Lokale
Nga liderët frikacakë, Lugina drejt fundit të ekzistimit
Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës edhe njëherë ndodhen para një sprove e që ka të bëjë me marrjen e vendimeve të rëndësishme politike.
E kaluara na ka lënë të kuptojmë, se ata që veten quajnë liderë të politikës së këtushme, në të shumtën e rasteve janë ballafaquar me frikën e marrjes së vendimeve, përfshirë edhe guximin intelektual, nuhatjen e situatave serioze si dhe konkretizimin e gjërave atëherë kur është e nevojshme.
Me gjasë, edhe tani, kur para tyre gjendet momenti i vendosjes për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 16 marsit, shumica nga ta jo vetëm që nuk e kuptojnë seriozitetin e situatës por edhe janë prolongues të çështjeve, duke shpresuar se faktori kohë do t’ia gjej zgjidhjen.
Por, ndoshta ka ardhur koha që popullata ta kuptoj se udhëhiqet nga njerëz, pjesa dërmuese e të cilëve, me përjashtim të votave, dhe krijimit të vendeve të punës nga ato, me paga mbi 100 mijë dinarë, asnjëherë nuk kanë qenë të gjendje ta fitojnë “dinarin” e ekzistencës në mënyrë të pavarur.
E kur për prijës kemi të tillët, që po mos të ishin votat, kushedi se çka do të ndodhte me fatin e tyre, atëherë mjerë Lugina dhe banorët e saj !
Të ngritet tërë bota dhe mbarë kombi, përmes institucioneve, dhe të kërkojë me ngulm pjesëmarrjen në zgjedhje dhe unifikimin përmes një liste, kurse nga ana tjetër përfaqësuesit politik të bredhin nga takimi në takim, pa pasur fije kujdesi për këshillat miqësore dhe qëllim mira, është një situatë që do analiza, përfshirë edhe ato shëndetësore për të ashtuquajturit liderë.
Madje, edhe takimi “vendimmarrës” i caktuar për nesër, shumë vështirë se do të jetë produktiv.
Si mund të jetë produktiv kur këta përfaqësues dhe drejtues institucionesh shikojnë të përdorin taktika dhe teknika të stilit të Zhoze Murinjos se kush kujt po i’a vë.
Vërtetë situata është në një qorr sokak të madh.
Të gjitha analizat na çojnë tek përfundimi se shumë zor është të ndodhë marrëveshje.
Mbrëmë u la të kuptohet se gjashtë subjekte politike i’a dhanë rastin PVD-së të dal deri të shtunën me qëndrimin e saj për këto zgjedhje.
Shtrohet pyetja, se përse këto gjashtë subjekte s’po dalin me kandidatin e vet për deputet ? Nëse vërtetë kanë ujdi mes vete, atëherë pse po presin vendimin e PVD-së ?
Nëse, vërtetë do të ishin të unifikuar dhe ta kenë me sinqeritet qëndrimin për pjesëmarrje në zgjedhje, atëherë PVD-në do ta sillnin para aktit të kryer me vendimin se : “Ky është kandidati ynë për deputet”, i cili do të ishte kandidat i shumicës dërmuese të subjekteve, ndërsa PVD do të ndodhej para aktit “Merre ose leje”!
Ndërkohë, edhe qëndrimi i PVD-së është mjaft i turbullt.
Në kryesinë e saj edhe më tej po mbisundon idea, që ata edhe kësaj here duhet të ishin të parët. Madje, këtë javë, lideri i këtij subjekti politik, Riza Halimi, në një deklaratë për mediat serbe, në mënyrë taktike prejudikojë për një qëndrim, duke thënë se subjektet bartëse të pushteteve lokale të Preshevës dhe Bujanocit janë për bojkot të zgjedhjeve.
Me këtë deklaratë, Halimi e hodhi grepin tek subjektet e vogla politike.
Kështu që, nëse Partia Demokratike Shqiptare, edhe ashtu me shumë hamendje, do të bojkotojë zgjedhjet, ndërsa duke e parë atë, një gjë të tillë do të bëjë edhe Partia Demokratike, mbetet që subjektet e vogla t’i bashkangjiten PVD-së, më së tepërmi për shkak të interesave materiale që sjell pozicioni i deputetit, dhe të formohet edhe njëherë “Koalicioni i shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, me përbërjen e vjetër.
Por, tendecat e z. Halimi, në këtë kohë, vështirë se mund jenë të pranueshme.
Duke i parë orientimet e shqiptarëve se gjithnjë preferojnë të jenë të parët e katundit, sesa të fundit e qytetit, është shumë e vështirë që BDL dhe RD për shkak të deputetit t’i prishin pozicionet e veta në pushtetin lokal me PDSH-në.
E njëjta gjë vlen edhe për Bujanocin.
Nëse, PDSH vendos për bojkot të zgjedhjeve, të njëjtën gjë do ta bëjë me siguri edhe PD, ngase do ta ketë shumë vështirë të hyj nga garë pa një aleat nga Presheva, kështu që LPD e vetmuar asesi nuk do t’i prish marrëdhëniet e koalicionit lokal, duke mbështetur deputetin e PVD-së.
Të gjendur në një situatë të tillë, vërtetë se do të bëjë punë edhe kandidati nga shoqëria civile i propozuar veçanërisht nga Tirana zyrtare, ngase që tani, shumica e subjekteve janë kundër një propozimi të tillë, për shkak të nuhatjes se i propozuari në mënyrë të tërthortë ka lidhje me PVD-në.
Sido që të jetë, kësaj here më së shumti varet nga qëndrimi i PDSH-së në Preshevë, e cila duhet të deklarohet haptas, se a është për bojkot apo për pjesëmarrje në zgjedhje?
Nëse PDSH është për pjesëmarrje në zgjedhje, atëherë ajo së bashku me PD-në, LPD-në, BDL-në, UDSH-në dhe RD-në do duhet përcaktuar kandidatin e tyre. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë edhe PVD, duke e caktuar kandidatin e vet.
Pas këtij veprimi, në mënyrë urgjente, do duhej thirrur Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë të të trija komunave dhe me shumicë votash të deklarohet se kush duhet të jetë bartës i listës.
Vetëm kështu do të tregohemi demokrat dhe të përgjegjshëm. Edhe ashtu kanë qenë vet subjektet që me qindra herë e kanë proklamuar këtë Kuvend si vendimmarrës. Nëse është i tillë, vallë ai ndonjëherë do duhej thënë fjalën e fundit, ndërsa vendimi i shumicës gjithsesi duhet respektuar.
E nëse situatën e lëmë pezull, kurse afati i fundit për dorëzimin e listave skadon në mesnatën e 28 shkurtit, dhe me këtë, duke mos dashur askush të marrë përgjegjësi, shkojmë drejt bojkotit, kjo do të thoshte poshtërsi politike e prijësve të këtushëm politik.
Bojkoti i zgjedhjeve, në situatë kur serbët në Kosovë, përfshirë edhe ata të veriut, po participojnë në institucionet e Kosovës, jo vetëm që do të ishte kapitullim për Luginë, por edhe Kosovën do ta hidhte në shumë vështirësira.
Nëse liderët e këtushëm deri më tash e kanë pasur gojën plotë, se çfarë bëjnë serbët e Kosovës do duhej bërë edhe ne, ja tani është koha të bëjmë.
Ndërsa, në fund, do të ndalemi pak edhe në komentimin e deklaratës së pamatur të Ragmi Mustafës, i cili pas mbarimit të takimit në Preshevës tha se “pa marrë parasysh preferencat e Tiranës dhe Prishtinës, ne do të vendosim vet”.
Një deklaratë e tillë do të thotë mbyllje e dyerve si para qeverisë në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë.
Nëse është ashtu çfarë ka deklaruar Mustafa, atëherë jo që nuk do të kishim të drejtë morale të kërkojmë ndihmë nga Shqipëria e Kosova, por refreni i këngës së Minatorit “Për çudi sot askujt s’ja pasna...atë nonë” do të kthehej në një refren tjetër: “Hiç pa çudi sot të gjithëve na u paska... nona”.
Kjo analizë është pjesë e kronikës televizive në Spektri Info të datës 07.02.2014
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!