Lokale
Në Bujanoc do të mbetet vetëm pikëkalimi në Konçul?
Komuna e Bujanocit mund të mbetet vetëm me një pikëkalim administrativ sepse Dobrosini dhe Breznica nuk përmenden në marrëveshjen e Brukselit.
Komandanti i stacionit policor në Bujanoc, Dragan Veliçkoviq, thotë se nuk e din nëse dy kalimet në drejtim të Kosovës, Dobrosini dhe Breznica, do të funksionojnë në të ardhmen, sepse në këto pikëkalime aktualisht kujdestarojnë vetëm policët serbë derisa në anën kosovare nuk është askush.
Veliçkoviq në mbledhjen e Këshillit komunal për siguri ka thënë se ekipet negociuese të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel kanë arritur marrëveshjen vetëm për kalimin në Konçul të komunës së Bujanocit, në të cilin prej fillimit të vitit ka filluar menaxhimi i integruar i pikëkalimit, derisa Dobrosini dhe Breznica nuk përmenden askund në marrëveshjen e Brukselit, citon Titulli agjencinë Beta.
Menaxhimi i integruar i pikëkalimit në bazë të marrëveshjes së Brukselit në praktikë parasheh që shtëpizat e policëve dhe doganierëve nga ana serbe, gjegjësisht ana kosovare, të ofrohen njëra me tjetrën në largësi prej disa metrave, dhe që kontrollimi i udhëtarëve e mallërave të bëhet vetëm një herë, që aktualisht kemi rastin në Konçul.
“Nuk e di cili do të jetë fati i kalimeve në Dobrosin dhe Breznicë. Në këto kalime nuk mund të kalohet me targa kosovare e as të kalojnë (në drejtim të Kosovës) veturat pa sigurim. Në këto kalime aktualisht nga ana kosovare nuk gjendet askush, asnjë polic, vetëm në anën serbe ka polici”, ka thënë Veliçkoviq.
Veliçkoviq ka theksuar se kohë më parë ka pasur një vizitë të ekipit që raporton për Ketrin Eshton, i cili për punën e policisë në pikëkalimin e Konçulit nuk pati asnjë vërejtje.
“Në Konçul shtohet fluksi i udhëtarëve çdo herë në sezon por procesi i kontrollimit nuk mund të shpejtohet sepse sipas marrëveshjes së Brukselit është i caktuar numri i policëve që punojnë, e të cilin nuk mund ta rrisim vetëm pse është shtuar fluksi. E gjithë çfarë bëhet në Konçul incizohet nga kamerat”, ka thënë Veliçkoviq.
Pas vitit 1999 në komunën e Bujanocit janë formuar tre kalime në drejtim të Kosovës: Konçuli, Dobrosini dhe Breznica.
Prej fillimit vetëm në pikëkalimin e Konçulit, që gjendet në rrugën magjistrale Bujanoc – Gjilan, ishte lejuar qarkullimi i mallërave dhe dogana, ndërsa në dy kalimet tjerë, që gjenden në pjesën malore të komunës së Bujanocit në fshatrat e banuar me shqiptarë, ishte paraparë vetëm kalimi i veturave për udhëtarë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!