Vështrime
Medvegja sot dhe nesër
Një qytet i vogël i rrethuar nga malet, i harruar dikund pothuajse nga të gjithë, i braktisur në vazhdimësi nga qytetarët e saj, vështirë se merr frymë, vështirë mbijetonte. Një qytet ku kanë jetuar me gjenerata të tera njerëz nga etni të ndryshme, të cilët mundoheshin që të mbijetonin disi me jetën e vështirë që ofronin malet e egra dhe natyra që lë shumë për të dëshiruar, me një ekonomi dhe infrastrukturë që nuk i plotëson as për së afërmi interesat e banorëve .
[caption id="attachment_114141" align="alignleft" width="162"] Shkruan: Vjollca Salihu;[/caption]
Kjo është Medvegja, vendi në të cilin jam rritur dhe arsimuar, vendi ku kam familjen dhe vendi që po zbrazët në vazhdimësi nga njerëzit që dikur i jepnin aq shumë gjallëri.
Por pse është një gjendje e tillë, nga çka u shkaktua, cilat janë problemet, kush është fajtori dhe cila është zgjidhja !? Janë një mori pyetjesh të thjeshta të cilave mund tu jepen përgjigje jo shumë të shkurtra dhe konkrete. Si është e mundur që një qytet në të cilën etni të ndryshme kanë jetuar në harmoni për një kohë të gjatë, kuptohet me probleme të izoluara tashmë të shohin njeri tjetrin si armiq të përbetuar. Një përgjigje pak a shumë përmbledhëse mund të jetë ajo që fajtori kryesor është politika qendrore e Beogradit ndër vite, në raport me shqiptarët që jetojnë në këtë qytet për nga aspekti politik, por edhe me të gjithë qytetarët e tjerë për nga aspekti ekonomik, shkaku që investimet në këtë komunë janë të pakta dhe pa efektin e duhur që mund të shërbente si stimulim për banorët e përhershëm.
Raporti i popullsisë ka ndryshuar drastikisht që prej konfliktit të vitit 2000 ku një pjesë e madhe e shqiptareve u detyrua të shpërngulej nga kjo komune, tanimë fshatrat të tëra janë pothuajse të zbrazëta pa banorë. Qytetarët shqiptar u detyruan të largohen nga vendi i tyre si pasojë e politikave shtetërore të regjimit të Millosheviqit e theksuar tej mase nga qeverisja lokale e asaj kohe, gjendja e shqiptareve keqësohej dita e ditës, të drejtat e tyre vazhduan të shkeleshin në vazhdimësi, duke ja shtuar këtu edhe kushtet e vështira ekonomike e bënin të pa evitueshëm largimin nga vendlindja.
Me gjithë përpjekjet nga ana e komunës për të kthyer të zhvendosurit tashmë është shumë e vështirë për të bërë një gjë të tillë pasi shumica e të zhvendosurve kanë filluar një jetë të re në vendet ku janë vendosur, bashkëmoshataret tanë nuk kanë kurrfarë perspektive për tu kthyer në vendlindje, për shumë arsye, një ndër to shkollimi i lartë në gjuhën amtare, vështirësitë në punësim, diskriminim i vazhdueshëm, e ardhme e pasigurt. Të gjitha këto janë arsye për të mos u kthyer më. Por arsyeja kryesore është krenaria,frika që të mos cilësohen qytetarë të dorës së dytë , frika që të mos i mbyllet dera kur të konkurrojnë në punë, frika nga e ardhmja në këtë vend.
E them këtë si person i cili ka lindur dhe është rritur në këtë vend, si person i cili ka përjetuar të gjitha gjërat që i ceka më lartë, e them si person i cili do të jetojë më ndryshe në këtë vend, më mirë, më me dinjitet pa frikë për atë çka jam apo çfarë unë përfaqësoj.
Si pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të mi edhe unë kam vendosur që për një kohë të largohem nga vendi im, jo pse dua të qëndroj larg familjes, apo pse dua të jem larg shoqërisë apo vendlindjes, por për shkak se nevoja për të pasur punë dhe karrierë të suksesshme është një motiv shumë i fortë, madje vetëm tani mund ti kuptoj bashkëqytetarët e mi se pse kanë vendosur të largohen.
Por ekziston një dallim i vogël, unë dëshiroj që të kthehem, unë dëshiroj që të jap kontributin tim për hapësirën ku jetoj, për njerëzit e mi, për bashkëqytetarët e mi, për qytetin tim të rrethuar nga malet që i japin hijeshi. Dhe besoj se nuk është e pamundur, me pak vullnet dhe pak ndihmë gjithçka mund të rregullohet, gjithçka mund të kthehet si më parë, madje akoma më mirë.
Një qytet i vogël si qyteti im është lehtë të menaxhohet, është lehtë të ndërtohet akoma më shumë është lehtë të mbahet i gjallë, me shumë pak investime, pa ndërhyrje politike, pa nxitje të nacionalizmave të cilat mund të shkatërrojnë gjithçka, me pak investim në turizëm dhe ekonomi, por më shumë respekt dhe tolerancë për njeri tjetrin shumë lehtë qyteti do të kishte një pamje më të mirë, një atmosferë më të këndshme dhe një të ardhme më tësigurt e me më shumë mundësi për tu arsimuar e punuar.
Problemi kryesor është kthimi i të zhvendosurve dhe kjo bëhet vetëm me krijimin e kushteve të favorshme për kthim, e në këto kushte bëjnë pjesë rindërtimi i shtëpive të djegura apo të rrënuara nga koha dhe mungesa e përkujdesjes, pastaj ofrimi i kushteve ndihmëse në fshatrat e thella malore ku bëjnë pjesë ndërtimi dhe rindërtimi i shkollave fillore, ndërtimi i ambulancave në fshatra , asfaltimi dhe rregullimi i rrugëve, hapja edhe e një shkolle të mesme në Medvegjë apo në banjë të Sijarines. Universiteti i Nishit dega në Medvegjëështë një nismë e mirë, por se duhet të zgjerohet edhe me degë të tjera dhe poashtu me hapjen e katedrës në gjuhen shqipe.Hapja e pikave të reja kufitare me Kosovën do të ndikonte shumë në kthimin e të zhvendosurve, nëse jo përfundimisht të paktën për një periudhë të caktuar të vitit, poashtu bashkëpunimi me qytete të Kosovës e veçanërisht me Prishtinën dhe Kamenicën por edhe me qytetet e Serbisë do ti sillte të mira komunës së Medvegjës, veçanërisht do të zhvillohej turizmi i cili do ti kthente namin e dikurshëm ujërave termale shëruese të Banjës së Sijarines, të cilat janë të njohura edhe mëlarg se këto treva.
Punësimi i të rinjve duhet të bëhet në të gjithë sektorët e veçanërisht në administrate ku numri i shqiptarëve është jashtëzakonisht i vogël, po ashtu duhet të luftohet me të gjitha mjetet e mundshme diskriminimi në baza etnike apo fetare. Punësimi konform profesionit të cilin të rinjtë e kanë do të ndikonte që ata të mos kishin arsye të lëviznin nga vendlindja e tyre. Decentralizimi sa më i madh,që do të thotë dhënia e kompetencave sa më shumë autoriteteve lokalë, rritja e aftësive vetëqeverisëse do të ndikonte po ashtu që popullsia të kishte një lloj hapësire veprimi në fusha të caktuara të cilat do ta rregullonin jetën e tyre.
Ofrimi i sigurisë është po ashtu i një rëndësie të veçantë pasi që pikërisht mungesa e sigurisë për jetën dhe pasurinë kombinuar me mosrespektimin e të drejtave elementare qoftë nga ana e shtetit qoftë nga ana e etnisë tjetër ka bërë që të ketë zhvendosje masive nga kjo komunë. Një polici e ndërtuar në baza shumetnike, por e bazuar në realitet jo vetëm në letër do të ishte garantues i mirë i sigurisë.
Të gjitha këto gjëra në qytetin tim mungojnë,kjo është arsyeja që mua sikurse shumë e shumë të tjerë bashkëmoshatarë të mi na kanë detyruar që të largohemi për të gjetur një punë më të mirë, për të bërë karrierë të suksesshme, dhe për të pasur një të ardhme të ndritur. Përvoja ime në Beograd është një nga mundësit më të mira që më është ofruar. Përpos që do të fitoj këtë përvojë të mirë, besoj që kjo do të më ndihmoj që në të ardhmen të jem person i dobishëm edhe për vendin prej nga kam ardhur, dhe për njerëzit të cilët i njoh dhe ua di vuajtjet, e di se me çfarë përballën ata. Prezenca ime këtu besoj se do të më ndihmoj tej mase që të informoj sa më shumë dhe sa më qartë autoritetet qendrore për gjendjen që mbretëron në Medvegjë dhe e cila le shumë për të dëshiruar, por po ashtu në vazhdimësi do të mundohemi që bashkërisht të gjejmë metoda dhe alternativa për përmirësimin e kësaj gjendjeje, e që duhet të fokusohet në tri fusha kryesore, e të cilat janë, krijimi i kushteve për kthim, ambient i sigurt dhe respektim i të drejtave të njeriut si dhe zhvillim ekonomik veçmas i sektorit të turizmit së bashku me infrastrukturën përcjellëse.
Në fund mendoj se asnjë nga këto gjëra nuk është e pamundur e madje as e vështirë për tu bërë, krejt çka duhet është një vullnet politik, një plan mirë i detajuar dhe shumë punë për të implementuar një gjë të tillë. Medvegja si një qytezë e vogël tani, në një qoshe të largët, me bukuritë natyrore që ka, me potencialin njerëzor, si dhe me shumëllojshmërinë e kulturave që ofron padyshim se në një të ardhme do të ishte një qytet me një pamje krejt tjetër, një vend mikpritës për turistët, një vend i të ardhmes për të rinjtë dhe një vend ku gërshetohen dhe bashkëpunojnë kulturat dhe etnitë e ndryshme.
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!