Lugina, testi i parë parazgjedhor!
Lokale

Lugina, testi i parë parazgjedhor!

03.Jun.2013 14:06
0
Ende nuk dihet se kur Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për ta ratifikuar marrëveshjen e parë ndërkombëtare që rregullon normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe planin implementues të kësaj marrëveshje. Për ratifikimin e kësaj marrëveshje partnerëve të koalicionit iu nevojiten votat e 80 deputetëve, përfshirë atyre opozitarë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Por, së fundmi deputeti nga LDK-ja, Lutfi Haziri, ka deklaruar se vota e tij dhe deputetëve të partisë që i takon do të kushtëzohet paraprakisht me aprovimin e Rezolutës për Kosovën Lindore me ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë. Ky kushtëzim i deputetit Haziri nga analistët politikë shihet më shumë si marketing politik, sesa një kërkesë e sinqertë. Njohësi i zhvillimeve politike, Muhamet Kelmendi, thotë se veprimi i fundit i kryetarit të Degës së Gjilanit nga radhët e LDK-së, në lidhje me aprovimin e një rezolute për njohjen e të drejtave elementare të shqiptarëve të Kosovës Lindore me ratifikimin e marrëveshjes dhe planin implementues nuk përkon me politikën e partisë së Isa Mustafës. "Kjo është kryekëput një lojë politike elektorale e LDK-së sesa një preokupim madhor, siç është çështja e Kosovës Lindore. Këtë e them për faktin se pikërisht këta deputetë të kësaj partie i kanë dhënë mbështetje nënshkrimit të marrëveshjes në mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiq. Sikur ta kishte seriozisht LDK çështjen e Preshevës, atëherë nuk është dashur ta japë votën në Kuvendin e Kosovës pro nënshkrimit të marrëveshjes në mes dy kryeministrave. Kushti që ka vendosur LDK në këtë moment mendoj se është vetëm një lojë politike”, ka thënë analisti Kelmendi. Natyrisht, ka shtuar ai, se “do të dëshiroja që kërkesa e LDK-së vërtet të ishte e sinqertë ashtu siç prezantohet, dhe ky subjekt politik të marrë mësim nga gabimi që ka bërë me mbështetjen e marrëveshjes, por po them se kjo është një taktikë politike dhe asgjë tjetër”, ka thënë Muhamet Kelmendi, transmeton Zëri. Ngjashëm është shprehur edhe analisti tjetër, Azem Vllasi, i cili ka shfaqur mendimin se kushtëzimi i vënë me aprovimin e Rezolutës për Kosovën Lindore me ratifikimin e marrëveshjes dhe planit implementues në Kuvendin e Kosovës nuk është i qëlluar. “Kushtëzimi i rezolutës për Kosovën Lindore me planin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim të raporteve është një marketing politik. Kjo është një fushatë, apo marketing politik dhe personalisht nuk me duket e udhës që të kushtëzohet plani i zbatimit me Luginën e Preshevës, edhe pse Kosova në çdo moment duhet t’i dalë krah Luginës”, ka thënë Vllasi, duke shtuar se ka forma tjera që Kuvendi i Kosovës t’i dalë në krah shqiptarëve të Kosovës Lindore pa vendosur fare kushte. Mediat kanë raportuar se deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se vota e tij dhe e LDK-së për ratifikimin e marrëveshjes me Serbinë në Kuvendin e Kosovës dhe ndryshimet e ligjeve për pushtetin lokal do ta kushtëzojë me aprovimin e rezolutës për Kosovën Lindore dhe vendimin që Zhegra të bëhet komunë. Bashkëpartiaku i Hazirit, deputeti Eqrem Kryeziu, ka thënë shkurt se “as Lutfi Haziri dhe as unë nuk mund të vendosim kushte të tilla. Ato mund t’i vërë vetëm Isa Mustafa dhe Kryesia e LDK-së”, ka qenë përgjigja e tij. Ditë më parë Kuvendi i Kosovës me kërkesë të deputetit Lutfi Haziri ka debatuar gjerë e gjatë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga pushteti i Beogradit, por që nuk ka arritur të miratojë një rezolutë për shqiptarët e asaj pjese. “Në Kuvend është shterur debati për rezolutën e Kosovës Lindore dhe unë sërish do të mbetem gardian për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve atje. Ne do të jemi kategorik që kjo rezolutë të përfundojë në favor të tyre”, ka thënë Haziri./Titulli.com/
KKSH kërkon rritjen e kuotave për studentët e Luginës
Iniciativë e re për heqjen e taksës për Luginën
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration