Lokale
Marrëdhënie të “ngrira” të Luginës së Preshevës me Serbinë
Lugina e Preshevës ka ndërprerë bisedimet me qeverinë e Serbisë lidhur me të drejtat dhe kërkesat e shqiptarëve. Zyrtarët e qeverisë së Serbisë, nga ana tjetër kanë thënë se askush nuk mund të përfitojë me bllokime dhe shantazhe.
Marrëdhëniet mes Luginës dhe qeverisë serbe vazhdojnë të mbeten të ngrira. Shqiptarët kërkojnë gjykatat, regjistrim të drejtë të popullsisë, zgjidhjen e problemeve shëndetësore dhe ekonomike. Ndërsa Serbia thotë se shqiptarët nuk mund të përdorin flamurin kuqezi pasi është i një shteti tjetër, por shqiptarët nuk heqin dorë.
“Veç asaj ndihme që Shqipëria mund të japë, ne presim ndihmë prej qeverisë së Kosovës përmes bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel. Në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë të trajtohet edhe çështja e Luginës së Preshevës. Është e papranueshme që kjo nuk është diskutuar deri tani”, deklaron Riza Halimi, deputet në Kuvendin e Serbisë.
“Pala serbe duhet të na ofrojë në një afat periodik zgjidhje për disa çështje që me vite të tëra nuk janë zgjidhur. Ato nuk mund të zgjidhen menjëherë, por duhet të fillojë diçka në mënyrë që shqiptarët të shohin se qeveria serbe ka vullnet për t’i zgjidhur problemet. Por këtë vullnet ende nuk e kemi parë”, thotë nga ana tjetër Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit.
Top Channel ka kontaktuar edhe Trupin Koordinues të Jugut në qeverinë e Serbisë, e cila ka premtuar se do të flasë për këto probleme më vonë. Por, shqiptarët shpresojnë se qeveria serbe, me presion ndërkombëtar, pas marrjes së dates per integrim do të marrë hapa konkretë dhe bisedimet nuk do të jenë vetëm proçedura për integrimin në Bashkimin Evropian./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!