Lokale
Luginë: Pranohet diploma e parë e Republikës së Kosovës (foto)
Marrëveshja e arritur mbi njohjen e përbashkët të diplomave të lëshuara në Kosovë dhe Serbi u zbatua për herë të parë në Luginë, pikërisht në Bujanoc, komunë kjo e banuar me shumicë shqiptare.
Diplomat e Universitetit të Prishtinës të lëshuara pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës e të certifikuara nga Shoqata e Universitetit Evropian është njohur për herë të parë nga Serbia, raporton Titulli.
Enti për Punësim në Bujanoc ka bërë pranimin dhe regjistrimin e dy të diplomuarve nga kjo komunë në Universitetin e Prishtinës, duke bërë edhe pranimin e fakulteteve të përfunduara pranë këtij universiteti.
Tani këta dy të rinj në librezat e tyre të punës kanë të pranuar edhe shkallën e fundit të shkollimit, e jo si dikur kur nuk njiheshin diplomat e këtij institucioni arsimor.
“Jam shumë i gëzuar që më janë pranuar dy fakultetet e përfunduar në Universitetin e Prishtinës, ai i Juridikut dhe Shkencave Politike”, tha për Titullin F.R. i cili diplomat e Republikës së Kosovës i kishte certifikuar nga Shoqata e Universitetit Evropian.
“Nuk kam besuar deri sa më është thënë se gjithçka është në rregull dhe se këto diploma tani njihen. Personeli në Entin për Punësim ka pranuar certifikatat e Shoqatës së Universitetit Evropian (EUA), tani jam në kërkim të punës”, tha F.R.
Serbia deri para marrëveshjes ka njohur vetëm diplomat e Universitetit të Prishtinës të cilat ishin të lëshuara me vulën e UNMIK-ut, ndërsa pas shpalljes së pavarësisë, të rinjtë e Luginës hasën në problemin e mosnjohjes së diplomave për shkak të vulës së Republikës së Kosovës.
Marrëveshja e arritur në korrik të 2011 në mes të qeverive të Kosovës dhe Serbisë si duket ka zgjidhur këtë problem të paraqitur nga politikanët e Luginës, ndërsa për mosnjohjen e diplomave të Universitetit të Prishtinës, shqiptarët e Luginës disa herë u ngritën në protesta./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!