Lokale
Në 22 vjetorin e Referendumit, shqiptarët e Luginës së Preshevës më keq se kurrë!
Sivjet , më 1 dhe 2 mars shënojmë 22 vjetorin e Referendumit “për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën”. Të anashkaluar në Dialogun Kosovë-Serbi dhe Marrëveshjen e 19 prillit 2013 në Bruksel, po i afrohemi dalëngadalë një çerekshekulli nga deklarimi i shqiptarve të Luginës së Preshevës për dy opcione: 1) për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe 2) për bashkim me Kosovën.
Shkruan: Nehat Hyseni;
Deklarim historik i vullnetit politik
Organizimi i suksesshëm i Referendumit paraqet një ndër aktivitetet më të rëndësishëm të shqiptarve të Luginës së Preshevës në historinë e tyre.
Mobilizimi i masave popullore dhe entuziazmi ishin në kulminacion. Askush nuk kursehej, pa marrë parasysh kërcnimet e regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe elementeve të UDB-së famëkeqe, që ishin infiltruar edhe në organizimin tonë politik, duke tentuar që t’i devijojnë aktivitetet tona kombëtare, si nga jashtë, ashtu edhe brenda neshë.
Intenziteti presioneve të tyre sa vinte e shtohej me afrimin e datës së mbajtjes së votimit, duke synuar që të na detyrojnë që të heqim dorë nga organizimi i tij, si dhe të na kompromitojnë me konfiskimin e materialit votues, propagandues e informativ të Referendumit.
Sfidat dhe rreziqet
Sfida më e rrezikëshme që ishte krijuar nga propaganda e regjimit ishte se kishin krijuar situatë paniku në popull, sa që në disa fshatra na imponohej votimi i mësheftë. Madje, në dy raste, në dy fshatra relativisht të mëdha, njëri në komunën e Preshevës dhe tjetri në atë të Bujanocit, ishin mbushur fletëvotimet një ditë para kohe, duke i harxhuar kot fletëvotimet!
Fati e deshti që kishim shtypur fletëvotime në sasi të madhe, meqë ishim informuar se në Referendumin e Muslimanëve të Sanxhakut, policia ua kishte pasë konfiskuar një sasi të madhe fletëvotimesh, sa që i kishte sjellur në situatë të palakmueshme organizatorët e Referendumit atje. Prandaj, përvoja e tyre, si dhe ajo e Referendumit të Republikës së Kosovës, të vitit 1991, na ndihmuan shumë.
Sfidat nuk na vinin vetëm nga jashtë, por edhe brendapërbrenda organizimit tonë politik, duke na sjellur në situata të rrezikëshme, me qëllim pengimi dhe kompromitimi.
Duhej pasur shumë kujdes me mjetet e informimit publik, meqë atëherë funksiononin kryesisht vetëm mediat serbe dhe ato kishin pretendime ekstreme antishqiptare. Vetëm “Jutel-i” i Sarajevës dallohej për korrektësi.
Çuditërisht, sfidat na vinin edhe nga disa gazetarë shqiptarë. Prandaj, në Konferencën për shtyp më 4 mars 1992 u shfaqën pyetje provokative jo vetëm nga gazetarët serbë, e që kishin për qëllim komprometimin tonë.
Kujdesi jonë maksimal, por edhe qëndrimi i hapur dhe plotësisht transparent dhe korrekt i yni me mjetet e informimit gjatë të tërë kohës së organizimit dhe mbajtjes së Referendumit, i befasoi të gjithë.
Rugova: “Preshevë, bravo!…”
Ndërkaq, në mbledhjen e Këshillit të Partive Politike Shqiptare në Prishtinë, që ishte caktuar poashtu më 4 mars 1992, u caktova unë, si Zëdhës që të raportoj para tyre lidhur me Referendumin.
Në bisedën paraprake, që kishte karakter konfidencial, me Presidentin historik Ibrahim Rugova dhe me Profesor Fehmi Aganin, kuptova se pjesën më të madhe të sfidave tona i kishin përjetuar edhe ata. Madje, disa gjëra shumë më ashpër dhe më keq se ne.
Sidomos u ndalëm tek sjelljet e çuditëshme të disa shqiptarve, që shtireshin si aktivistë të zellshëm.
Presidenti Rugova ma hodhi krahun mbi qafë, ishte më i gjatë nja dy pëllëmbë se unë dhe i thelluar thellë në këtë problematikë, me shikim të drejtë në sy, tha: “Preshevë, bravo, ia dolët si burrat. Na e zbardhët fytyrën!” dhe buzëqeshi me një pamje filozofike, që ishte karakteristike dhe e bënte edhe më madhështor. Edhe Profesori Agani qeshi, si e kishte zakon, ëmbël dhe me plotë urti e dashamirësi.
Pastaj filloi mbledhja dhe pika kryesore ishte Referendumi jonë. Unë aty raportova detajisht lidhur me ecurinë e organizimit dhe mbajtjes dhe i informova se ishim duke e përgatitur për botim edhe Buletinin e Referendumit.
Vlerësimi nga të gjithë të pranishmit, përfaqësues të partive politike të shqiptarve për Kosovë, Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi, ishte i shkëlqyeshë dhe ndjehej një gëzim dhe lehtësi shpirtërore tek të gjithë. Atmosfera ishte pothuajse festive, duke u debatuar dhe shqyrtuar mundësia e tillë edhe për Maqedoni dhe Mal të Zi.
Shpërngulja si brengë
Lugina e Preshevës sot, në përvjetorin e 22-të të mbajtjes së Referendumit, thënë troç, gjendet më keq se asnjëherë më parë në historinë e saj.
Shpërngulja pothuajse e ka boshatisur këtë pjesë të gjeografisë shqiptare, që vërehet qysh në shikim të parë, duke filluar nga Medvegja, e cila më tepër i përngjet një fantazme me shtëpi të boshatisura, ku rehatinë boshatisura, ku rehatinë e bredhjes së qenëve e macave ia prishin ata pak banorë që kanë mbetur aty-këtu nga dhjetëfishi i atyre që dalëngadalë i braktisën vatrat e tyre stërgjyshore.
Ndërkaq, malësia e Bujanocit dhe Karadaku i Preshevës i përngjajnë më tepër një poligoni ushtarak të stërvitjes së forcave të armatasoura të Serbisë, xhandarmerisë dhe Ushtrisë serbe, që edhe çerdhet e gjarpërinjve dhe insekteve e gjallesave të tjera i kanë trazuar me veprimet e tyre dhe me demonstrimin e dhunësa dhe “muskujve” të shtetit të Serbisë.
Prandaj, edhe këtu, ashtu si në Medvegjë, janë shpërngulur mbi 90% e shqiptarve. Kurse, pjesa fushore e Bujanocit dhe Preshevës, e cila është më e dendur , edhepse edhe aty ndihen pasojat e ekzodit masiv të shqiptarve , megjithatë ndjehet e pashpresë dhe e izoluar dhe vetmuar si asnjëherë më parë.
Numri i përgjysmuar i nxënësve shqiptarë, krahasuar me disa vite më parë, flet qartë për pasojat e tilla.
Ndalimi i përmendoreve shqiptare dhe ndërtimi i atyre serbe
Vitin e kaluar ishin ngritur tensionet politike deri në absurd, lidhur me Lapidarin e UÇPMB-së në Preshevë, ku ishin bërë gara të “azgënllëkut” dhe trimërisë deri në absurd, e të cilat krijuan një epilog trishtues për popullatën shqiptare, duke e lënë ate jo vetëm pa atë Lapidar, por edhe me ndalimin imediat të ndërtimit të Kompleksit Memorial në Rahovicë, kurse Memoriali gjigant i Serbisë u ndërtua mbi fshatin LLuçan dhe provokon me përbuzje shqiptarët e kësaj ane!
Absurdi i situatës në Luginë qëndron pikërisht në faktin se këtu askush nuk ndjehet fajtor, madje as për së largu. Sepse, secila pale e kreu punën me “sukses”: shqiptarët e Luginës dhe “komandantët”e tyre i treguan “muskujt” (që nuk i kishin) dhe Serbia me Xhandarmerinë e vet me “spektaklin” hollivudian në mëngjezin e hershëm të 20 janarit 2013.
Kurse, pë Lapidarin askush nga ata nuk kujtohet më, e as që u pengon ai serb në LLuçan dhe ndërprerja e punimeve në Rahovicë.
Edhepse ishin bërë unikë reth mbrojtjes së Lapidarit, megjithatë nuk u arritë shmangja e epilogut të përmendur, që realisht ishte një humbje dhe hendikep i madh për ne.
Zgjedhjet parlamentare
Aktualisht jemi duke u marrë me (ri)krijimin e unitetit të shqiptarve të Luginës për (mos)dalje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, duke e përsëritur skenarin e deklarimit të “vetmjaftueshmërisë” së shqiptarve të kësaj pjese të Shqiptarisë, që aktualisht ka mbetur nën Serbi.
Pra, vizitat e përsëritura të tyre në Tiranë e Prishtinë nuk dhanë rezultat, meqë disa prej tyre mendojnë se “nuk ka çka na përzihet Tirana e Prishtina” e besa edhe ndërkombëtarët, meqë “na i dijmë punët tona”!
Madje, një zyrtar i tyre partiak e arsyetoi “shkencërisht” këtë qëndrim me njëfarë “teorie grupesh të interesit”. Porosia ishte e qartë: askush nuk duhet të përzihet në vendimmarrje të shqiptarve të Luginës!
Tani, sa duket, PVD-së i ka mbetur barra që e vetme t’i përmbahet bisedimeve dhe porosive eksplicite të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, si dhe të miqëve ndërkombëtarë, për t’u angazhuar lidhur me plotësimin e dhjetë mijë fletëparaqitjeve me nënshkrime, si kusht për pjesëmarrje në zgjedhje.
Obstrukcionet e organeve gjyqësore në Preshevë janë duke e vështirësuar, gati për ta pamundësuar këtë aktivitet, duke u ndihmuar dhe mbështetur edhe nga disa parti politike shqiptare!
“Parajsa” dhe “skëterra”
Dikush e tha se për politikanët është parajsë atëherë kur për popullin jeta bëhet ferr, skëterrë. Dhe sa më e vështirë të jetë jeta e popullit, poaq më shkëlqyese dhe madhështore është jeta e politikanëve. Sidomos kjo thënie vlenë për lider(uc)ët e Luginës.
Gjendja e katranosur nga (keq)qeverisja e tyre na trumpetohet si “fitore”, sipas stilit: “sa më keq, aq më mirë”!
Dhe ata jo vetëm që nuk e ndiejnë përgjegjësinë e vet me (mos)veprimin e tyre adekuat në të mirë të qytetarëve të Luginës, e cila tani është degraduar skajshmërisht me heqjen e gjykatave përkatëse në Preshevë dhe Bujanoc, me heqjen e Lapidarit në Preshevë, ndalimin e ndërtimit të Memorialit në Rahovicë, me ndërtimin e Memorialit provokues serb në Lluçan, me shkurtimin e buxhetit dhe kompetencave të KNSH-së, mungesën drastike të investimeve dhe buxheteve komunale, me shpërnguljen masive të shqiptarve në këto komuna, etj.
Kryetarët e këtyre dy komunave mundohen të na i prezentojnë si fitore dhe merita personale të tyre, pa e prishur fare “tymin” për gjendjen katastrofale.
Në këtë situatë trishtuese dhe të pashpresë për shqiptarët e Luginës, megjithatë kemi “tregime të suksesshme” të disa bizneseve të pakta, që (jo)rastësisht janë sponzorë të pushtetit lokal në Preshevë dhe Bujanoc, të cilat prijnë me investimet dhe me numrin e tenderëve të realizuara, derisa bizneset e tjera janë në problem ekzistenciale, para zhdukjes.
Reciprociteti i harruar
Derisa vitin e kaluar ishim plotë shpresë se do të realizohet parimi i deklaruar unanimisht për reciprocitet me serbët e Kosovës, duke u shtruar ato si çështje të barabarta në tavolinën e bisedimeve të Brukselit, në Dialogun Kosovë-Serbi, tmerrësisht u zhgënjyem kur pamë se jo vetëm që nuk u shtrua ky parim, por çështja e shqiptarve të Luginës as që u përmend fare!
Pra, mjerisht, kjo është gjendja reale e shqiptarve të Luginës së Preshevës në vigjilie të 22 vjetorit të Referendumit të tyre, ku disa thonë se “nuk e pranojnë Serbinë”, por (keq) qeverisin me buxhetin dhe pushtetin në Preshevë dhe Bujanoc, duke minuar çdo përpjekje për institucionalizimin e unitetit të shqiptarve të Luginës së Preshevës, në emër të së ardhmes tonë “më të lumtur”, por pa na treguar se si do të arrihet ajo?!
(Autori ka qenë kryetar i Qendrës për Informim (Zëdhënës) i Kuvendit për Shpalljen e Referendumit dhe kryetar i Degës së PVD-së në Preshevë)
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!