Nga joserioziteti politik, vijnë edhe masat e përkohshme në Preshevë?
Në zgjedhjet e 2016-ës PDSH, doli fituese me 14 këshilltar të fituar, dhe nga kokëfortësia e partive të tjera politike, e sidomos e PVD-së, e cila nuk deshti të lidhet koalicion me PDSH-në, si fituese e pastër e zgjedhjeve, dhe të tjerat parti të vogla politike, të cilat në herën e parë ngelën jashtë pushtetit.U lidh koalicioni në mes të APN-së dhe PVD-së, e cila nuk zgjati më shumë se nëntë muaj, e për këta muaj nuk pati ndonjë lëvizje pozitive në Preshevë, përveq (vetë)fotografimeve (selfieve) dhe takimeve të panumërta në terren pa ndonjë rezultat konkret nga ana e koalicionit të atëhershëm, dhe erdhi deri te prishja e këtij "miqasillëku" dhe lidhja e koalicionit tjetër në mes të PVD, BDL, UDSH dhe një grupi të këshilltarëve të PDSH-së, të cilët e braktisën partinë me arsyet e tyre më shumë qesharake, gjoja për një reformë.
Kjo reformë nuk mund të quhet, kur të gjithë këta ishin dhe janë të vjetrit e PDSH-së, pa ndonjë fytyrë të re politike, apo prurje të tjera deri më tani anonime politike jashtë partiake, dhe për tre muaj rresht nuk mundën të mbajnë qoftë një seancë, për ta vazhduar jetën e brisht politike edhe ndonjë ditë, sepse mirëfilli dihej se nuk e kanë gjatë.
Ky koalicion, (koalicioni i dytë), ishte më tepër koalicion interesash grupore, kjo u pa edhe në praktikë, duke minimizuar të tjerët që nuk ishin të këtij koalicioni (praktikë kjo që ka qenë edhe më herët, e që ishte dhe është e dëmshme për popullatën), duke shkelur mbi të gjitha normat etike njerëzore, duke i trajtuar të tjerët si të dorës së dytë, kjo u pa edhe në komisione dhe konkurse të ndryshme e që rezultuan të jenë negative për disa OJQ dhe qytetarë të tjerë nevojtarë për ndihmë.
Dhe, si rezultat i gjithë kësaj ( të keqe), erdhi deri te shpërbërja e Kuvendit Komunal të Preshevës, dhe deri te masat e përkohshme në komunë, të cilin tani sipas të gjitha gjasave padrejtësisht do ta udhëheq Shqiprim Arifi, kryetar i APN-së, e sipas ligjit duhet ta udhëheq fituesi i zgjedhjeve të 2016-tës, e kjo i ka takuar PDSH-së, e nëse këtë se ka bërë, atëherë është dashur bile Ardita Sinanit si kryetare që ishte, ta udhëheq deri në zgjedhje të parakohshme.
E keqja tjetër është se katërshes udhëheqëse të masave të përkohshme, shteti padrejtësisht ia ka futur edhe një serb, kur dihet se Kuvendi nuk kishte asnjë këshilltar serb, dhe kjo vjen si rezultat i politikës së dobët të dy palë koalicioneve, të cilat e shpien komunën tonë në këtë gjendje kaotike.
Përgjegjësia këtë rast nuk është e popullit, por e politikës së dobët të politikanëve që ishin në pushtet. Tani radhën e ka popullata t'i ndëshkoj me votën e tyre, të gjithë këta që e shpien në këtë gjendje Preshevën..
Shkruar nga Bilall Maliqi: Kryetar i Shoqatës së Shkrimatrëve "Fenix" në Preshevë