i pushtetit të Gruevskit, që si një diktator tipik ballkanas përdorte nacionalizmin maqedonas si formë mobilizimi. Edhe LSDM, nga ana tjetër, kishte një formë të vakët të organizimit në terren. Me daljen e skandalit të përgjimeve, edhe pse ato ishin rrënqethëse, as vetë LSDM nuk kërkonte dorëheqjen e Kryeministrit. Kjo zgjati deri kur u shfaqën organizatat dhe lëvizjet studentore të cilat mbushin sheshet e Shkupit. Paraqitja imponuese e këtyre lëvizjeve, intelektualëve dhe punëtorëve pa parti kthejnë ngjarjen politike në Maqedoni në favor të këtyre të fundit duke e zhvendosur debatin (që deri atëhere shihej si një luftë për pushtet mes dy partive) në një terren krejt tjetër. Protestat e tejkaluan nacionalizmin duke e futur në një terren internacionalist e duke e shkëmbyer një ngjarje të politikës lokale në një universalitet politik që përfshiu gati gjithë Europën, po me të njëjtin intensitet si në Greqi. Nga një situatë e pashpresë lindi një realitet politik që i tejkaloi partitë klasike për të ndërtuar një formë të re të diskutimit shoqëror.

Më sipër shohim që dhe pse nisur nga kahet e kundërta, ndërthurrja e formës klasike të organizimit me frymëzimin politik që shkaktohet nga lëvizjet sociale janë kombinimi i vetëm fitues. Padyshim që do të ishte arrogante të mendohet që përshkrimi i mësipërm të ezaurojë këtë temë, por janë tregues politiko-historikë që duhen marrë parasysh kur gjendemi përballë një debati të tillë, sidomos këtu në Shqipëri.

Prej dy vitesh Partia Socialiste udhëheq vendin sëbashku me aleatët, me një numër të lartë deputetësh në Kuvend. Kjo i jep asaj mundësinë e reformave të rëndësishme për vendin por e paraqet atë dhe përpara një rreziku të tronditjes të formave në organizmin partiak si dhe në përçimin e mesazhit politik në terren. Kësisoj në Asamblenë e fundit Kryetari i Partisë Socialiste, z.Rama u fokusua tek hapja e PS duke shpresuar gjithashtu dhe tek gjallërimi i bazës politike të partisë.

Sigurisht që shkrimi ka për synim të hedhë ide për spektrin politik shqiptar, kryesisht me fokus tek dialektika historike sipas të cilës sa herë PS çlirohet, zgjerohet dhe çtensionohet nga ana konjukturale, ajo krijon debate të mëdha në shoqëri. Dekada e fundit në Shqipëri në këtë aspekt është fokusuar shumë tek përfshirja e lëvizjeve sociale në strukturat partiake. Një gjë e mirë, po të mos ishte për hostilitetin, mllefin dhe urrejtjen që mediumet e interesuara ndaj politikës kanë “mirëpritur” këto lëvizje. E për ta ilustruar më qartë mund të marrim dhe atë organizatë që ka qënë në qendër të këtyre debateve: Lëvizja MJAFT.

Linçimi publik që iu bë MJAFT, sikur po “konspironte” një herë me demokratët e një herë me socialistët, krijoj armiqësi në të dy kahet e shoqërisë; nga njëra anë ata që nuk ishin në parti e konisderuan “tradhëti” e nga ana tjetër ata që ishin në parti e jetuan si një “katapultim”. Në këto kushte po trajtohen sot dhe ata të rinj e të reja që po përfshihen në Partinë Demokratike. Çuditërisht kjo lloj baltosje politike nuk ndodh kurrë me grupin më të madh të të “katapultuarve” në partitë politike, të cilët qartazi kanë një konflikt interesi me politikën dhe biznesmenët! Nuk ndodh një revansh i tillë as nga media e as nga anëtarët e brendshëm të partive pavarisht se këta të fundit zakonisht hyjnë menjëherë në kryesi e në Kuvend, asnjëherë në organizatat e partive siç ndodh me ata që vijnë nga organizatat jo-partiake.

Por çfarë prodhon kjo formë komunikimi?

Së pari hapja e partive politike është një fenomen i pashmangshëm, kësisoj kjo frymë sjell demonizimin e pjesës më të shëndoshë shoqërore. Padyshim që dëmi më i madh që kjo formë sjell (ky dëm përbën edhe objektin e analizës në vazhdim) është, që gjendur në këto kushte, përfshirja në parti e këtyre elementëve ndodh vetëm si kalim burimesh njerëzore, duke lënë jashtë derës së partisë frymën organizative që këto nisma përfaqësojnë e që i kanë bërë joshëse për partitë për t’i përfshirë. Kësisoj ndodh pak a shumë si transferimet e lojtarëve të mëdhenj në klubet e rëndësishme sportive: duke paguar shifra kolosale klubet marrin lojtarët e lenë jashtë pasionin që i bëri ata lojtarët që janë sot. E pikërisht për këtë pasion kemi nevojë sot në politikën shqiptare, jo vetëm në aspektin metafizik por mbi të gjitha në atë organizativ.

Pasioni prodhon disiplinën e jo e kundërta.

Partitë politike sot kanë një organizim në bazë që mbulon territorin e pothuajse gjithë Shqipërisë, sruktura lokale këto që kryesisht aktivizohen gjatë periudhave zgjedhore. Pikërisht ky është në fakt problem kryesor i organizimit në terren. Këta njerëz jo vetëm përbëjnë themelin ku ndërtohet vazhdimësia e partisë por janë gjithashtu dhe forma e vetme e matjes së suksesit ose dështimit. Mungesa e përfshirjes së vazhdueshme të këtyre organizatave ndodh mbi të gjitha për mungesë të informacionit dhe të analizës.

Nëse do të ekzistonte një përfshirje horizontale në politikat e partisë (e në rastin e PS dhe në politikat qeveritare), kjo do e transformonte anëtarin e partisë nga në një njeri me teserë në xhep, në një organizator komunitetesh. Nuk do të ishte utopike të mendohej që për nisma si reforma në arsim, apo ajo në drejtësi të kishte nga të gjithë partitë debate dhe në nivel komuniteti. Pra sot nuk na duhet që të kemi një rritje domosdoshmërisht të numrit të anëtarëve por një rritje të numrit të qytetarëve të përfshirë në pjesëmarrjen politike. Kjo na sjell një demokraci më përfaqësuese, duke përfshirë në të ardhmen dhe referendumet lokale; edhe pse kjo lidhet më shumë me procesin e demokratizimit administrativ, gjithsesi nëse kemi agjentë politikë në terren atëhere do mund të kalojmë këto procese duke demokratizuar dhe shoqërinë.

Nëse partitë politike nuk arrijnë t’i bëjnë anëtarët e tyre pjesë të komuniteteve, atëhere do të përballen me tkurrjen dhe armiqësinë publike, me një hendek ku njerëzit i drejtohen njëri-tjetrit me NE dhe ATA.

 

Anëtari i partisë si agjent politik, do mund të shfrynte tensionin që ekziston sot, duke e kanalizuar atë energji në aksione më produktive. Pse të mos kemi pra organizime komunitare të ndërmarra nga anëtarët e partive në përfshirjen e komuniteteve të lagjeve, ashtu siç shohim sot dhe nga organizatat jo-partiake? Për të shkuar më tej, këta të parët duke patur eksperiencën dhe disiplinën që mungon tek OJF-të do të sillnin rezultate shumë më të mëdha dhe efikase.

Jam i sigurtë po ashtu që debatet që do të ndodhnin në lagje dhe mes njerëzve që e mendojnë ndryshe, do të ishin shumë më të frytshme e pa ngarkesën e interesit personal si ato që ndodhin sot në studio televizive. Që kjo të jetë efektive, duhet jo vetëm organizim dhe disiplinë, por mbi të gjitha pasion, i cili do mund të tejkalonte interesin e ngushtë vetjak, dhe gjithashtu një rivlerësim të anëtarit të partisë dhe peshës që ai zë në strukturën partiake.

Anëtarë të tillë do të sillnin jo vetëm një rivitalizim të jetës së partisë e strukturave, duke shmangur gangrenën e servilizmit akut që i ka kapur, jo vetëm ndryshim të frymës agresive të debatit dhe përçarjes në kampe të shoqërisë, por mbi të gjitha vitalizim dhe demokratizim të asambleve lokale. Për pasojë do të kishim një përfaqësim të denjë të Asamblesë Kombëtare

Që kjo të ndodhë do të duhet që trupi i drejtimit politik të partisë që zakonisht janë Kryesia e Partisë dhe Kryetari, të bëjnë ekzaktësisht të kundërtën e asaj që zakonisht bëjnë. Shpeshherë kryesia e partisë bie në kurthin e të qenit thjesht një trupë teknike organizative. Ndërkohë duhet që kryesia të krijojë “frymën” e mbi të gjitha ombrellën ideologjike përkatëse. Si pasojë një anëtar duhet ta ketë të qartë që po militon në një parti të majtë apo të djathtë – koncepte që në Shqipëri kanë tendencën të ngatërrohen keqazi. Cilado parti serioze duhet të ketë një manifest që përcakton qartë për çfarë ekziston brenda një shoqërie, e kjo është detyra që ndërlidh më pas kryesinë me anëtarësinë. Kjo është kontrata që nënshkruhet nga të dy palët e që duhet të respektohet, përndryshe çdo evazivitet në shprehi transformohet në strehën e përkryer të maskarenjve.

Thënë këto, qartazi nuk jemi përballë një zgjedhjeje, por përballë një pune dhe më të vështirë: ndërtimit të diçkaje të re, që i përqafon të dyja (lëvizjen dhe partinë) si e vetmja formë e suksesit të aksionit politik. Duket paradoksale, por një tezë e tillë u hodh nga ai që më së paku pritej, nga anëtari më i vjetër i Partisë Socialiste, Servet Pëllumbi. Nuk ka dyshim që ky shkrim as për së largu nuk tenton të jetë ezaurues, e as të futet në debatet e kopertinave që kanë ndodhur së fundmi në PS apo edhe në PD. Kjo vjen edhe për vetë idenë që nëse këto debate ndodhin në një terren të papërshtatshëm e pa propozime konkrete organizative, mbeten në nivel të batutës apo kapriçove personale. Sidoqoftë politika është e vetmja formë organizmi shoqëror që dikton jetët tona, e partitë politike mbeten të vetmet instrumente se si politika mund të ndryshojë shoqërinë. Çdo formë tjetër mbetet e paprovuar dhe utopike, e denjë për të patur hapësirë vetëm në gjinitë e filozofisë dhe letërsisë.

Në një demokraci të brishtë si kjo e jona, ku shumëçka është akoma për t’u ndërtuar, indiferentizmi e mospërfshirja qytetare apo dhe mbyllja e partive do të ishin fatale. Mbetet e rëndësishme që debate të kësaj natyre të nisura nga njerëz si Servet Pellumbi të merren seriozisht, duke qënë se pas dy vitesh do të kemi sërisht mundësinë të shkojmë në zgjedhje.

Kadare po sulmon formulën themeltare të kombit shqiptar
Marrëveshja nuk është reciproke, favorizon Serbinë
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration