titulli.com
Vështrime

Opinion: Lulëkuqet e Luginës

25.May.2012 09:43
0
 Maji është muaji i luleve, i përvjetorëve, i festave tradicionale e nacionale.Është muaji kalendarik i vitit, që më së shumti sjell kujtime, data të rëndësishme sidomos për shqiptarët e Luginës. E njëra nga këto data është ajo e 24 majit e cila me dhembje të thellë shpirtërore na kujton rilindjen e njërit nga Komandantët më të shquar të UÇPMB-së, kryenegociatorit të Delegacionit të palës shqiptare, Ridvan Qazimi – Komandant LLeshi, biografia e të cilit ka zënë vend të rëndësishme në faqet e ndritshme të historisë sonë kombëtare.   Shkruan: Drilon Hyseni Po mbushen 12 vjet e kujtimi për trimat e lirisë nuk po shuhet kurrë. Përvjetorët për këta dëshmorë, tashmë janë bërë tradicional. Nëpër këto përvjetor, po vlerësohet lart misioni i shenjtë i ish UÇPMB-së, e cila e ngriti në shkallë të lartë çështjen kombëtare dhe ndërkombëtare, të këtyre viseve. Gjatë kësaj periudhe 12 vjeçare janë nënshkruar disa marrëveshje e janë nxjerrë disa platforma e deklarata politike në favor të zgjidhjes së problemeve në këtë rajon, por ato mjerisht kanë hasur në vesh të shurdhër të Beogradit dhe të ndërkombëtarëve, që veprojnë në këto hapësira. Ngarkimi i zonave kufitare me forca të shumta serbe, moslejimi i përdorimit të lirë të flamurit kombëtar, vazhdimi i gjyqeve politike ndaj ish pjesëtarëve të UÇPMB-së, dhe presione të tjera politike dhe ekonomike, që dalin përpara, të japin për të kuptuar se rrugëtimi i zgjidhjes së problemeve në këtë Luginë, është i zorshëm dhe i sikletshëm. U mbushën 12 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për armëpushim dhe i ashtuquajturi “demilitarizim i rajonit”, nuk solli në të vërtetë “relaksimin” e kësaj zone, por përkundrazi e militarizoi atë deri në ekstremitet. Përmbyllja e kaptinës së armatosur dhe fillimi i proceseve politike, në këtë dhjetëvjeçar nuk dhanë rezultate, gjithaq të pritura. Ndërkaq, integrimi i shqiptarëve në organet komunale dhe shtetërore të Serbisë, vazhdon të zvarritet, ashtu siç prolongohet edhe zgjidhja e problemeve shqiptare të grumbulluara me vite në këtë Luginë... Pavarësisht nga këto probleme dhe sfida, shoqëria jonë gjen vullnet dhe forcë për t’i kujtuar dëshmorët e kombit, duke ndjerë në vazhdimësi të përhershme, obligimin moral, njerëzor e kombëtar, që me përkushtimin më të madh, të jenë në shërbim të çështjes kombëtare. Një gjë të tillë e kërkojnë vet normat e definuara kombëtare, i obligon gjaku i dëlirë i bijve më të mirë të kombit. Rënia në fushë të nderit, fitimi i pavdekësisë, janë mesazhi më i fuqishëm, janë shembulli më i qartë, janë vërejtja më serioze për shoqërinë tonë, të dimë se ku jemi, e ç’po bëjmë sot për të ardhmen tonë. Për ditë e më shumë këta përvjetor po marrin karakter lokal, madje edhe familjar. Ato dikur manifestoheshin denjësisht, duke organizuar manifestime të ndryshme kulturore, homazhe, akademi përkujtimore, recitale, koncerte dhe aktivitete sportive. Këtë vit, për dallim nga vitet e mëparshme ky përvjetor po del më i zbehtë, ngase liderët politikë më tepër janë të angazhuar rreth formimit të pushtetit multietnik në Bujanoc. Lufta për pushtet dhe interesat e ngushta partiake, grupore e individuale, kanë bërë që këta përvjetor ta humbin kuptimin që kishin dikur. Spektri politik shqiptar, veçmas ai i Bujanocit, dëshmorët e kombit më së shumti i përmend gjatë fushatave elektorale, një herë në katër vjet. Këta liderë lokalë, si duket po i harrojnë betimet e tyre se do t’i çojnë në vend amanetet e dëshmorëve, të paktën në këto momente kur shteti amë Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s, kur Kosova po gjendet në rrugën më të sigurt për të ardhme evropiane, kur shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi po përjetojnë një zgjim të madh nacional, e shqiptarët e Luginës së Preshevës, grinden për një grusht pushteti fiktiv, të cilin Beogradi ua servon sa për të thënë. Në vend se shqiptarët e Luginës së Preshevës të jenë bashkë, pikërisht, këtë vit, në periudhën e manifestimeve mbarëkombëtare për ta shënuar 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ata përçahen, grupizohen, parcializohen dhe dezorientohen më shumë se kurrë. Ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, janë kategoria më e rrezikuar e shoqërisë sonë. Ata edhe pse u amnistuan me ligjet e Serbisë, vazhdimisht ndiqen, bastisen, arrestohen, madje edhe vriten, me akuzën për krime lufte ndaj njerëzimit!. Institucionet tona komunale në Luginën e Preshevës, as sot nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje të kënaqshme për risocializimin e luftëtarëve të lirisë, ashtu siç po veprohet aktualisht në Kosovë dhe Maqedoni. Shumica nga këta trima të lirisë, të cilët nën firmën e UÇPMB-së ia lanë namin kësaj Lugine, duke iu bashkangjitur ushtrisë çlirimtare, madje dikush edhe si 18 vjeçar, u detyruan dhunshëm të ikin nga vendlindja, ku disa u burgosën e disa të tjerë u vranë pa gjyq. Një pjesë tjetër e këtyre njerëzve, nuk janë integruar dhe risocializuar si duhet. Të paktë janë ata që kanë zënë ndonjë vend pune nëpër institucionet komunale, e një pjesë tjetër nuk mund të bëhen as kamerier kafenesh e restorantesh. Këta njerëz i sheh kur vijnë zgjedhjet lokale, kur organizohet ndonjë protestë gjithpopullore, ose kur mbahen përvjetorët për dëshmorët e kombit. Në këtë vit të madh shqiptar, Shqipëria e Kosova, presin një deklarim të lirë të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ashtu siç u shprehën ata para 20 vjetësh me referendum për ardhmërinë e tyre politike dhe territoriale. Flladi i kësaj pranvere, mbi kodrat e gjelbëruara të këtyre viseve etnike, ku mbaheshin tubimet përkujtimore, valëviste flamuri kombëtarë dhe pupuriste lulet e majit me erë gjaku. “Ky fllad po na i freskon zemrat tona të zhuritura”, pat thënë prindi i një dëshmori, duke vazhduar: “Por, lirinë nuk e gjetëm!”. E lulëkuqet e Luginës….janë të vetmet, që nuk i kanë harruar dëshmorët e kombit, ato janë ushqyer me gjakun e tyre dhe vazhdojnë me njomësi dhe aromë, t’i freskojnë pllakat përkujtimore, lapidarët dhe komplekset memoriale të lirisë./Titulli.com/  
Opinion: Abetarja festive
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration