Lokale
Nxënësit e Luginës i nënshtrohen testit të maturës së vogël nga gjuha shqipe
Si në tërë territorin e Serbisë edhe në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë sot është zhvilluar testi i maturës së vogël për nxënësit që kanë përfunduar klasën e tetë fillore e të cilët vazhdojnë me arsimin e mesëm.
Përveç testit të nënshkruar sot, nxënësit të martën do të hyjnë në testin nga lënda e matematikës, ndërsa të mërkurën, gjithashtu me fillim në orën 10:00, do t’i nënshtrohen testit të kombinuar që aplikohet nga ky vit e i cili përmban pyetje nga lënda e biologjisë, fizikës, kimisë, historisë dhe gjeografisë, raporton Titulli.
Sikurse testi i sotëm nga gjuha amtare edhe dy testet e ardhshme do të zgjasin 120 minuta. Matematika si dhe gjuha amtare (shqipe) kanë nga 16 pikë, ndërsa testi i kombinuar 8 pikë.
Rezultatet preliminare do të shpallen më 20 qershor, kurse ato përfundimtare më 26 qershor.
Dorëzimi i listave të plotësuara me dëshirat për regjistrim në drejtimet e caktuara do të bëhet më 27 dhe 28 qershor. Nga data 6 korrik do të fillojë pranimi dhe ndarja nëpër drejtime të ndryshme e nxënësve, kurse regjistrimi në rrethin e parë do të bëhet më 7 dhe 8 korrik. Rrethi i dytë i regjistrimit do të zgjasë nga 7 deri më 10 korrik.
Përveç pikëve në testin përfundimtar, për regjistrim në shkollën e mesme vlerësohet edhe suksesi nga klasa e 6-të deri në klasën e 8-të, të cilat përmbajnë gjithsejtë 60 pikë.
Ministria e Arsimit më herët ka kumtuar se në qershor rreth 69.530 nxënës duhet t’i nënshtrohen testit përfundimtar, ndërsa vende të lira në shkollat e mesme ka pothuajse për 78.000 nxënës./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!