Nevoja për një kritikë letrare integrale
Vështrime

Nevoja për një kritikë letrare integrale

06.Jan.2016 13:56
0
Në librin e tij "Vdekja e letërsisë", profesori dhe kritiku Alvin Kernan liston një sërë shkaqesh që kanë rrezikuar letërsinë në dekadat e fundit dhe po vazhdojnë ta rrezikojnë edhe sot. Ndër to, ai përmend televizionin dhe teknologjitë kompjuterike, çështjet etike dhe ligjore që lidhen me të drejtat e autorit dhe plagjiarizmin, politikat shterërore për letërsinë, si dhe vetë kritikën letrare.

akri-cipa

Shkruan: Akri Çipa

Botuar në revistën studimore “Pasqyra e t’rrëfyemit”

Pika e fundit është veçanërisht interesante për t’u vëzhguar dhe analizuar, për shkak se Kernan konstaton se letërsia sot nuk rrezikohet vetëm nga konteksti dhe faktorët e jashtëm, por edhe nga elementë që vijnë nga vetë universi letrar. Dhe ngre, ndoshta për herë të parë, shqetësimin se janë këto elemente të brendshme, artificiale në natyrën e tyre, që rrezikojnë më shumë se gjithçka letërsinë.Në krye të rreziqeve që i vijnë letërsisë nga kritika letrare, Kernan liston dekonstruksionin dhe implikimet e tij. Dekonstruksioni është një metodë e analizës dhe kritikës letrare që e ka gjenezën në Francë, më saktësisht në punën e Derridës (Jacques Derrida). Puna e Derridës konsistoi në ndërtimin e një sistemi që synonte të shkatërronte strukturat gjuhësore që formonin tekstin letrar dhe në këtë mënyrë të bëhej analiza e tekstit letrar mbi ngjyrimet gjuhësore. Por jo vetëm kaq. Sipas Derridës, ishte e nevojshme të zhvishej teksti letrar nga çdo shtojcë jashtë-gjuhësore dhe jashtë-tekstuale. Debati i dekonstruksionistëve ishte një debat që la shenjë në kritikën letrare. Pavarësisht se Derrida nuk synonte thjesht të krijonte një model nihilist, rezultatet ishin të tilla. I frymëzuar në masë të madhe nga Niçe, Derrida synonte të ngrinte proçesin e të shkruarit në një nivel më të lartë. Por, për të realizuar qasjen e të shkruarit ndaj dijes dhe kuptimit linguistik, Derrida ishte i gatshëm të sakrifikonte dyjëzimin e letërsisë si reflektim i realitetit dhe si një botë e mëvetësishme. Nëse teksti mbetet vetëm në tekst, atëherë valenca e tij është e kushtëzuar dhe rrjedhimisht vlera mbetet e brendshme, por e padeshifrueshme për lexuesit. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një letërsi elitariste, por për një letërsi që synon të shkëputet nga marrëdhënia me lexuesit. Derrida, me qëllim ose jo, krijoi hapësirë për të vënë në dyshim vetë natyrën humaniste të letërsisë dhe metodën për ta shtypur këtë natyrë. Derridën e mbështetën në punën e tij edhe intelektualë të tjerë të kohës si Paul de Man, i cili reformoi disi metodën dekonstruktuese të Derridës dhe e përshtati edhe më shumë në sensin e kritikës letrare, por nuk ndryshoi fokusin e saj. Një tjetër personazh tejet i rëndësishëm në këtë periudhe është Roland Barthes. Puna e Barthes, veçanërisht eseja “Vekja e Autorit” (Death of the Author), është tejet interesant sepse realizon kalimin nga strukturalizmi në post-strukturalizëm, duke shtruar rrugën për shkolla të tilla si ajo dekonstruksioniste. Barthes nuk vlerësohet si mbështetës i dekonstruksionit, të paktën nuk ishte deklaruar i tillë. Vetë Barthes vuri në qendër të kritikës së tij letrare zbërthimin tekstual në bazë të sistemit letrar të përdorur brenda në tekst dhe e shikonte tekstin si të integruar brenda një strukture uniforme të mirëfilltë. “Vdekja e Autorit”, ndoshta eseja më e njohur e Barthes, shpërfaq pikërisht këtë filozofi. Barthes kritikon traditat klasike të interpretimit letrar për shkak se autorit i mveshin atribute të veprës. Sipas këndvështrimit të tij, vepra duhet parë tërësisht e shkëputur nga autori. Kuptimit të veprës i mbivendosen elemente autobiografike të autorit si dhe përcaktime kontekstuale, çka sipas Barthes krijon një “pëlhurë” që e mbulon veprën dhe tërheq vëmendjen duke mos lejuar ekzaminimin autonom të veprës. Mënyrat tradicionale të analizës letrare e intensifikojnë këtë tërheqje vëmendjeje dhe pikërisht këtu qëndron dhe pika kryesore e kritikës së Barthes: esenca e tekstit zhvleftësohet nga prania e autorit.

Siç e theksova më sipër, Barthes niset nga baza strukturaliste në kritikën e tij, por e zgjeron debatin deri në post-strukturalizëm, duke i shërbyer mjaft diskursit dekonstruktiv. Ideja e Barthes në lidhje me nevojën për të ndarë kontekstin dhe autorësinë nga vepra dhe shkrimi, është premisë që krijon hapësirë për më shumë se një përfundim. Barthes e vazhdon kritikën në drejtim të strukturave dhe të entitetit tekstual, ndërkohë që Derrida, de Man, etj, shkojnë drejt zbërthimit të strukturave dhe kuptimit përtej shtresave tekstuale. Kernan ngre shqetësimin se shkolla e dekonstruksionit ka vështirësuar kritikën letrare, që është në vetvete një proces tejet i ngarkuar, dhe njëkohësisht paralajmëron mundësinë që ky konceptim i ri letrar të çojë në humbjen e vlerave tradicionale të letërsisë dhe të relativizojë rëndësinë e saj për botën njerëzore. Dhe këto shqetësime janë tejet me vend. Por ajo çfarë Kernan nuk thotë është se, të nisur nga pozicione të përafërta, Derrida dhe Barthes dalin në dy përfundime të ndryshme në lidhje me konceptimin e letërsisë. Barthes dhe vdekja e paralajmëruar e autorit ndajnë me thikë marrëdhënien e autorit dhe veprës. Hedhja poshtë qoftë e funksionalitetit autorial, qoftë e marrëdhënies së ndërsjelltë autor-vepër, e pozicionon veprën letrare si një mekanizëm autonom. Derrida me procesin e dekonstruksionit, nga ana tjetër, relativizon kuptimin dhe marrëdhëniet kuptimore në vepër, duke ngarkuar procesin interpretues dhe duke e bërë atë selektiv. Vetë Derrida mëton të krijojë një bosht të ri përqasjeje ndaj leximit të veprës, por në këtë mënyrë heq mundësinë e subjektivizmit në leximin dhe përthimin e veprës nga ana e lexuesit. Për më tepër, leximi dhe analiza bëhet një proces teknik. Nëqoftëse fjalët nuk kanë një kuptim të brendshëm dhe të mëvetësishëm dhe shikohen vetëm në marrëdhëniet kuptimore që lindin nëpërmjet pranëvenies së fjalëve, humbet vlefta e përqasjes individuale të lexuesit ndaj veprës. Përfundimet e Barthes dhe Derridës janë njëlloj të rrezikshme për letërsinë. Njëri largon autorin nga vepra, ndërkohë që tjetri kufizon lexuesin; kufizim i cili shërben gjithaq për ta larguar atë nga vepra. Edhe pse me shumë mundësi në mënyrë të pavetëijshme, Derrida dhe Barthes (duke nënkuptuar format e tyre të konceptimit të letërsisë) hedhin dhe mbrojnë idenë e një letërsie që duhet parë në një nivel të shkëputur tërësisht nga bota njerëzore. Ky qëndrim është tejet i njëkahshëm. Qëndrim deri diku të përkundërt ka Jorge Luis Borges. Borges, një erudit tejet i veçantë në llojin e tij, në vetvete nuk është kritik letrar në kuptimin e ngushtë skolastik të fjalës, por ka një kontribut të shumanshëm në lëmën e filozofisë letrare. Duke lëvruar dhe vetë prozën e shkurtër dhe poezinë, Borges ka një qëndrim subjektiv dhe gati metafizik ndaj letërsisë. Në librin e tij “Labirinte: Histori të zgjedhura dhe shkrime të tjera”, Borges shkruan se “…libri është më shumë se struktura verbale dhe seri strukturash verbale; është dialogu që vendos me lexuesin…” (Borges, 188). “Labirinte” është botuar përpara esesë së Barthes dhe librit të Derridës, por që aty mund të shikojmë një kundërvënie ndaj ideve që do shpaloseshin pas pak vitesh nga dy kritikët francezë. Ose mund të pranojmë dhe të anasjelltën, që veprat e tyre ishin një kundërveprim ndaj ideve të ngjashme me të Borges, por kjo pak rëndësi ka. Qasja e Borges është logjikisht në kundërvënie të drejpërdrejtë me Derridën. Borges nuk e pranon mëvetësinë e fjalës dhe kuptimin e veprës e shikon vetëm tek mënyra e përthithjes së veprës nga lexuesi. Ka subjektivitet të theksuar te Borges dhe tek konceptimi i tij, por gjithsesi ky perceptim është funksional në rikthimin e letërsisë në një objekt të prekshëm. Në diskursin e sotëm letrar, pavarësisht se qasja borgesiane mund të kritikohet, të paktën është më e pranuar se ajo e Derridës dhe ky fakt i ka dhënë mundësi letërsisë që të ketë ende një fytyrë humane sot. Gjithsesi, këndvështrimi i Borgesit, me simplicitetin dhe metafizikën e vetë, nuk mund ta ezaurojë debatin. Aq më tepër kur e lë të patrajtuar marrëdhënien e autorit me veprën. Përshtypja ime është që në këtë pikë edhe Borgesi ka tendencën të anashkalojë elementët autorialë dhe jashtë-tekstualë (me përjashtim të lexuesit dhe përthithësit të veprës) për hir të universalizimit të narracionit. Ky perceptim mund të vërehet jo vetëm tek “Labirintet”, por edhe në vepra të tjera të Borges. Problemi tek sistemi borgesian është mungesa e fillimit të narracionit. Rrëfimi sipas sistemit borgesian konceptohet si një lumë që mëshon të lëvizë në mënyrë konstante, të pafundme, gati si një lumë i pashtershëm. Dhe, pikërisht si një lumë, rreket të mblidhet në një deltë dhe të shpërndahet në detin e përthithësve së rrëfimit, lexuesve. Në këtë pikë, Borges pranon larmishmërinë e pashmangshme të përthithjes së rrëfimit. Por, ai nuk e shtron asnjëherë problemin e lindjes së narracionit. Lumit të rrëfimit nuk i cakton asnjë burim dhe asnjë natyrë, duke lënë një boshllëk kuptimor dhe analitik. Bindja ime është që procesi i krijimit dhe vetë krijuesi nuk duhet të instrumentalizohen plotësisht. Është tejet reduktive të konsiderosh autorin si një faktor në procesin e krijimit që është plotësisht i shkëputur dhe jo përcaktues në mënyrën se si vepra materializohet dhe lexohet. Qasja e Borges mund të japë mundësi për të parë një sërë veprash, mbi të gjitha letërsinë misionare dhe të angazhuar, por është tejet thjeshtëzuese. Nga ana tjetër, metoda e Barthes dhe Derridës janë gjithaq jo të plota në hulumtime për vepra të cilat e tejkalojnë vëllimin e thjeshtë. Fernando Pesoa (Fernando Pessoa) do të mbetej përjetësisht i pakuptuar nëse do ta nisnim leximin vetëm në mënyrat që këshillojnë Derrida dhe Barthes. Veçanësia e Pesoas qëndron tek fakti që vepra e tij u nënshkrua nga një larmishmëri emrash, të quajtura heteronime. Ndryshe nga pseudonimet, heteronimet e Pesoas gëzojnë një biografi të sajuar dhe, sikurse Pesoa këmbëngulte, stilistika letrare të pangjashme me njëra-tjetrën. Heteronimet shpeshherë ndërveprojnë me njëri-tjetrin, herë duke shkruar hyrjet dhe herë të tjera duke analizuar veprat e heteronimeve të tjera. Madje, bashkëveprimi shkon deri aty sa një heteronim ndikohet në stil nga një heteronim tjetër. E gjithë vepra e Pesoas zhvillohet në një dimension që, ndoshta më shumë nga të gjithë dimensionet letrare, i afrohet realitetit. Pesoa këmbëngulte që heteronimet ishin personalitete të mëvetësishme. Për hir të konvencionit, Derrida dhe Barthes do t’i zbërthenin veprat e Pesoas duke ndjekur respektivisht skemat post-strukturaliste dhe, ndoshta Pesoa vetë nuk do t’i kundërshtonte këto analiza, por ato nuk do ta kapnin thelbin e veprës së Pesoas. Tërësia e poezive, eseve, kritikave dhe mëtimeve filozofike të Pesoas, pavarësisht nga kushdo që ishte personaliteti që mbante përgjegjësi për procesin krijues, krijon një strukturë mbi-letrare. Struktura është aq e madhe sa Derridës nuk do i mjaftonte gjithë koha jetësore për ta zbërthyer, sepse vlera nuk mbetet vetëm tek kuptimi dhe nënshtresat kuptimore që krijohen, por është edhe estetike. Estetika nuk mund të ngërthehet brenda një strukture kuptimore, nëqoftëse pranojmë një vlerë autonome tek estetika. Prandaj Derrida do të dështonte të shpjegonte plotësisht Pesoan. Nga ana tjetër, Barthes do të mbetej në analizën strukturore. Barthes, në mënyrën e tij, do të realizonte ndoshta atë që Pesoa do të kishte dashur realisht: analizën e pavarur të secilës vepër. Por, edhe në këtë rast, do të ishte reduktive dhe do të humbiste në botën letrare fenomenin e Pesoas. Dhe, nëse kufizohemi vetëm tek sistemi i Derridës dhe Barthes, shumë fenomene të tjera mund të humbasin. Për t’iu kundërvënë rreziqeve të tilla, përshtypja ime është që nevojitet një analizë integrale në kritikën letrare, ose të paktën krijimi i hapësirës për një analizë integrale.

Derrida është mbytës në përcaktimin e tij se përtej dekonstruksionit ekziston vetëm retorika dhe analiza jo shkencore. Nihilizmi i tij, pavarësisht se krijon mundësi për interpretime alternative, për shkak se në fund të fundit valenca kuptimore ka rolin e vetë në analizën letrare, është i rrezikshëm kur është tejet i prerë dhe nuk krijon hapësirë për të dalë nga skema semantike. Përcaktimi i Derridës është kategorik dhe refuzues. Gjithaq i nxituar është përcaktimi i Barthes se autori ndahet nga vepra në momentin që e mbaron dhe e boton atë. Mund të kuptohet njëfarë valence autonome e veprës brenda universit letrar, por që të vësh autorin në funksion të veprës do të thotë ta shndërrosh atë në një makineri që shkruan pa vetëdije. Vetëm në këtë mënyrë do të mundësohet përjashtimi nga çdo ndikim i tij në substraktin letrar, por kjo është e pamundur. Së fundmi është Borges, i cili është kontroversial në mohimin autorial, edhe ai në premisa të ngjashme me Barthes. Është kontroversial për shkak se nëse gjithë procesin e leximit, tejçimit të kuptimit dhe të estetikës e lëmë në dorë të lexuesit, atëherë vetë Borges, si autor, do të humbiste kontekstin që mundëson të jetë përcaktues në botën letrare. Si në sensin krijues, edhe në atë konceptues. Propozimi im është që analiza letrare të jetë një formë hibride ndërmjet shkollave tradicionale dhe atyre post-moderne, një analizë integrale. Derrida ka të drejtë kur kritikon faktin që shpeshherë jeta dhe biografia e autorit sugjestionojnë jo vetëm lexuesit e zakonshëm, por edhe kritikët. Kjo është gjithaq e rrezikshme sa përcaktimi kategorik i Derridës, pasi e zhvlerëson veprën për hir të autorit. Autori është i tillë vetëm kur ka një krijim, po aq sa është e vërtetë e anasjellta. Në këtë prizëm, Derrida mund të shërbejë për të mëshuar te fakti që duhet tejkaluar konformizmi klasik. Sikurse dhe Barthes duhet të asimilohet me një frymë kritike. Autori, ndoshta nuk është personi publik që ishte ne teoritë klasike të analizës, por kurrsesi nuk mund të quhet i vdekur. Është e domosdoshme prania e autorit në mënyrë që narracioni të ketë një rrjedhë natyrore dhe letërsia të vazhdojë të ruajë vlerat humane dhe për humanizmin. Rreziqet e jashtme që Kernan shtron meritojnë hulumtime të tjera. Por analiza integrale, pavarësisht se ndoshta nuk do të ishte idealja për Kernan, të paktën do të fashiste rreziqet që i vijnë letërsisë nga brenda universit letrar. Siguria në këtë rast do të ishte që letërsia nuk do të vdiste nga hemoragjia e brendshme.

 Bibliografia

Kernan, Alvin B. The Death of Literature (Vdekja e Letërsisë). New Haven: Yale UP, 1990. Print.

Derrida, Jacques. Of Grammatology (Për Gramatologjinë). Baltimore: Johns Hopkins UP, 1976. Print.

Barthes, Roland. “The Death of the Author.” Image, Music, Text. Trans. Stephen Heath. New York: Hill and Wang, 1977. Online.

Borges, Jorge Luis. Labyrinths: Selected Stories & Other Writings (Labirinte: Histori të zgjedhura dhe shkrime të tjera). Ed. James East Irby. New York: New Directions Pub. 1964. Print.

Skeçi i "Stupcave", gjenial për realitetin e politikbërjes së shqiptarve të Luginës
Lugina e Preshevës, jo më një vend i harruar
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration